Projekti ndërtimor në afërsi të Liqenit të Badocit nxit kundërshtimin qytetar

Prezantimi i këtij projekti me ndërtesa në afërsi të Liqenit të Badocit ka ngjallur reagime të shumta.

Madje, në rrjete sociale, një plan i tillë veçse ka nisur të kundërshtohet e të paralajmërohen edhe protesta në ruajtje të Badocit, njërit ndër burimet kryesore të ujit në Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

Por, tërë ky projekt duket se nuk ka leje ndërtimore dhe as që ka aplikuar për një të tillë në Urbanizmin e Komunës së Prishtinës.

“Për leje nuk kanë aplikuar dhe për të marrë një të tillë, duhet pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë kryetari Shpend Ahmeti për KTV-në.

Madje, Ahmeti ka thënë se për shkak se nuk po jep leje në disa vende, tashmë ka marrë edhe kallëzime penale.

Njëri nga arkitektët e këtij projektit “Lakeside Gardens”, Përparim Rama, thotë se projekti ka marrë miratimin e planifikimit dhe se implementimi i tij nuk do ta dëmtojë liqenin.

“…aspektet ambientale të cilat mbrojnë ujërat natyrale janë pjesa kryesore e projektit. Edhe ujërat në lëvizje dhe ato të liqenit janë plotësisht të mbrojtura. Në të njëjtën krijohen shtigje për sporte që krijojnë mundësi të reja për mirëqenien e njeriut, ndërsa e mbrojnë ambientin”, ka shkruar Rama në Facebook, duke u dhënë përgjigje qytetarëve që po kundërshtojnë këtë projekt.

Drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu, në një përgjigje për KTV-në ka thënë se ndërtimet në atë pjesë mund të ndikojnë që pjesë të Prishtinës të mbesin pa ujë. .

“Secili ndërtim në Veternik e Hajvali e vështirëson më shumë dhe e rëndon Liqenin e Badocit i cili është në rrezik edhe nga ndryshimet klimatike. Secili ndërtim mund të lërë pa ujë banorët e tjerë të Prishtinës. Thatësia e madhe na fut në krizë për ujë, andaj duhet kujdes në planifikim të ndërtimeve”, ka thënë Abdullahu.

Ky projekt i kompanive “KAWA Group” dhe “4M Group”, parasheh ndërtimin e 17 vilave të para deri në verën e vitit 2021.

Përfaqësuesi i KAWA Group, Uran Haxha, ka thënë për KTV-në se ata e kanë pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit që nga viti 2016, e që ishte ripërtërirë në vitin 2018.

Sipas tij, projekti parashihet të ndërtohet në pronë private dhe tani kompania do të aplikojë për leje ndërtimi në Komunën e Prishtinës, sipas kushteve të parapara.

Për shkak që ishin ndërtuar afër ujit, MMPH-ja kishte rrënuar më parë disa objekte pranë Liqenit të Batllavës.