Qytetarët në Kosovë kanë të drejtë, sipas ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, që të përfitojnë nga zbritja për vendbanimin parësor, nëse personi në fjalë posedon dy ose më shumë objekte banuese ose prona.
Zbritja në këto raste mund të arrijë deri në shumën e 15 mijë eurove, nga vlera e vlerësuar e njësisë së objektit, përcjell Buletini Ekonomik.
Në komunën e Prishtinës, Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë vitit 2022, ka identifikuar gjithsej 609 raste të tatimpaguesve, të cilët kanë pasur në posedim prona rezidenciale më shumë se një pronë, dhe për të cilët është zbatuar zbritja primare për vendbanim parësor.
“Zbritja primare ishte zbatuar ndaj 602 tatimpaguesve, të cilët kanë në posedim prona rezidenciale më shumë se një pronë, zbritje e cila rezulton në më pak të hyra nga tatimi në pronë për komunën në vlerë të 13 mijë e 545 eurove”, thuhet në raportin auditues për komunën e Prishtinës.
Sipas kësaj gjetjeje nga ZKA, të njëjtit kishin përfituar zbritje për tatim në pronë për secilin vendbanim të deklaruar si parësor.
Auditori madje këtë shkelje e konsideron si përfitim të paligjshëm të tatimpaguesve për Zbritje për Vendbanim Parësor.
Sipas Ligjit Nr. 06/L-005 Për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Neni 11, Zbritja për Vendbanimin Parësor, midis tjerash përcakton se “personi fizik i cili ka në pronësi apo posedim dy (2) ose më shumë njësi rezidenciale të objekteve, mundet vetëm njërën prej këtyre objekteve ta deklarojë si vendbanim të tij parësor, me ç’rast i lejohet zbritja prej pesëmbëdhjetë mijë eurove (15,000€) nga vlera e vlerësuar e gjithë njësisë së objektit”.
Në bazë të raportit të auditimit nga ZKA për komunën e Prishtinës, situata në këtë komunë është bërë edhe më serioze, pas konstatimeve se afër 8 mijë tatimpagues të prezantuar në Bazën e të dhënave për tatim, nuk i kanë të prezantuar as numrat personal, e të cilët në të njëjtën kohë janë edhe përfitues nga zbritja e lejuar ligjore. Kjo dukuri ka rezultuar në më pak të hyra nga tatimi për komunën e Prishtinës për mbi 179 mijë euro.
“Për 7 mijë e 958 tatimpagues, është zbatuar zbritja prej 15 mijë eurove nga vlera e vlerësuar e njësisë së objektit, duke u mbështetur në nenin 11 – “Zbritjet për vendbanim parësor”, mirëpo kjo zbritje është bërë për pronat e personave për të cilët nuk ishte evidentuar numri personal, ku për pasojë rezulton më pak të hyra në pronë për rreth 179 mijë e 55 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas konfirmimeve zyrtare nga komuna, kjo çështje ishte bartur nga vitet paraprake, mirëpo për faturimet e vitit 2022, për tatimpaguesit që nuk kanë numër personal të evidentuar dhe të cilët nuk e kanë deklaruar “Banimin Parësor”, nuk do të zbatohet zbritja e lejuar.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, zbatimi i zbritjeve të lejuara për tatimpaguesit pa numër personal dhe pa u deklaruar se vendbanimi i tatimpaguesit shërben si vendbanim parësor, rezulton me përllogaritje të pasakta të zbritjeve për tatim në pronë dhe rrjedhimisht në më pak të hyra për komunën.
Prandaj, ZKA rekomandon që kryetari i komunës duhet që të sigurojë bashkëpunim dhe komunikim më të mirë ndërmjet Departamentit komunal të Tatimit në Pronë dhe Ministrisë së Financave, në mënyrë që të eliminohen gabimet e mundshme në të dhënat për tatimin e vlerësuar. /Buletini Ekonomik/