Pse çmimet enorme të larta janë problemi kryesor i kosovarëve?

Gjithandej nga shumë vende të botës raportohet tashmë për tendenca të tejdukshme të uljes së çmimeve, ose më së keqi të “betonimit” të tyre në nivelet e deritashme (dihet për uljen e theksueshme të çmimeve të karburanteve në tregjet e botës në muajt e fundit, por edhe për uljen e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare të energjisë shumëfish krahasuar me çmimet e rrymës gjatë shpërfaqjes së krizës energjetike në fund të 2021-tës dhe në muajt e parë të 2022-tës). Ndërsa, në republikën tonë ndodhë e kundërta e këtyre lëvizjeve të tregtimit të mallrave dhe të shërbimeve: Edhe më ngritën çmimet jashtë çdo logjike të ligjeve të tregut.

Mehmet GJATA

Tregu i Kosovës vazhdon të mbetet i veçantë sot e kësaj ditë edhe nga tregjet botëore edhe nga ato rajonale: Vazhdojnë të ngritën edhe më çmimet e shumë produkteve, veçmas të atyre elementare ushqimore, vazhdon të ketë kaos dhe anarki në sektorin e çmimeve dhe vazhdon mospërfillja totale e zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare e uljes së çmimeve të shumë produkteve. Gjithandej nga shumë vende të botës raportohet tashmë për tendenca të tejdukshme të uljes së çmimeve, ose më së keqi të “betonimit” të tyre në nivelet e deritashme (dihet për rënie të theksueshme të çmimeve të karburanteve në tregjet e botës në muajt e fundit, por edhe për rënien e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare të energjisë shumëfish krahasuar me çmimet e rrymës gjatë shpërfaqjes së krizës energjetike në fund të 2021-tës dhe në muajt e parë të 2022-tës).

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, në republikën tonë ndodhë e kundërta e këtyre lëvizjeve të tregtimit të mallrave dhe të shërbimeve: Edhe më ngritën çmimet jashtë çdo logjike të ligjeve të tregut. Brenda 13 muajve është ngritur 2 herë çmimi i energjisë elektrike, ndërsa ngritja e fundit, ajo në prill të këtij viti, që ZRRE e miratoi lehtësisht dhe me nguti, nuk kishte asnjë arsye të vetme që të bëhet, a asnjë bazë dhe faktor që do ta kushtëzonin çmimin e ri të rrymës, përveç tendencave të tejdukshme për rritje të neto-fitimeve të një pjese të zingjirit energjetik të vendit.

Ndërsa në Odën Ekonomike të Kosovës, vlerësojnë se stabilizimin e çmimeve në tregun kosovar (lexo uljen e çmimeve të shumë produkteve, edhe të atyre elementare ushqimore, siç po ndodhë në tërë botën) po e vonon pikërisht shtrenjtimi i fundit i energjisë elektrike. Në Kosovë nuk është duke vlejtur as rënia e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, që me automatizëm, në një farë mënyre, do të duhej të ndikojë në uljen e kostos së transportit të mallrave, përkatësisht në uljen e çmimeve aktuale të të shumë produkteve të ngritura deri tash me arsyetimin e çmimeve enorme të karburanteve. Dhe, më kot konsumatori kosovar kërkon dhe pret të ndodhë kjo ulje çmimesh që po ndodhë në tregjet e botës.

Ndërkohë, megjithë këtë anarki dhe kaos në tregun kosovarë, edhe më tutje nuk ka ndonjë veprim konkret, as vizion të shpërfaqur në opinion për, së paku, zbutjen e problemit. Pushteti, institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit e tyre vazhdojnë ta fajësojnë opozitën për fluksin e pandalur të ngritjes së çmimeve me pretekstin se “opozita ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për përcaktimin e çmimeve tavan për shumë produkte elementare ushqimore”, dhe që kur është dërguar në këtë gjykatë ky Ligj, pushtetit iu paskan ‘lidhur duart” dhe i është pamundësuar veprimet për të vënë ndonjë kontroll efikas në këtë sektor.

