‘Hilja’ e bankave në Kosovë me Euribor

Bankat në Kosovë, përveç kredive me norma fikse, ofertojnë edhe kredi me norma variabile (të ndryshueshme) të interesit. Në rastin e kredive me normë variabile, referencë për normë të aplikueshme në të ardhmen, ato kryesisht e përdorin Euriborin.

EURIBOR (shkurt për Euro InterBank Offered Rate ose përkthyer si Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane).

Tashmë disa banka në vend kanë filluar t’i njoftojnë klientët për ndryshimet në normat e interesit, me arsyetimin “si pasojë e rritjes së normës në EURIBOR-it në tregun evropian”.

Reklama e sponzorizuar

Burime  të Buletinit brenda sistemit bankar thonë se bankat po e përdroin një ‘hile’ në përcaktimin e normës së interesit në bazë të Euribor.

Bankat tona komerciale, për kreditë me norma variabile, kujdesen që gjithmonë të caktojnë një normë dysheme (më të ultën e mundshme), mirëpo zakonisht nuk e përcaktojnë edhe një normë tavan (më të lartën e mundshme). Me këtë rast, ato i mbrojnë interesat e veta, por jo edhe ato të klientit. Përveç në rastet kur klienti, me vetëdije të plotë, kërkon nga banka komerciale që në kontratën e kredisë ta përfshijë edhe normën tavan”, thotë ky burim.

Rritja e normave të interesit për kreditë bankare, u paralajmërua nga Banka Qendrore e Kosovës muajin e kaluar.

Në raportin e fundit BQK-së, vërehet se mesatarja e normës së interesit në sektorin bankar ka shënuar rritje krahasuar me muajt e kaluar të këtij viti.

“…kostot e mbajtjes së likuiditetit do të sfidohen me rritjen e normave të interesit në nivel global të cilat transmetohen direkt përmes financimit nga bankat amë. Politikat monetare të disa bankave qendrore veçse janë kundërpërgjigjur rritjes së inflacionit përmes rritjes së normave bazë të interesit. BQE ka hezituar të ndërhyjë dhe ndryshoj politikën monetare në gjysmën e parë të vitit 2022, kryesisht si pasojë e ndikimit që pritet të ketë rritja e kostos së financimit në disa nga ekonomitë e BE-së (recesionit potencial) dhe dobësimit të mëtejmë të euros”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” të BQK-së.

Banka Qendrore në raportin e fundit të publikuar ka treguar se norma mesatare të interesit për muajin korrik është 6.1 për qind, derisa në maj ishte 5.9 për qind.

Rritje vërehet tek norma e interesit për kreditë konsumuese që ka shkuar në 6.3 për qind, prej 6.2 për qind sa ka qenë në maj.

“Normat efektive të interesit, Norma në kredi 6.1%, për ekonomitë familjare 5.9% prej të cilave konsumuese 6.3%, prej të cilave hipotekare 4.8%. Për korporata jo financiare 6.2%, prej të cilave bujqësore 6.0%, prej të cilave industriale 6.3% prej të cilave shërbyese 6.1%”. /Buletini Ekonomik/