Kosova, si kurrë më parë, po rrezikohet nga mungesa e fuqisë punëtore. Shumë biznese e kompani kanë mbetur pa krahun e punës. Por, ikja më e madhe pritet të ndodhë në fillim të vitit 2024, kur edhe hiqen vizat. Aktualisht ka filluar të ndodhë edhe diçka tjetër në shtetin më të varfër në Europë, punëtorët po zëvendësohen me robotë. Këtë tashmë e kanë bërë disa kompani.
Japonia është ndër shtetet më të zhvilluara në botë, por edhe shteti me popullsinë më të vjetër dhe ky fakt po shkakton mungesë të fuqisë punëtore.
Me gati një të tretën e popullsisë mbi 65 vjeç, gjetja e punëtorëve është kthyer në një sfidë në këtë shtet.
Por, në këtë vend, prej një kohe të gjatë, kompanitë i janë drejtuar teknologjisë si një zgjidhje, duke “punësuar” robotë në vend të punëtorëve.
E kjo ka filluar të praktikohet edhe mijëra kilometra larg këtij shteti të zhvilluar, në Kosovë. Tashmë bizneset e kompanitë që operojnë në Kosovë kanë filluar “punësimin” e robotëve.
Këtë fakt e ka pohuar vetë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, se shumë biznese prodhuese kanë qenë të detyruara që të blejnë pajisje të automatizuara, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore.
Rafuna përmendi shembullin që një kompani e prodhimit të karrigeve ka blerë tre robotë për të zëvendësuar katër punëtorë.
“Shumica e bizneseve, për shkak të fuqisë punëtore, janë detyruar të riorganizohen. Kur them riorganizim, e kam fjalën se kanë qenë të detyruar të blejnë pajisje, të cilat janë të automatizuara, që të mos varen shumë nga fuqia punëtore”. Sipas tij, kjo ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së cilësisë së prodhimit.
“Kjo ka ardhur edhe si rezultat e rritjes së cilësisë së prodhimit, rritjes së standardit, por më shumë si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore. E vizitova një prodhues tonin të karrigeve.
Ai më tregoi se ka pasur katër punëtorë fizikë, që kanë lyer në mënyrë mekanike, ndërsa tani ka sjellë tre robotë që bëjnë ngjyrosjen e karrigeve”.
Sipas tij, bizneset në Kosovë po riorganizohen.
“Domethënë, ai nuk është më i varur prej fuqisë punëtore fizike, se atë punë ia kryejnë robotët. Kjo i ka shtyrë bizneset që të riorganizohen dhe ta kalojnë sa më lehtë mungesën e fuqisë punëtore”.
Shtrenjtimin e energjisë elektrike, Rafuna e ka parë si sfidën kryesore me të cilën po përballen bizneset, bashkë me mungesën e fuqisë punëtore.
“Frika ka qenë gjatë periudhës së dimrit se a do të ketë energji elektrike dhe nëse do të rritet çmimi. Askush nuk e ka pritur që në pranverë, kur rriten temperaturat dhe ulet konsumi, të rritet çmimi i energjisë elektrike. Sfida e dytë për prodhuesin është mungesa e fuqisë punëtore, e kualifikuar dhe e pakualifikuar. Sfida e tretë, duhet më shumë subvencionime nga Qeveria”.
Një robot sa katër punëtorë
Një robot ka zënë vendin ku deri tani punonin katër punëtorë. Për 8 orë, ata që e kishin fatin të punojnë në këtë vend, thasët 25 kilogramë nuk u janë ndarë gjithë ditën nga dora. Në kompaninë për prodhimin e llaçit, ku menaxher është Shpend Gashi, po shtohen robotët.
“Është një punë shumë e rëndë, kemi bërë kërkesë e kemi blerë robotin, e kemi sjellë këtu. Tashmë, ata punëtorë që kanë punuar më herët janë duke punuar diku tjetër, i kemi sistemuar. Roboti i merr thasët aty edhe i sjell këtu”, ka thënë Gashi, menaxher në një biznes në Kosovë.
Ai thotë se me instalimin e këtij roboti është shtuar shitja dhe është përshpejtuar prodhimi me 40%. “Pa robot, muaji na ka kushtuar diku 2000 euro për katër punëtorë mesatarisht, por tashmë me robot diku brenda një viti ose një viti e gjysmë do të kthehet investimi”.
Për dy vite, 10 robotë të instaluar
Kurse inxhinieri dhe themeluesi i kompanisë së vetme për furnizim me robotë në Kosovë, Valmir Hoxha, thotë se vetëm dy vitet e fundit ka instaluar 10 robotë në kompani të ndryshme, periudhë e cila ka shtuar fitimin dhe numrin e punëtorëve.
