Studime të padobishme; A ia ka vlejtur barra qiranë diploma juaj?

Shumë degë universitare kanë përfitime shumë të vogla financiare, shkruan The Economist.

A ia vlen universiteti? Kjo pyetje dikur dukej e kotë. Për dekada të tëra, të rinjtë në vendet e pasura janë dyndur drejt arsimit të lartë.

Qeveritë e kanë konsideruar arsimin e lartë si një ndihmë për lëvizshmërinë sociale dhe rritjen ekonomike.

Megjithatë, ndërsa tarifat po rriten dhe fitimet e të diplomuarve kanë mbetur në vend, edhe zhgënjimi po shtohet.

Reklama e sponzorizuar

Një sondazh i publikuar nga Wall Street Journal më 31 mars, tregon se kriza e besimit është përkeqësuar: 56% e amerikanëve tani besojnë se një diplomë nuk ia vlen më kohën dhe paratë e shpenzuara për të.

Sidoqoftë, të paktën për një student mesatar, kjo nuk është në përputhje me faktet. Në shumicën e vendeve, për shumicën e studentëve, përfitimet financiare të arsimit të lartë mbeten jashtëzakonisht të mira.

Megjithatë, marrja e një diplome është bërë më e rrezikshme. Shpërblimet për studentët më të shkëlqyer po rriten, por gjithashtu një pjesë e madhe e studentëve po pësojnë humbje fitimesh nga studimet e tyre.

Të dhënat e reja, si të dhënat tatimore, po e vënë në dukje këtë pabarazi si kurrë më parë. Ato mund të gjurmojnë sa fitojnë më vonë studentët që ndjekin degë të posaçme, në institucione të posaçme.

Me kalimin e kohës, këto hollësi do t’i ndihmojnë studentët të shmangin humbjen e fitimeve dhe të zgjedhin fusha më fitimprurëse.

Zgjedhja e lëndës dhe diplomimi në kohë kanë rëndësi të madhe; zgjedhja e institucionit ka disi më pak rëndësi. Mund të jetë gjithashtu e dobishme që qeveritë të gjurmojnë “diplomat me vlerë të ulët”.

Rritja e të ardhurave të të diplomuarve u vu re në vitet 1980 në vendet e pasura. Në atë kohë, filloi të zgjerohet diferenca midis pagave të njerëzve që kishin të paktën një diplomë bachelor dhe atyre që nuk e kishin atë.

Në vitet 1970, një amerikan me arsim universitar, fitonte mesatarisht 35% më shumë se një i diplomuar me shkollë të mesme. Deri në vitin 2021, kjo diferencë ishte rritur në 66%.

Kohët e fundit, diferenca e pagës së të diplomuarve, në shumë vende, ose ka ngecur, ose ka filluar të bjerë. Dhe në vendet ku studentët paguajnë për të shkuar në universitet, kostot janë rritur (shih grafikun 1).

Shkollimi në Angli është rritur nga falas në fund të viteve 1990, në 9,250 £ (11,000 dollarë) në vit, më i larti në vendet e pasura.

Në Amerikë, tarifa nga xhepi për një student mesatar në nivelin bachelor u rrit nga 2,300 dollarë në vit në vitet 1970, në rreth 8,000 dollarë në vitin 2018, në terma realë, sipas Jaison Abel dhe Richard Deitz në Rezervën Federale të Nju Jorkut. (Studentët në universitetet publike shpesh paguajnë shumë më pak; ata në organizatat private jofitimprurëse mund të paguajnë shumë më tepër).

Megjithatë, diploma mbetet e vlefshme. Në vitin 2019, Abel dhe Deitz vlerësuan përafërsisht kthimin financiar vjetor të parave që një amerikan i zakonshëm investon në një diplomë bachelor. Ata arrijnë në përfundimin se shkalla tipike e kthimit për një diplomë bachelor është rreth 14%.

Kjo ka rënë nga një kulm prej 16% në fillim të viteve 2000. Por është ende një shumë e mirë. Dhe është mbi nivelin 8-9% që të diplomuarit amerikanë mund të prisnin në vitet 1970, përpara se pagat e të diplomuarve dhe tarifat e shkollimit të fillonin të rriteshin. Këto llogaritje përfshijnë jo vetëm tarifat, por edhe paratë që individët mund të presin të fitojnë nëse do të punonin me kohë të plotë.

Megjithatë, mesatarja fsheh një gamë shumë të gjerë rezultatesh. Deri kohët e fundit, ekonomistët që përpiqeshin të identifikonin fituesit dhe humbësit, duhej të mbështeteshin kryesisht në sondazhe.

Tani, qeveritë e ndryshme, si ato të Britanisë dhe Norvegjisë, po ofrojnë baza të dhënash anonime që tregojnë të ardhurat aktuale për miliona studentë në universitete.