Në anën tjetër, opozita vazhdon ta akuzojë dhe të fajësoj vazhdimisht pushtetin aktual edhe për ngritjën e çmimeve, edhe për shkallën e lartë të inflacionit, duke e potencuar si faktorin e të gjitha të këqijave zingjirore të ngritjës së çmimeve është ngritja e fundit e çmimit të rrymës. Inflacionin e lartë që është shfaqur, sidomos gjatë 2022-tës, opozita e sheh, pos ndikimit nga tregjet ndërkombëtare, edhe të “dështimi i politikave të brendshme dhe paaftësinë e Qeverisë për të ndryshuar politikat fiskale. Në Kosovë, është duke ndodhur edhe një paradoks tjetër, që domosdo bëhet i diskutueshëm: Çmimet e një numri jo të vogël të produkteve të prodhuara në vend janë ose të barabarta, ose në disa raste ndjeshëm më të larta se sa produktet që vijnë nga importi. Prandaj, të gjitha këto paradokse bashkarisht, dhe në veçanti çmimet enorme të larta dhe si rrjedhojë kostoja e jetesës, e bërë thuaja e papërballueshme për pjesën dërrmuese të kosovarëve (shtresat e varfëra sidomos, por edhe ato të mesmet që goxha shpejtë po varfërohen) i shohin si probleme ndër më kryesorët.

Këtë vlerësim e dëshmon me gjetjet e matjes së opinionit publik në Kosovë për çështje të ndryshme në vitin 2023, Organizata joqeveritare amerikane “Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) ”. Në tabelat e publikuara nga IRI është bërë edhe krahasimi me gjetjet e matjes së opinionit publik në Kosovë të vitit 2021. Në pyetjen e hulumtimit të IRI se “cili mendoni se është problemi kryesor me të cilin po përballet Kosova ?”, në vitin 2021 vetëm 15 % e kishin përzgjedhur koston e jetesës dhe çmimet e larta. Ndërsa, përqindja në matjet e vitit 2023 në këtë pyetje është rritur mbi 4 herë, përkatësisht me 2023 rreth në 68 për qind të të anketuarve mendon se kostoja e jetesës dhe çmimet e larta janë problemi kryesor i Kosovës.

Si problem numër dy vazhdon të jetë ekonomia dhe papunësia. Në vitin 2021 këtë shqetësim e kishin shprehur 77% e të anketuarve, ndërsa në vitin 2023 kjo përqindje është ulur në 57 %. Korrupsioni ndërkohë ka shënuar një rënie në listën e shqetësimeve të kosovarëve. Nga 29 % në vitin 2021, tashmë atë si shqetësim e kanë parë vetëm 8 % e të anketuarve.

Sidoqoftë, në Kosovë megjithë këto alarme që i shpërfaqin qytetarët e Kosovës për pasojat e ngritjës së egër, të pakontrolluar të çmimeve dhe megjithë gjetjet nga matjet e opinionit publik për problemet kryesore që e shqetësojnë shoqërinë kosovare, vazhdojnë të ngritën çmimet jashtë logjikës dhe rregullave të ligjeve të tregut. Dhe, nëse në ndonjë sektor nuk ka ndonjë rritje enorme çmimesh e që të bie në sy, ato tashmë thuaja se janë çimentuar dhe nuk lëvizin në asnjë mënyrë kah ulja eventuale, edhe pse rënia e çmimit të naftës në tregjet botërore ka kohë që është evidente, e cila ishte në një farë mënyre përcaktuese e çmimeve të larta.

Në Kosovë, nuk ka ulje çmimesh thuaja në asnjë grupacion produktesh. Nuk ka ulje çmimesh fare as te produktet elementare ushqimore (përkundrazi ka ngritje edhe kohëve të fundit), dhe vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejtë në degradimin e tejdukshëm të mirëqenies së kosovarëve shumicë. Më konkretisht, buka, energjia elektrike, mielli, vaji, kripa, sheqeri e disa mallra të tjera, të cilat edhe kohëve të fundit janë tregtuar me çmime të ngritura, kanë ndikim të drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve të këtij vendi.

Ndërsa ngritja e javëve të fundit e çmimeve të këtyre produkteve, sipas njohësve të këtij sektori, është thjesht manipulim i egër i tregtarëve të pandërgjegjshëm, që duan ta shfrytëzojnë situatën për t’u pasuruar pa zgjedhur mjetet. Është manipulim, sepse nuk qëndron arsyetimi tyre se gjoja ka ngritje çmimesh në tregjet prej nga importojnë këto produkte. Nuk ka ngritje çmimesh në tregjet prej nga importojnë tregtarët kosovar, përkundrazi ka ulje çmimesh.

