Gjermania, një ndër vendet më tërheqëse për investime të huaja

Gjermania vazhdon të mbetet tërheqëse për të investuar. Furnizimi me energji dhe personeli i specializuar nuk përbëjnë problem, problemi qëndron vetëm te mungesa e sipërfaqeve të tokës.

Interesimi në rritje i firmave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Turqia vazhdon t’i mbajë në nivel të qëndrueshëm investimet e huaja në Gjermani, pavarësisht nga kriza energjetike.

Siç tregojnë të dhënat e shoqatës federale për nxitjen e ekonomisë Germany Trade & Invest, GTAI, vitin e kaluar në Gjermani u regjistruan 1,783 biznese të reja dhe zgjerime ndërmarrjesh ekzistuese nga vendet e tjera. Kjo shifër është 23 më pak se në vitin 2021, por 101 më shumë se në vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

“Duke pasur parasysh kushtet e vështira si lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe zhvillimet pas pandemisë COVID-19, mund të thuash se ky është sukses. Gjermania mbetet një vend tërheqës për investimet e huaja”, tha drejtori ekzekutiv i GTAI, Robert Hermann.

Kjo ka të bëjë edhe me faktin se firmat e huaja investojnë më shumë në teknologjitë e të ardhmes, si për shembull në fushën e gjysmëpërçuesve, prodhimin dhe riciklimin e baterive. Rreth 15% e firmave ndërkombëtare duan të prodhojnë në Gjermani ose të merren me kërkime dhe zhvillimin.

Investitori kryesor mbetet SHBA, që ka 279 projekte në Gjermani

“Kjo shifër është e konsiderueshme, duke pasur parasysh që në SHBA ka nxitje të madhe të investimeve në vend nëpërmjet të ashtuquajturit Ligj për Reduktimin e Inflacionit (Inflation Reduction Act, IRA)”, tha Hermann.

Në vend të dytë pason Zvicra me 208 projekte dhe Britania e Madhe me 170 projekte. Kurse në vend të katërt është Kina me 144 projekte, shifrën më të ulët që prej vitit 2014. Udhëtime biznesi nuk ka qenë e mundur të bëhen për shkak të politikës së ashpër zero COVID-19 të Republikës Popullore të Kinës, gjë që ka vështirësuar arritjen e marrëveshjeve, i ka shtyrë ato ose i ka penguar krejt. Në vend të pestë është Turqia me 139 projekte, një shifër rekord.

Numri i vendeve të reja të punës që priten të hapen është rritur me rreth 10%, duke arritur në 33,500. Investimet e shpallura kanë shkuar në €25 miliardë, prej të cilave pjesa më e madhe ka të bëjë me angazhimin e prodhuesit amerikan të gjysmëpërçuesve Intel.

Energjitë e ripërtëritshme faktor për zgjedhjen e vendit për të investuar

Në procesin e tërheqjes së investitorëve gjithnjë e më e rëndësishme po bëhet disponueshmëria e energjive të ripërtëritshme, si për shembull e energjisë së prodhuar nga era ose energjia solare.

“Si për Microsoft, Apple apo firma të vogla që ofrojnë qendra të dhënash ose edhe për prodhuesit e baterive si Northvolt – për të gjithë ata ky është një argument i rëndësishëm.Pasja e energjive të ripërtëritshme është kthyer ndërkohë vërtet në avantazh për Gjermaninë”, thotë eksperti i GTAI, Achim Hartig.

Pjesa që zë energjia e ripërtëritshme në konsumin bruto të energjisë u rrit në vitin 2022 në 46% dhe deri në vitin 2030 pritet të arrijë në 80%.

Mungesë hapësirash për ndërtimin e ndërmarrjeve

Por si dizavantazh po shfaqet ndërkohë mungesa e hapësirave për ndërtimin e ndërmarrjeve.

Për investitorët e mëdhenj si Intel ose Tesla nevojiten shpesh sipërfaqe prej 100 hektarësh e më shumë, por hapësira të tilla mezi gjenden sidomos në zonat perëndimore të Gjermanisë. Kurse mungesa e forcave të specializuara nuk është pengesë për hapjen e ndërmarrjeve të huaja në Gjermani.

“Me këtë problem luftojnë të gjitha vendet evropiane”, përfundon ai./ Telegrafi/