Kurti për bllokimin e kamionëve nga Serbia: S’është masë ekonomiko-tregtare, por e sigurisë

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur masë të sigurisë, vendimin e djeshëm për të bllokuar hyrjen e kamionëve të Serbisë në Kosovë. Kurti ka thënë se kjo s’është masë ekonomiko-tregtare, por se është marrë për çështje sigurie pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe. Nga Dogana s’janë deklaruar ende për këtë vendim, por sipas raportimeve në media, rreth 60 kamionë janë duke pritur në Merdare për të hyrë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të bllokojë hyrjen e të gjithë kamionëve me tabela të Serbisë, si dhe të gjithë kamionëve të cilët bartin mallra të këtij shteti. Vendimi erdhi pas kidnapimit të tre policëve kufitarë të Kosovës nga forcat serbe, gjatë ditës së djeshme në Leposaviq.

Gazeta Express ka siguruar urdhrin e dërguar përmes postës elektronike te të gjithë udhëheqësit rajonalë të pikave doganore të Kosovës për të mos e lejuar hyrjen e asnjë produkti serb në tregun e Kosovës, ku figuron se vendimi është marrë rreth orës 16:00.

Reklama e sponzorizuar

Urdhëri është dhënë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Siç mund ta kuptoni nga korrespodenca e ardhur nga QKMK, që nga ky moment në të gjitha pikat kufitare të ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës të të gjithë kamionëve me tabela të Serbisë, si dhe të gjithë kamionëve të cilët bartin mallra të Serbisë.

Ju luem të njoftoni stafin tuaj dhe sigurohuni që stafi zbatues janë njoftuar me këtë urdhëresë. Ju do të jeni në njohuri me kohë për njoftimet dhe vendimet e radhës”, thuhet në e-mailin që ka siguruar Express.

Për këtë vendim është deklaruar sot kryeministri Albin Kurti, në konferencën e përbashkët që ka mbajtur me Ministrin Sveçla lidhur me kidnapimin e tre policëve.

Kurti është munduar që ta zbusë këtë vendim, duke thënë se masat që kanë vendosur nëpër pikëkalimet kufitare, siç është edhe kjo për bllokimin e mallrave serbe, nuk janë ekonomiko-tregtare.

Sipas Kurtit, këto masa janë vendosur për çështje të sigurisë.

“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, tha Kurti.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Doganës së Kosovës lidhur me zbatimin e këtij vendimi, por deri tash s’ka marrë përgjigje. Por, sipas raportimeve të mediave, vetëm në pikën kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, janë duke pritur rreth 60 kamionë për të hyrë në Kosovë.

Për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ka reaguar Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, Kosova s’mund ta ndalojë importin e mallrave serbe, sepse kjo bie në kundërshtim me rregulloret.

“Ju nuk mund ta ndaloni importin e mallrave serbe sipas rregulloreve që ekzistojnë sot, që nga Cefta e deri te të gjitha rregulloret e tjera. Nuk mund ta bëni! Së dyti, po tregoni se dëshironi të vdisni popullin serb në Kosovë, për t’i lënë pa ushqimet bazë, qumësht e bukë. Shumica e brumërave këta njerëz i marrin nga Rashka. Kjo tregon synimin e tyre për të dëbuar përgjithmonë popullatën serbe nga zona e veriut të Kosovës”, ka deklaruar Vuçiç.

Premtimi i Kurtit për reciprocitet ndaj mallrave serbe që nuk u realizua kurrë

Më 31 shkurt të vitit 2020, Kurti kishte vendosur masa reciprociteti ndaj mallrave serbe.  Ishte vendosur që emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe dokumente të tjera përcjellëse, të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.

Ky vendim ishte kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Për këtë vendim, Qeveria Kurti 1 kishte rënë pas 51 ditësh në pushtet. LDK’ja e kishte rrëzuar me mocion të mosbesimit.

Qeveria e re ishte krijuar më 3 qershor të vitit 2020, me kryeministër Avdullah Hotin, i cili e kishte shfuqizuar këtë vendim.

Kurti erdhi sërish në pushtet më 22 mars të vitit 2021. Ai kishte premtuar se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.

Këtë premtim, Kurti e kishte përsëritur edhe në gusht të vitit 2021.

“Do ta vendosim reciprocitetin, nuk heqim dorë prej tij. Këtë do ta bëjmë kur atëherë jemi të përgatitur”, ishte shprehur gjatë një seancë të Kuvendit.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 2 vjet prej atëherë, Kurti s’ka vendosur ende reciprocitet ndaj mallrave serbe.

Kryeministri në vitin 2021 në një intervistë për RTV Dukagjini, kishte deklaruar se vendosja e masës së reciprocitetit është çështje ditësh e javësh dhe kurrsesi muahsh.

“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, kishte thënë Kurti.