Prokuroria ngre aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur sot aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Përmes një njoftimi për media, prokuroria ka njoftuar se i pandehuri akuzohet për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

Prokuroria ka treguar se Agron Mustafa dyshohet se i shkaktoi kompanisë dëm afër 7 milionë euro

Reklama e sponzorizuar

Pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 3 maj 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 dhe 1.5 të Kodit Penal të Kosovës”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, ka dëmtuar këtë kompani.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”, është thënë në në njoftim.