Kosova importon rreth 18 milionë euro në muaj mallra nga Serbia

“Radhë kamionësh në pikën kryesore kufitare të Merdares, pasi Kosova ndaloi të mërkurën mbrëma hyrjen në territorin e saj të të gjitha automjeteve me targa të Serbisë, si reagim ndaj rrëmbimit të tre oficerëve të saj të policisë kufitare nga policia serbe.”

Në këtë mënyrë agjencia e lajmeve Reuters nis raportimin e saj për atë që po ndodhë aktualisht në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, pas përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve.

Ministria e Brendshme e Kosovës arsyetoi vendimin e marrë me qëllim të rritjes së sigurisë në të gjitha pikat kufitare. Kryeministri Albin Kurti kërkon lirimin e menjëhershëm të tre oficerëve duke shtuar se janë arrestuar rreth 300 metra brenda territorit të Kosovës, afër kufirit me Serbinë.

Reklama e sponzorizuar

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ndalojë importin e produkteve nga Republika e Serbisë, duke risjellë në vëmendje vendimin e njëjtë të marrë më parë nga ish kryeministri Haradinaj pas dështimit të Kosovës për të hyrë në UNESCO.

Kjo politikë ishte mbështetur edhe nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje, duke propozuar masën e reciprocitetit të plotë tregtar, ekonomik dhe politik me Serbinë. Sidoqoftë, do të ishte vetë Kurti ai që do të hiqte taksën 100% ndaj mallrave serbe në mars dhe prill të vitit 2020 si kryeministër në mandatin e tij të parë. Megjithatë, ai do të rrëzohej në atë kohë nga pushteti por do të premtonte se menjëherë pas ardhjes në pushtet do të vendoste reciprocitetin.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në janar të vitit 2023, vlera e mallrave të importuara nga Serbia ishte 17 milionë e 870 mijë euro. Krahasuar me të  njëjtin muaj të vitit 2022, vlera e importuar nga shteti fqinj ishte 1 milion e 523 mijë euro më e lartë. Brenda një viti Kosova ka importuar mallra nga Serbia me vlerë rreth 400 milionë euro.

Nëse llogaritet vlera totale e importit nga Serbia gjatë vitit të kaluar, rezulton në një vlerë mbi 1 milion euro në ditë. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, produktet kryesore të importuara nga Serbia gjatë vitit 2022 ishin pijet freskuese, gruri, benzina dhe vajrat, biskotat, misri, ushqimi për kafshët, etj.

Nëse krahasohet me importin, eksporti i Kosovës në Serbi është shumë më i vogël. Vetëm 60.7 milionë euro eksportoi Kosova drejt këtij shteti në vitin 2022. Vlera e lartë e importit nga Serbia u përdor shpesh nga opozita për të akuzuar pushtetin se nën qeverisjen e tyre tregu kosovar po pushtohet nga produktet serbe. /Scan tv/