Ndërtimi i Parkut Solar 100 megavatësh, mundësi reale apo projekt në letër?!

Mehmet Gjata

Më në fund nisi një aktivitet për të ndërtuar një kapacitet të energjisë së rinovueshme, pas një ngurrimi të autoriteteve kompetente disa mujore. Projekti për ndërtimin e kapaciteteve energjetike solare 100 megavatësh në sipërfaqe të tokave djerrë të termocentraleve Kosova A, ky investim i synuar, nëse realizohet, me të drejtë konsiderohet si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme.

Mehmet GJATA

Projekti për ndërtimin e kapaciteteve energjetike solare 100 megavatësh në sipërfaqe të tokave djerrë të termocentraleve Kosova A, ide e zyrtarëve të KEK-ut, e lansuar që në janar të vitit 2022, pas një “harrese” afro 16 muajsh, këto ditë sërish u vu në qendër të vëmendjes te publiku kosovar, dhe sidomos te njohësit e zhvillimeve të energjisë së rinovueshme.

Reklama e sponzorizuar

Me 12 maj Qeveria e Kosovës, më në fund, ka lansuar ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 Mw në vlerë 75 milionë euro. Lansimi i këtij ankandi ç’është e vërteta, ishte paraparë të bëhet që në fund të vitit të kaluar, pastaj edhe në këta muajt e 2023-tës u shty pa shpjegime nga zyrtarët disa herë.

Sidoqoftë, më në fund nisi një aktivitet për të ndërtuar një kapacitet të energjisë së rinovueshme, pas një ngurrimi të autoriteteve kompetente disa mujore. Dhe ky investim i synuar, nëse realizohet, me të drejtë konsiderohet si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme. “Shpalljen e këtij ankandi tonë të parë po e bëjmë në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë kur po marrim një ndër hapat kryesor drejt tranzicionit tonë të gjelbër dhe investimeve më të mëdha në sektorin tonë të energjisë, ndër dekada… Ky është hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, kushtet janë që të vijnë investitorët”, tha me këtë rast kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Por, kryeministri as ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe as zyrtarë të tjerë, prezentë në konferencë për medie, nuk e thanë asnjë fjalë për shkaqet e shtyrjes kaq të gjatë (16 muaj që nga plasimi i informacionit për nismën e KEK-ut për të ndërtuar një kapacitet energjetik solar 100 megavatësh në sipërfaqe të tokave të termocentraleve Kosova A). Në janar të 2022-tës, saktësisht, ishte paraparë që ky stabiliment për prodhimin e energjisë elektrike në bazë të diellit, të ndërtohet në deponinë e hirit të termocentraleve Kosova A, tokë që në sipërfaqe goxha të madhe është djerrë. Kjo nismë nga Kompleksi Elektroenergjetik i Kosovës, e bërë atëherë publike edhe nga mediet kosovare dhe nga udhëheqja e KEK-ut, u vlerësua nga opinioni dhe nga ekspertët si një ide e mirë, e qëlluar dhe u mirëpritë dhe u përshëndet me dashamirësi gjithandej në opinionin e vendit. U tha pa ngurrim nga analistë, njohës të zhvillimeve energjetike, nga qytetarë të rëndomtë dhe aty – këtu edhe nga zëra zyrtarë se është e favorshme dhe gjithanshëm e mirë, dhe jo vetëm që përkon me momentumin e qëlluar, kur kriza energjetike ishte shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.

Prandaj, opinioni kërkonte që ideja e KEK-ut të nisë të jetësohet sa më parë, madje me urgjencë, duke insistuar që të përfundojnë sa më shpejtë të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë vendosja e paneleve solare në deponinë e KEK-ut, në tokën djerrë të Kosovës, që në janar vinte sikur e porositur për këtë dedikim.

Sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, nga ana e KEK-ut janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë (në janar të vitit 2022), ku përveç investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, përfshiheshin edhe projekte për energjinë e ripërtëritshme. Konkretisht nga KEK-u atëherë kërkohej të zhvillojë një park solar 100 MW në një nga ish-deponitë e ‘Kosova A’, dhe në KEK besonin se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të jetë gati brenda një viti.

Zyrtarët e KEK-ut mendonin se po të përshpejtoheshin të gjitha punët për ta përmbyllur sa më shpejtë këtë nismë, realizimi i këtij projekti, së paku i gjysmës së tij, nuk duhet të zgjatej më shumë se një vjet. Kjo ide u mirëprit dhe u përkrah gjithanshëm. U vlerësua se nëse del të jetë serioze nisma e KEK-ut dhe nëse ka vendosshmëri tek autoritetet, më në fund, pas një ngurrimi çuditërisht të gjatë dhe të pakuptueshëm për të qenë më kërkues nga vendimmarrësit për iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme, po ndodhë diçka, së paku dikush po preokupohet dhe së paku po sheshohen mundësitë për të pasur një kapacitet sa më të madh të energjisë solare në Kosovë.

Dhe, mundësi ka, u tha nga njohësit e potencialeve të energjisë së rinovueshme që ka Kosova. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të tjera të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Por, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u, i parashikuar të ndërtohet në tokën djerrë (deponinë e madhe sa një kodër e tërë e krijuar nga hiri i qymyrit të djegur në termocentralet tona) me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), dhe me një kosto ndjeshëm më të vogël se sa kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, për gjithë këtë kohë, që nga janari i 2022-tës, u hesht pashpjegueshëm. U heshtë për gjithë këta muaj edhe pse nga njohës të ecurive energjetike në vend, u vlerësua se nisma ishte e mirëseardhur edhe për të shërbyer si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare, edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës.

Askush më nuk do të kishte mundësi të mohonte se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestonte me retorikën se “kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës”. Duhet thënë se Kosova mbase nuk i ka kushtet ndër më të mirat në botë për këtë lloj energjie, por ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit për të prodhuar rrymë për nevojat e veta. Dhe, nisma e procedurave për të nis më në fund edhe ndërtimin e këtij këtij impianti solar për sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe për vendin në përgjithësi, nuk duhet të mbetët vetëm në letër dhe e vlerësuar si ide e mirë dhe e mirëpritur. Kjo nismë, ndërtimi i kapacitetit energjetik solar 100 megavatësh në sipërfaqet djerrina të Kosovës duhet të bëhet urgjentisht, një orë e më parë.

Më në fund, edhe nëse nuk paraqiten investitor serioz në këtë ankand. Ky kapacitet duhet të ndërtohet patjetër dhe shpejtë, Kosova mund të bëjë këtë punë. Edhe veç me mjete të veta. Ka mundësi edhe financiare. Pse mos të orientohen ca nga parat e dedikuara për investime kapitale, të cilat nuk janë shpenzuar dhe nuk po shpenzohen, në ndërtimin e këtij kapaciteti të energjisë së rinovueshme dhe të tjerëve të nevojshëm.

Por, edhe KEK-u me mjete të veta do të mund të kontribuonte në realizimin e këtij impianti solar. Paratë e realizuara nga eksporti i tepricave (gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të KEK-ut, janë realizuar diku mbi 117 milionë euro), shumë më mirë do të ishte të destinohen në realizimin e projektit të përmendur. Prandaj, ndërtimi i Parkut Solar 100 megavatësh në djerrinat e deponisë së hirit pranë termocentraleve Kosova A duhet të bëhet. Kjo është domosdoshmëri, është ekzistencë, është kushtë për këtë Qeveri./Buletini Ekonomik