Prandaj, profesori i ekonomisë, njohës i mirë i ekonomisë, Nagip Skënderi, në një prononcim për medie, e ka emërtuar inflacionin te ne si inflacion abuziv, pasi që, sipas tij, është rrjedhojë kryekëput e ngritjeve abuzive të çmimeve dhe nuk është një inflacion real. Inflacioni sipas ASK-së (Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin prill) ishte 6.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Në këtë muaj, sipas ATK-së “ngritje të çmimeve të konsumit ka pasur te pajisjet telefonike dhe të telefaksit me 27.2 për qind, shërbime për transport me 5.6 për qind, veshje dhe këpucë me 1.5 për qind, pije alkoolike me 1.5 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 1.2 për qind dhe pemë me 0.8 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind”.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka thënë se inflacioni, i cili arriti kulmin në 14.2 për qind në korrik të 2022-tës, erdhi si rezultat i rritjes të kostos së transportit, çmimit të energjisë dhe çmimit të ushqimeve. Situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara. Jo vetëm që nuk e suspendoi akcizën në naftë për një kohë, por Qeveria nuk e uli as TVSH-në nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni. Sipas Hotit, “eksportet u rritën me 27%, por për shkak të bazës së ulët nuk kishin efekt të ndjeshëm në uljen e deficitit tregtar. Në anën tjetër, importet u rritën me 22%, dhe për shkak të madhësisë së tyre, deficiti tregtar u thellua edhe për 1 miliardë euro. Kjo është indikative se në tregun vendor ende nuk ka rritje substanciale të prodhimit vendor, siç trumbetohet nga qeveritarët, ndërsa gjatë pjesës së parë të mandatit qeverisës, Qeveria Kurtit, nuk ka bërë punë efektive sa i përket punësimit, uljes së inflacionit apo rritjes së ekonomisë”.

Ndërsa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të hënën “e ka vizatuar” rritjen e çmimeve me një grafik dhe e ka shoqëruar “vizatimin” me një një legjendë ku shkruan se “çfarë është blerë me 105 euro në shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127 euro”. Nëse është fakt se në inflacionin e ngritur, (sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vendi e përmbylli vitin me normë mesatare të inflacionit afro 12 për qind), ndikimin kryesor e ka ngritja e vazhdueshme e çmimeve të shumë mallrave, siç është rasti te ne, dhe nëse vazhdon kjo ngritje çmimesh, siç ndodhi në këta muaj të 2023-tës, del të jenë të diskutueshme dhe të pa realizueshme parashikimet optimiste “se sivjet do të ndodhë ulje e inflacionit”. Mirëpo, del të jetë i diskutueshëm edhe optimizmi i ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili të hënën ka thënë se çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit, duke shtuar se “ka edhe shume produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales, kryesisht si rezultat i marzhave të larta të fitimit që po aplikojnë tregtarët”.

“Nafta tashmë është kthyer në nivelin 1.15-1.25 euro/litër, e njësoj kanë filluar të bijnë edhe çmimet e produkteve tjera. Një litër vaj ushqimor tani mund të blihet edhe me 1.20 euro, kurse gruri ka prekur nivelin e para disa viteve me 0.22 euro/kg”, ka theksuar Murati, duke fajësuar LDK-në për dërgimin e “Ligjit për çmimet tavan” në Kushtetuese, me të cilin veprim, sipas tij, është bllokuar ky Ligj. Pavarësisht deklaratave pozitë-opozitë rreth ecurive të çmimeve në Kosovë, dhe ndikimit të tyre në mirëqenien e kosovarëve, nëse vazhdon sikundër në këta muaj ngritja anarkike, pa asnjë logjikë të tregut e çmimeve, shtrohet dilema e madhe se si do të ketë ulje të inflacionit në këtë vit. Nuk ka asnjë mundësi që të bëhet ulja e inflacionit duke u ngritur çmimet e shumë produkteve të përditshme dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër, por as për objektivat e zhvillimit ekonomik të Kosovës, të parapara të jenë ndërmjet 3 dhe 4 për qind. /Buletini Ekonomik/