Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka bërë një përmbledhjeve të gjetjeve të Anketës AHK Konjukturumfrage për Kosovën, të cilat u prezantuan dje në një ngjarje ku morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Sipas OEGJK’së, 85% e të anketuarve shprehën gatishmërinë e tyre për të investuar në Kosovë sot, derisa 15% deklaruan se nuk do të investonin më në Kosovë.
Qeverisë i është bërë thirrje të ndërmarrë veprime vendimtare, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, derisa një nga shqetësimet kryesore të shprehura nga kompanitë e anketuara është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, raporton Express.
“Kur të anketuarve nga 15 vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore iu kërkua të vlerësojnë atraktivitetin e Kosovës si destinacion investimi në shkallën 1 deri në 6 (1 është shumë tërheqës dhe 6 jo tërheqës), Kosova mori një rezultat prej 4.55, duke u renditur në vendin e 16-të. nga 16 vendet e vlerësuara”, thuhet në njoftim.
Anketa e realizuar mes datave 13 Shkurt dhe 17 Mars 2023, krahason ekonomitë e 16 shteteve, dhe ofron njohuri të vlefshme për situatën ekonomike, klimën investuese dhe perspektivat e biznesit në Kosovë, si dhe shërben si mjet thelbësor në vlerësimin e klimës ekonomike në Kosovë. Në anketë morën pjesë 1.620 CEO në 16 shtete, prej të cilave 103 ishin nga kompanitë kosovare me fokus në kompanitë gjermane dhe biznese të orientuara nga eksporti.
Gjetjet theksojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës përkundër sfidave të jashtme. Për të mbështetur zhvillimin ekonomik, bizneset besojnë se qeveria duhet të ketë prioritet reformat, të luftojë korrupsionin, të përmirësojë infrastrukturën, dhe të investojë në edukim dhe arsim profesional. Ndër të tjera kompanitë pjesëmarrëse bënë kërkesë që Kosova në mënyrë proactive të marrë masa për të tërhequr më shumë investime dhe për të promovuar rritjen ekonomike afatgjate.
Pjesëmarrëse në këtë ngjarje ishin përfaqësues të institucioneve lokale, ndërkombëtare dhe CEO-t e kompanive anëtare Premium të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Përmbledhje e gjetjeve të anketës:
Situata aktuale ekonomike
Në vitin 2023, ekonomia e Kosovës u rikuperua plotësisht nga gjendja e mëparshme, por kjo rimëkëmbje u pengua nga lufta në Ukrainë, e cila shkaktoi edhe përçarje në ekonominë e Kosovës. Shumica e kompanive të anketuara parashikojnë zhvillim pozitiv ekonomik. Pavarësisht këtyre sfidave, një numër i konsiderueshëm i kompanive të anketuara parashikojnë zhvillime positive, si në situatën e përgjithshme ekonomike ashtu edhe në industritë e tyre. Përafërsisht 57% e të anketuarve presin përmirësime në industrinë e tyre brenda 12 muajve të ardhshëm, ndërsa 12% parashikojnë një rënie.
Punësimi dhe Investimet
Pavarësisht pengesave të paraqitura nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, kompanitë e anketuara shfaqën një këndvështrim pozitiv për sa i përket rritjes së punësimit dhe investimeve. Ndër të anketuarit, 58% presin nivele më të larta të punësimit në krahasim me vitin 2022, ndërsa 35% nuk kanë plane për të reduktuar vendet e punës, dhe 7% parashikojnë ulje të punësimit. Sa i përket investimeve, 66% e të anketuarve synojnë të rrisin investimet në kompanitë e tyre, ndërsa 28% nuk kanë plane të menjëhershme për zgjerim dhe 6% planifikojnë të reduktojnë investimet.
Sfidat e ndërlidhura me luftën në Ukrainë
Gjatë periudhës së anketimit, ishte evidente se lufta në Ukrainë pati pasoja afatshkurtra dhe afatgjata për shumë kompani. Përafërsisht 73% e kompanive të anketuara përmendën rritjen e kostos si pengesë, ndërsa 27% parashikuan ndërprerje në disponueshmërinë e inputeve për operacionet e tyre. Për më tepër, 33% theksuan pengesat ose ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit si sfida që prekin operacionet e tyre të biznesit.
Adresimi i mungesës së punëtorëve të kualifikuar
Një nga shqetësimet kryesore të shprehura nga kompanitë e anketuara është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Vetëm 11% e të anketuarve u shprehën të kënaqur me disponueshmërinë aktuale të punëtorëve të kualifikuar. Për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ka nevojë për rritje të investimeve në edukim dhe aftësim profesional.
Veprimet e nevojshme të qeverisë për përmirësime
Anketa vlerësoi 21 faktorë që përcaktojnë cilësinë e Kosovës si destinacion investimi, duke zbuluar disa fusha që kanë nevojë për përmirësim. Faktorë të tillë si efikasiteti i administratës publike dhe aksesi në subvencione publike morën vlerësime të përziera të kënaqësisë. Konkretisht, vetëm 19% e kompanive janë shprehur të kënaqura me efikasitetin e administratës publike, ndërsa 18% janë shprehur të pakënaqur. Në mënyrë të ngjashme, vetëm 15% e kompanive të anketuara ishin të kënaqura me qasjen në subvencione publike, me 31% të shprehur të pakënaqur.
Luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i infrastrukturës
Qeverisë së Kosovës i është bërë thirrje të ndërmarrë veprime vendimtare, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Përveç këtyre përpjekjeve, përmirësimi i infrastrukturës në fusha si transporti, komunikimi dhe energjia, rritja e cilësisë së sistemit të arsimit dhe edukimit profesional dhe sigurimi i disponueshmërisë së punëtorëve të kualifikuar konsiderohen si detyra thelbësore për qeverinë.
Atraktiviteti si destinacion për investim
Kur të anketuarve nga 15 vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore iu kërkua të vlerësojnë atraktivitetin e Kosovës si destinacion investimi në shkallën 1 deri në 6 (1 është shumë tërheqës dhe 6 jo tërheqës), Kosova mori një rezultat prej 4.55, duke u renditur në vendin e 16-të. nga 16 vendet e vlerësuara.
Përkushtimi ndaj Kosovës Një shumicë dërrmuese e të anketuarve, 85%, shprehën gatishmërinë e tyre për të investuar në Kosovë sot. Megjithatë, 15% deklaruan se nuk do të investonin më në Kosovë.