Rreth 18 komuna nuk do të përfitojnë asnjë cent nga niveli qendror për projekte të reja të investimeve kapitale. Kështu ka thënë për Radio Kosovën drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Oda Ekonomike Amerikane konsideron se mos investimi në projekte kapitale do të ndikojë në normën e rritjes ekonomike. Ndërsa njohës të ekonomisë thonë se kjo do të ketë ndikim të gjerë te qytetari dhe biznesi.
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për Radio Kosovën se gjatë takimit me kryeministrin e vendit ndër temat kryesore të diskutimit ishte themelimi i grantit 4 që do të krijonte barazi financiare për komunat e Kosovës. Ai tha se rreth 18 komuna nuk do të përfitojnë këtë vit asnjë cent nga niveli qendror.
“ Kryetarët e komunave po kërkojnë që sa më parë të themelohet ky grant sepse në disa raste ata po mendojnë se ka pabarazi financiare ndaj komunave për zhvillimin e projekteve kapitale, gjithashtu në Ligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2023 shihet se rreth 18 komuna nuk do të përfitojnë këtë vit asnjë cent nga niveli qendror për projekte të reja për investime kapitale”, tha Ibrahimi.
E kryetari i Odes Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, po për radion tonë ka thënë se mos investimet në projektet kapitale, pashmangshëm do të ndikojnë në normën e rritjes ekonomike.
“Në raportet e organizatave ndërkombëtare është thënë se rritja ekonomike që e ka karakterizuar Kosovën përgjatë viteve të fundit ka qenë rezultat i konsumit dhe rrjedhimisht ndikimit të remitencave të diasporës, por në të njëjtën kohë edhe si rezultat i investimeve kapitale. Nëse investimet kapitale qenkan njëra prej dy shtyllave më të rëndësishme të vendit, automatikisht konkludojmë se moskryerja e investimeve kapitale ose mos shpenzimi i këtyre mjeteve të cilat janë paraparë për investime kapitale brenda një viti të caktuar buxhetor, pashmangshëm se do të jenë ndikim edhe në normën e rritjes ekonomike”, tha Zeka.
E profesori i Ekonomisë, Fadil Osmani, konsideron se çdo para e cila nuk qarkullohet, mund të quhet keqmenaxhim.
“Mund të themi lirisht se çdo para e cila nuk hyn në qarkullim, nuk mund të quhet ndryshe përveç jo mirë menaxhim, dhe kjo pjesa e mos investimeve në mjete kapitale, ka lënë pa e futur paranë në qarkullim. Mendoj se kjo ka ndikuar edhe të pjesa tjetër e qytetarëve apo komunitetit të biznesit që të marrin kredi e që ka rezultuar që vetëm në tre mujorin e parë janë rreth 70 mijë klientë që janë drejtuar në banka për të marrë kredi”, tha Osmani.
Sipas raportit të Institutit GAP, nga gjithsej afro 811 milionë euro sa pritet të jenë investimet kapitale, 611 milionë euro apo 75% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe rreth 200 milionë euro janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Nga kjo shumë për projekte të reja, rreth 26%, përkatësisht 51 milionë euro janë të alokuara për nivelin qendror, kurse pjesa tjetër për nivelin lokal. Nga 51 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna.