Punët që Inteligjenca Artificiale nuk mund t’i zëvendësojë

Pyetjes: “Cilat punë nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë Inteligjenca Artificiale?”, vetë platforma ChatGPT i përgjigjet kështu:

Punë që kërkojnë gjykim dhe vendimmarrje njerëzore;

Punë që kërkojnë komunikim të shumanshëm;

Reklama e sponzorizuar

Punët që kërkojnë inteligjencë emocionale dhe shoqërore;

Punët që kërkojnë krijimtari dhe inovacion;

Punët që kërkojnë shkathtësi fizike dhe lëvizshmëri.

Duke pasur parasysh që ChatGPT dhe format e tjera të IA gjeneruese (generative AI), krijojnë rezultatin e tyre duke sintetizuar atë që gjejnë në internet, nuk është çudi që përgjigjja përputhet me disa nga gjetjet në Raportin e Ardhmërisë së Punës të Forumit Ekonomik Botëror 2023 (World Economic Forum Future of Jobs Report 2023), një analizë e thelluar se si do të evoluojnë punët dhe aftësitë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Punët më të sigurta nga IA

Sondazhet e kryera për Raportin e Ardhmërisë së Punës tregojnë, se rritja më e lartë e vendeve të punës në 2023-2027, do të jetë për operatorët e pajisjeve bujqësore, për drejtuesit e kamionëve të rëndë dhe autobusëve, si dhe për mësuesit e arsimit profesional.

Në vendin e katërt pasojnë mekanikët dhe riparuesit e makinerive.

Kjo sugjeron se një nga avantazhet më të mëdha të trurit të njeriut ndaj IA, është fakti se ai është i lidhur me një trup të vërtetë njerëzor.

Në fakt, pritshmëritë, që puna fizike dhe manuale, mund të zëvendësohet nga makineritë, janë ulur dhe kompanitë e anketuara, kanë rishikuar vlerësimet e tyre për automatizim të mëtejshëm – ata mendojnë se 42% e detyrave mund të automatizohen deri në vitin 2027, krahasuar me parashikimet e vitit 2020, se 47% e punëve mund të automatizoheshin deri në vitin 2025.

Bujqësia

Sipas raportit të vitit 2023, pritet të ketë rritje prej 30% të vendeve të punës për profesionistët e bujqësisë në pesë vitet e ardhshme. Shprehur në shifra janë 3 milionë role të tjera.

Punëtorët në këtë fushë, kanë shumë më pak gjasa të ndikohen nga IA gjeneruese dhe Modelet e Gjuhëve të Programimit, si ChatGPT.

Arsyet e tjera përfshijnë shkurtimin e zinxhirëve të furnizimit, ku më shumë ferma të vogla do t’u shesin drejtpërdrejt konsumatorëve dhe jo përmes ndërmjetësve.

Rritja e përdorimit të teknologjive bujqësore dhe rritja e investimeve në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, po çojnë në rritjen e vendeve të punës në bujqësi.

Arsimi

Pritet rritje e vendeve të punës me 10% në industrinë e arsimit deri në vitin 2027, sipas sondazheve për Raportin e Ardhmërisë së Punës 2023. Kjo mund të nënkuptojë 3 milionë vende të tjera pune në arsimin profesional dhe të lartë.

“Kjo rritje është veçanërisht e përhapur në vendet, që nuk janë pjesë e G20-ës, ku pritet të jetë rreth 50% më e lartë se në vendet e G20-ës”, thuhet në raport.

Aftësitë më të kërkuara janë – siç përmendi ChatGPT – të menduarit analitik dhe krijues. Aftësi të tjera në krye të listës së dëshirave të punëdhënësve janë:

-Ndjeshmëria dhe dëgjimi aktiv;

-Motivimi dhe vetëdija;

-Aftësitë drejtuese dhe ndikimi shoqëror;

-Menaxhimi i talenteve;

-Orientimi i shërbimit dhe shërbimi ndaj klientit;

Këto janë të gjitha aftësi njerëzore, që mbeten jashtë grupit të aftësive të IA.

Zinxhiri i furnizimit dhe logjistika

Ashtu si në sektorin e bujqësisë, një zhvendosje drejt lokalizimit të zinxhirëve të furnizimit, pritet të jetë një nga krijuesit më të mëdhenj të punës në industrinë e logjistikës.

Megjithatë, kjo mund të shkaktojë gjithashtu disa humbje të vendeve të punës, për shkak të mungesave të furnizimit, rritjës së kostos së lëndëve të para dhe ngadalësimit të rritjes ekonomikë në mbarë botën, të paktën në një periudhë afatshkurtër.

Një rritje neto prej 2 milionë vendesh pune, ose 12.5% e fuqisë punëtore, pritet për sektorin e zinxhirit të furnizimit dhe logjistikës, sipas sondazheve për raportin e vitit 2023.

Tendencat në këtë fushë, po ndikohen nga mungesa e drejtuesve të kamionëve gjatë mesit të vitit 2022.

“E ardhmja e punonjësve të zyrave është më e kërcënuar sesa e ardhmja e shoferëve të taksive, sepse ne ende nuk kemi makina vetë-drejtuese, ndërsa IA mund të shkruajë raporte”, tha Martin Ford, autor i “Rule of the Robots: How Artificial Intelligence Will Transform Everything”.

“Në shumicën e rasteve, punëtorët më të arsimuar do të kërcënohen më shumë se punëtorët më pak të arsimuar. Mendoni për pastruesit e dhomave të hotelit – është vërtet e vështirë ta automatizosh atë punë.”

Në përgjithësi, 50% e organizatave, presin që IA të krijojë rritje të vendeve të punës, ndërsa vetëm 25% e shohin atë si shkaktare të humbjeve të vendeve të punës, thotë raporti.

Ndërsa ChatGPT, e pyetur nëse do të krijohen apo humbasin më shumë vende pune për shkak të IA, përgjigjet:

“Ndikimi i IA në krijimin ose humbjen e vendeve të punës, është një çështje e ndërlikuar dhe e shumëanshme, dhe përgjigja do të varet nga faktorë të ndryshëm si industria specifike, lloji i punës dhe niveli i zbatimit dhe përshtatjes së teknologjisë së inteligjencës artificiale.” / World Economic Forum

 

Statistic showing different technologies and their impact on job creation.