“Pothuajse në të gjitha kompanitë që kemi instaluar robotë, kam informata të sakta nga pronarët dhe punëtorët atje që realisht, pas instalimit të robotit, nuk është liruar asnjë punëtor nga puna.
Kjo do të thotë se është ristrukturuar kompania, ku është larguar pjesa e vështirë e punës. Është rritur vëllimi i punëve edhe dalja (shitja) e kompanisë ka qenë më fitimprurëse”.
Hoxha tregon se kohëve të fundit janë shtuar kërkesat për robotë, kryesisht për punë të rënda, të cilat deri tani janë kryer nga punëtorët.
“Po ashtu, edhe për punët të cilat janë monotone, për shembull zhvendosja e një elementi prej një pike në pikën tjetër.
Robotët porositen dhe shërbejnë. Edhe për punë të tjera që lirojnë gazra të ndryshme, për shembull saldimi emeton gazra dhe nuk është i mirë për shëndetin, edhe aty ka një zbatim shumë të mirë, që realisht i mbron njerëzit në aspektin shëndetësor”.
Punëtorët po ikin, Kosova po mbetet “vetëm me të moshuar”
Aktualisht, në sektorin privat në Kosovë, paga mesatare është 419 euro, ndërsa në sektorin publik, rreth 300 euro më e lartë. Ndër faktorët që vazhdimisht ka ndikuar në ikjen e fuqisë punëtore është mungesa e vendeve të punës dhe pagat e ulëta.
Për arsye të ndryshme, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, mbi 42 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova vetëm brenda një viti.
Kryetari i Federatës Sindikale të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka thënë se gjendja e punëtorëve nuk po ndryshon prej vitesh të tëra.
“…ne jemi nën minimum me këtë që po ndodh realisht.
Po flas për këtë qeveri, e cila ka premtuar shumë. Edhe qeveritë e tjera kanë premtuar megjithatë, kjo ka premtuar më shumë sesa të gjitha të tjerat, dhe së paku as premtimin minimal nuk e ka bërë. As dialogun që duhet ta bëjë; dialogun…jo serioz, po as në mënyrën më të thjeshtë nuk e ka bërë”.
Gjersa ka deklaruar se Kosova do ta paguajë faturën me humbjen e rinisë së saj, Azemi ka thënë se njerëzit tashmë kanë filluar të largohen dhe se një gjë e tillë, po vërehet dukshëm.
“Vetëm ata që nuk kanë asnjë dijeni lidhur me këtë, përndryshe papunësia jo që do të rritet por realisht, gjendja është tepër alarmante dhe nuk ka shanse me u rrit papunësia. Sot fatkeqësisht e kemi në nivelin më të ulët. Njerëzit që kanë së paku një kualifikim tashmë kanë ikur.
Unë jam në terren çdo ditë dhe po e shoh siç është gjendjen, fatkeqësisht është diçka e rëndë. Por, frikësohem që nëse edhe në 4-5 vjetët e ardhshme vazhdon kështu, realisht nuk ke për të parë njerëz nën moshën 55-vjeçare që janë në Kosovë, këtë e vëren në çdo qendër”.
Se mungesa e rinisë në Kosovë do shkaktojë një hendek – pajtohet edhe ekonomisti, Naim Huruglica. Ky i fundit thotë se një gjë e tillë do të vihet re atëherë kur objektivat nuk do të arrihen të përmbushen nga kompanitë.
“Ka me qenë shumë vështirë sepse njerëzit që po ikin kanë një profesion, një zanat. Domethënë nuk po ikin vetëm ata të cilët nuk janë të punësuar, sepse nëse ikin të papunët, siç thotë një fjalë, mund të ketë më pak efekte ekonomike, por po ikin edhe ata që kanë profesion e zanat”. Ai thotë se s’ka kohë më për të gjetur punëtorë.
“Do të jetë e vështirë, sepse nuk kemi kohë të gjejmë punëtorë. Tregjet e jashtme vetëm aziatike ose të mos të them afrikane, por me sa jam në dijeni, kompanitë e Kosovës nuk kanë lidhje të mirë që do mund t’i zëvendësonin punëtorët kosovarë, do të jetë një handikap ikja e tyre. Ajo do të vërehet tek shumë kompani që nuk do të munden t’i realizojnë objektivat e tyre”.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se rreth 100 mijë të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk ndjekin as shkollën, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar.
Të dhënat kanë treguar po ashtu, se nga mbi 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë.
Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë është 16.6%.
Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje. Sipas ASK-së, në vitin 2021, nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur shpërtheu pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 persona; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.