Lëvizjet e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare pa ndikim të dukshëm në ekonominë e vendit, është shprehur ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bashkim Nurboja gjatë Samitit të ministrave të Financave, guvernatorëve drejtorëve të Administratave Tatimore të rajonit që po mbahet në Beçiq të Malit të Zi.
Nurboja ka potencuar se për shkak të shfrytëzimit të euros si valutë zyrtare në Kosovë, BQK-ja i ka të kufizuara mundësitë e shfrytëzimit të instrumenteve të politikës monetare.
“Për shkak të shfrytëzimit të euros si valutë zyrtare në Kosovë, BQK-ja i ka të kufizuara mundësitë e shfrytëzimit të instrumenteve të politikës monetare dhe me këtë edhe të ngadalësimit të inflacionit në vend përderisa potencoi se ndikim të rëndësishëm nuk kanë as lëvizjet e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, për shkak se burimi kryesor i financimit të sektorit bankar të Kosovës janë depozitat e mbledhura brenda vendit”, ka potencuar Nurboja.
“Përderisa portfoli kreditor pothuajse në tërësi përbëhet nga kreditë e lëshuara brenda ekonomisë së vendit, andaj lëvizjet e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, nuk kanë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit, po ashtu edhe ndryshimet në kursin e këmbimit të euros”, shtoi ai.
Po ashtu, ai ofroi të dhëna në lidhje me strukturën e kredive dhe normat e interesit.
Gjatë këtij Samiti, Nurboja ka zhvilluar takime me guvernator të bankave qendrore të rajonit që po marrin pjesë në këtë ngjarje.
Samiti vazhdon të mbahet në datat 29 dhe 30 maj.