Mbyllet miniera më e madhe e zinkut në Europë – Arsyeja, rënia e çmimit në bursa dhe rritja e kostove të përgjithshme

Kompania suedeze e minierave Boliden ka njoftuar se do të pezullojë prodhimin në minierën e zinkut Tara në Irlandë, pa specifikuar se kur mund të rifillojë nxjerrja e zinkut. Në një deklaratë për mediat thuhej se po punohet intensivisht për të zgjatur në kohë punimet në minierë, duke ruajtur konkurrencën e saj.

Sipas kompanisë, fluksi i parasë aktualisht është negativ për shkak të një kombinimi faktorësh, duke përfshirë sfidat e biznesit, rënien e çmimeve të zinkut, çmimet e larta të energjisë dhe rritjen e kostos së përgjithshme. Për shkak të pezullimit të pordhimit do të pushohen përkohësisht nga puna punëtorët deri në një përmirësim të kushteve.

Menaxheri i përgjithshëm i minierës, tha se kompania ishte në dijeni të ndikimit të vendimit mbi punonjësit në zonën e Navan. Kjo do të thotë që deri në 650 punëtorë do të mbesin pa punë. Miniera është në funksion që nga viti 1977 dhe ka shumë ndikim në jetën e përditshme të komunitetit të zonës.

Reklama e sponzorizuar

Kompania theksoi se nuk ishte një vendim i lehtë për t’u marrë, por thjesht duhej ndaluar trendi i paqëndrueshëm i daljes së parave për të mbrojtur të ardhmen afatgjatë të minierës. Tara është miniera më e madhe e zinkut në Europë dhe e teta në botë. Ajo prodhon 200 mijë ton koncentrat zinku dhe 40 mijë ton koncentrat plumbi. /Scan tv/