Keqpërdorimi i Festës së Bajramit nga tregtarët

Të hënën, në orët e pasdites në tregjet e gjelbra të Prishtinës, reporterit të Buletinit Ekonomik i ra në sy rritja qind për qind e çmimit të domateve. Në të gjitha shtandet e Tregut kryesor të gjelbër të kryeqytetit, por edhe në tregjet e tjera të Prishtinës,   të hënën (26 qershor 2023) në orët e pasdites (sipas informacioneve, edhe gjatë ditës së sotme), çmimi i domateve nga 60, 70 e 80 centë kilogrami, sa kushtonin vetëm një e dy ditë më parë, ishte ngritur në 1, 50 euro ose mbi 100 për qind.

Buletini Ekonomik

Kudo në botë ku festohet Festa e Bajramit, praktikisht kremtja më e madhe në botën muslimane, në prag të kësaj kremteje, ulen çmimet, sidomos të produkteve elementare ushqimore, të pemëve dhe të perimeve dhe të shumë mallrave të tjera, të nevojshme për  përgatitjën e tryezës për këtë festë. Por, në Kosovë, ka vite që ndodhë e kundërta.

Reklama e sponzorizuar

Në prag të kësaj feste,  një nga kremtet më popullore në Republikën tonë, kur kosovarët, edhe ata të varfërit, furnizohen me shumicë me produkte ushqimore prej më të ndryshmeve, edhe këtë herë tregtarët matrapazë shpërfaqën prirjet e tyre abuzive me çmime. Tendencat abuzive të këtyre tregtarëve për të përfituar edhe nga festat fetare u panë në ngritjen e çmimeve të disa produkteve ushqimore elementare, e sidomos të atyre që konsumohen më shumë dhe praktikisht janë si të domosdoshme për tryezat festive.

Dje, në orët e pasdites në tregjet e gjelbra të Prishtinës, reporterit të Buletinit Ekonomik i ra në sy rritja qind për qind e çmimit të domateve. Në të gjitha shtandet e Tregut kryesor të gjelbër të kryeqytetit, por edhe në tregjet e tjera të Prishtinës, të hënën (26 qershor 2023) në orët e pasdites (sipas informacioneve, edhe gjatë ditës së sotme), çmimi i domateve nga 60, 70 e 80 centë kilogrami, sa kushtonin vetëm një e dy ditë më parë, ishte ngritur në 1,50 euro ose mbi 100 për qind.

Konsumatorët e nervozuar nga kjo rritje e paparë e çmimit të domateve, aq të nevojshme për tryezën festive, nuk rreshtin së pyeturi: pse ky çmim kaq i lartë, një ditë para festës së madhe. Si është e mundur që brenda 1-2 ditës të rritet çmimi i një produkti mbi 100 për qind.

Tregtarët në tregjet e Prishtinës përgjigjeshin shkurt: “Nuk ka domate. Në tregjet me shumicë i kemi blerë këto domate nga 1,30 centë kilogrami, ndërsa deri para dy-tre ditësh ato në depot që tregtojnë pemë e perime me shumicë, i blenim me nga 50 e 60 centë kilogramin. Prandaj, ne tregtarët me pakicë, nuk mund të fajsohemi për këto çmime ‘të kripura’”.

Kishte shumë konsumatorë që sapo shihnin çmimin e ri të domateve largoheshin, qartësisht të irrituar, pa blerë fare domatet me çmime në stratosferë, të ngritura mu një-dy ditë para Festës së Bajramit.

Në këtë prag feste bie në sy edhe ngritja e çmimit të disa produkteve të tjera. Shihet ngritja e çmimit të vezëve, të cilat, pas uljes goxha evidente të çmimit të tyre, një javë para festës sërish po tregtohen me çmime të reja të ngritura. Të hënën, një paketim me 30 copë vezë tregtohej me 2. 50 euro, derisa vetëm para një jave 30 copë vezë kushtonin 2 euro saktësisht. Dhe, dje dhe sot, jo pak konsumatorë, që kanë njohuri për ecurinë e çmimeve të vezëve, largoheshin nga shtandet e tregtimit të vezëve, por edhe nga shitoret e shumta që tregtojnë edhe këtë produkt, të dëshpëruar dhe rezignuar  për shkak të ngritjes së çmimit të vezëve mu në prag të festës së madhe.

“Thjesht, nuk i kuptoj fare këta prodhues, apo rrjetin tregtar të kësaj kompanie (bëhet fjalë për një kompani të njohur dhe që ka bërë emër në tregun e Kosovës, për tregtimin e produkteve me origjinë shpezësh), që e shpërfillë kaq egërsisht konsumatorin besnik, duke e ngritur çmimin në prag të Festës së Bajramit”, shprehet në të dalë nga shitorja e vezëve në afërsi të Tregut kryesor të Gjelbër të Prishtinës, një burrë i moshuar.

Çmime të ngritura në prag feste pati edhe te disa produkte të tjera, ndërkohë që edhe kësaj radhe heshtin inspektorët e tregut dhe nuk dëgjohet fare zëri i tyre. /Buletini Ekonomik/