Kur do të emërohen anëtarët e rinj të Bordit të Trustit?

Kanë kaluar tre muaj që kur Trusti Pensional është bllokuar për shkak të mungesës së anëtarëve të bordit, të njëjtëve mandati iu ka skaduar nga 1 marsi. Mos përzgjedhja e anëtarëve po cilësohet si tejet e dëmshme, rrjedhimisht miliarda euro kanë mbetur pa u menaxhuar.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës për të kuptuar se kur pritet të mbarojë procedura e emërimit.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti tha se përzgjedhja e kandidatëve pritet të mbarojë së shpejti, duke mos dhënë një datë të saktë.

Reklama e sponzorizuar

“Ju njoftoj se Komisioni për Përzgjedhje është në proces të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës-FKPK. Puna e Komisionit për Përzgjedhje, pritet të përfundojë së shpejti dhe do të komunikohet në pajtim me dispozitat e aplikueshme ligjore”, ka thënë Ahmeti.

Pjesë e komisionit përgjegjës përveç guvernatorit të BQK-së është edhe ministri i Financave e Auditorja e përgjithshme. Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga të njëjtit.

Nga ministria që udhëhiqet nga Hekuran Murati nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, ndërkaq nga zyra e ZKA-së kanë deklaruar se nuk është nën kompetencë ë tyre“…Lidhur me kërkesën tuaj ju lutem t’i drejtoheni Bankës Qendrore si bartëse e procesit. Auditorja e Përgjithshme i përgjigjet të gjitha kërkesave sipas përgjegjësive të përcaktuara me ligj“.

Lidhur me mos emërimin e Bordit të ri të Trustit Pensional ashpër ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai deklaronte se “rreth 2.5 miliardë të kursimeve kanë mbetur në mëshirë të fatit”.

Konkursi i dytë ka qenë i hapur deri më 5 maj, në ora 16:00.

“Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) njofton se është rishpallur konkursi për 5 anëtarë profesionalë, 1 anëtar përfaqësues të punonjësve dhe 1 anëtar përfaqësues të punëdhënësve. Konkursi është i hapur deri më 5 maj 2023, ora 16:00”, thuhej në njoftim e BQK-së.