Borxhi publik neto i Mbretërisë së Bashkuar u dyfishua në muajin maj dhe tejkaloi pak Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), për herë të parë që nga viti 1961.
Siç njofton Zyra britanike e Statistikave, në fund të majit, borxhi neto ishte 3.3 trilionë dollarë, i cili vlerësohet në 100.1 për qind të PBB-së.
Është hera e parë që nga marsi 1961 që borxhi si pjesë e PBB-së ka tejkaluar paksa 100 për qind, përveç gjatë pandemisë, por kjo shifër u ul më pas për shkak të përmirësimit të të dhënave.
Borxhi u barazua me PBB-në pasi huamarrja neto e Qeverisë u dyfishua në 20 miliardë funte në maj për shkak të kostos së programit të mbështetjes së faturave të energjisë, raporton CNBC.
Shuma e borxhit në maj është 10.7 miliardë funte më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe është e dyta më e lartë në muajin maj që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave mujore tre dekada më parë.
Sekretari i Thesarit, Jeremy Hunt tha se Qeveria po merrte “vendime të vështira” për të balancuar financat pas pandemisë dhe pushtimit rus të Ukrainës.
“Me të drejtë kemi shpenzuar miliarda për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga pasojat më të këqija të pandemisë dhe krizës energjetike të Vladimir Putinit. Por padyshim që do të ishte e padrejtë që brezave të ardhshëm t’u lihej një borxh që nuk mund ta shlyejë”, theksoi Hunt.
“Kjo është arsyeja pse ne morëm vendime të vështira, por të nevojshme për balancimin e financave, në mënyrë që të përgjysmojmë inflacionin këtë vit, të forcojmë ekonominë dhe të reduktojmë borxhin”, përfundoi ai.