Kjo e bën shumë më të lehtë krahasimin e njerëzve. Të dhënat e ndara tregojnë se një pjesë e lartë e studentëve, diplomohen me diploma që nuk ia vlejnë barra qiranë e kostove të tyre.

Në Angli, 25% e të diplomuarve meshkuj dhe 15% e femrave fitojnë më pak gjatë karrierës së tyre, sesa bashkëmoshatarët që nuk marrin një diplomë universitare, sipas Institutit për Studime Fiskale (IFS), një grup kërkimor.

Amerika ka të dhëna më pak gjithëpërfshirëse, por ka filluar të publikojë përqindjen e studentëve që nuk arrijnë të fitojnë më shumë se mesatarja e të diplomuarve me shkollë të mesme.

Gjashtë vjet pas regjistrimit, 27% e studentëve në një universitet tipik katërvjeçar (kolegj), nuk arrijnë të fitojnë më shumë se njerëzit pa diplomë, llogarisin studiuesit në Universitetin Georgetown në Washington.

Braktisja e universitetit pa asnjë kualifikim, është qartazi një humbje e madhe financiare. Tejzgjatja e periudhës së diplomimit gjithashtu ul fitimet (sepse ha vite që mund të ishin shpenzuar duke punuar me kohë të plotë). Të dyja këto mundësi janë të zakonshme.

Në të gjitha vendet e pasura në total, më pak se 40% e njerëzve që studiojnë për diploma universitare, i përfundojnë studimet në afatin e përcaktuar. Rreth një e katërta ende nuk marrin një diplomë edhe tre vjet pas kësaj periudhe.

 

Çfarë dege të zgjedh

Zgjedhja e degës së duhur është me rëndësi thelbësore për të rritur mundësitë e fitimit. Për shembull, kthimet negative të fitimit janë më të mundshme për britanikët që studiojnë arte krijuese (më pak se 10% e meshkujve kanë një kthim pozitiv fitimi), kujdes social dhe bujqësi (shih grafikun 2).

Deri tani, diplomat me fitimin më të lartë në Amerikë, janë në fushën e inxhinierisë, shkencave kompjuterike dhe biznesit. Kthimet negative duken veçanërisht të mundshme në fushën e muzikës dhe arteve pamore.

Të dhënat e disponueshme të Amerikës nuk mund të merren si bazë për të matur fitimet gjatë gjithë jetës sipas degëve. Por firma Preston Cooper vlerëson se mbi një e katërta e degëve bachelor në Amerikë, çojnë në kthime negative fitimesh për shumicën e studentëve të regjistruar.

Në përgjithësi, dega që studiohet ka më tepër rëndësi se universiteti. Këtu sigurisht që ka përjashtime, sepse ka kolegje dhe universitete të këqija që kanë pak vlerë për studentët, çfarëdo që të mësojnë ata.

Por mesatarisht, njerëzit që regjistrohen në universitetet publike të Amerikës, arrijnë fitime më të mira gjatë jetës, sesa studentët që studiojnë në universitetet private më prestigjioze, thonë studiuesit e Georgetown. Një arsye janë tarifat e larta të këtyre institucioneve.

Të dhënat e të ardhurave në Britani vënë në pikëpyetje hamendësimin se të rinjtë e zgjuar përfitojnë domosdoshmërisht nga studimi në institucionet shumë përzgjedhëse, thotë Jack Britton nga firma IFT. Për të mposhtur konkurrencën e ashpër, disa të rinj aplikojnë për çfarëdo dege që duket më e lehtë, edhe nëse nuk është ajo që zakonisht sjell një fitim të lartë.

Këtë duhet ta kenë parasysh ata prindër që janë të fiksuar për t’i çuar fëmijët në Oxford ose në Cambridge, pa i kushtuar rëndësi degës së studimit. Por ka gjithashtu prova që tregojnë se zgjedhja e një dege vetëm me qëllimin për të fituar të ardhura të larta, mund të japë rezultate të kundërta.

Hulumtimet norvegjeze zbulojnë se studentët që kanë dëshirë të studiojnë shkenca sociale, por që përfundojnë duke studiuar shkencat e sakta, fitojnë më pak pas dhjetë vjetësh.

Burrat kanë më shumë arsye se gratë për t’u shqetësuar se investimet e tyre në arsimin e lartë do të dështojnë. Kjo për shkak se ata kanë një shans më të lartë për të pasur një punë me fitime të larta, pa diplomë.

Universiteti është një rrezik për burrat me nota mesatare shkollore, pasi ata shpesh fitojnë më pak pas diplomimit, sesa kolegët më të përgatitur që zotërojnë të njëjtat diploma.

Në Britani, kthimi i fitimit nga një diplomë, është përgjithësisht më i lartë për studentët nga Azia Jugore sesa për të bardhët, pasi ata zakonisht studiojnë degë si biznesi, dhe përgjithësisht fitimi është edhe më i ulët për studentët zezakë (krahasuar me ata të së njëjtës racë që nuk shkojnë në universitet).

Në Amerikë, studentët aziatikë duket se kanë më pak vështirësi për të shlyer borxhet studentore, krahasuar me studentët e bardhë dhe ata me ngjyrë.

Notat dhe tregjet

Cilat janë pasojat e gjithë kësaj analize? Tashmë ka shenja se tregu i arsimit të lartë po evoluon. Njerëzit po kërkojnë kthime më të mira fitimi në faza të ndryshme arsimore.

Në Amerikë, numri i diplomave që jepen çdo vit në anglisht dhe në histori, ra me rreth një të tretën midis viteve 2011 dhe 2021.

Numri i diplomave në shkencat kompjuterike u dyfishua në atë kohë (shih grafikun 3). Të tjerë po e anashkalojnë fare universitetin. Numri i personave që regjistrohen ka rënë çdo vit që nga viti 2011.

Institucionet po ndryshojnë gjithashtu, duke fshirë shkencat sociale. Në shkurt, administratorët e Universitetit Marymount në Virginia, votuan për heqjen e diplomave në nëntë degë, duke përfshirë anglishten, historinë, filozofinë dhe teologjinë. Universiteti Calvin në Michigan dhe Universiteti Howard në Washington, janë ndër institucionet që kanë braktisur disa degë klasike.

Dhe e ardhmja e arkeologjisë në Universitetin Sheffield në Britani, duket e pasigurt.

Punëdhënësit po përshtaten gjithashtu. Firmat tani priren më pak për të kërkuar që aplikantët për punë të kenë diploma, sipas analizës nga Joseph Fuller në Harvard Business School. Tregjet e shtrënguara të punës dhe dëshira e lartë për punëtorë, janë një pjesë e arsyes.

Disa vite më parë, rreth 80% e vendeve të punës në firmën teknologjike IBM, kishin si kriter zotërimin e një diplome, thotë Kelli Jordan. Tani kjo shifër është përgjysmuar. “Një diplomë nuk duhet të jetë treguesi i vetëm i aftësive që mund të ketë një njeri”, shpjegon znj. Jordan.

A duhet t’i përforcojnë qeveritë këto prirje? Në Estoni, një e pesta e financimit të një institucioni, varet nga përmbushja e një sërë objektivash; njëra lidhet me përqindjen e studentëve që diplomohen në kohë. Sisteme të ngjashme ekzistojnë në Finlandë, Izrael, Lituani dhe Suedi.

Qeveria e Australisë po përpiqet të nxisë nxënësit të bëjnë zgjedhje të dobishme shoqërore. Në vitin 2021, dyfishoi tarifat për të studiuar shkencat sociale, shkencat politike ose komunikimet dhe përgjysmoi tarifat për infermierinë dhe mësimdhënien.

Studentët nuk duken ende shumë të ndikuar nga kjo, ndoshta për shkak të bujarisë së kushteve të shlyerjes së borxhit studentor në Australi. Qeveria e Britanisë mendon se mund të ndryshojë sjelljen duke u mundësuar të gjithëve një llogari online që liston shumën maksimale të parave që kanë të drejtë të marrin hua nga shteti për studime, gjatë gjithë jetës. Ideja është që të shkurajohen braktisjet e studimeve të larta.

Të tjerë vazhdojnë të shpenzojnë para. Presidenti Joe Biden shpreson që Gjykata e Lartë do të miratojë së shpejti një plan, të shpallur vitin e kaluar, për të shlyer një pjesë të madhe të kredive studentore të Amerikës.

Ai gjithashtu dëshiron një sistem më të butë shlyerjeje. Kostot e lidhura me këtë program mund të rriten në qindra miliarda dollarë në dekadën e ardhshme. Zoti Biden premton edhe një listë zyrtare të degëve me “vlerë të ulët financiare”.

Po zhvillohen gjithashtu bisedime për të parandaluar që programet e dobëta të përfitojnë nga kreditë federale studentore. Por pa një akt nga ana e Kongresit, kjo do të ndikonte kryesisht në kolegjet private (ku regjistrohen vetëm një pjesë e studentëve në Amerikë).

Shumë njerëz mendojnë se përqendrimi vetëm në kthimet financiare të arsimit të lartë, është tepër bardhezi. Të diplomuarit në shërbimin publik, normalisht që pritet të fitojnë më pak se ata që punojnë në Wall Street.

Shumë disiplina ia vlen të studiohen, thjesht sepse janë interesante. Megjithatë, studentët shpesh thonë nëpër sondazhe se rritja e fitimeve është përparësi për ta.

Kthimet e mira janë jetike për studentët më të varfër, për të cilët barra financiare e diplomave është më e lartë. Sot diplomat pa vlerë janë çuditërisht të zakonshme.

Kombinimi i informacionit më të mirë, forcave të tregut dhe politikave më të zgjuara, mund të zvogëlojë përhapjen e tyre. /minitor.al/