Nis zgjerimi i magjistrales Prishtinë-Podujevë

Sot më intenzivisht punohej duke filluar nga fshati Tenezhdoll në drejtim të Podujevës, deri te Banja e Lluzhanit. Në këtë pjesë të rrugës, në disa vende kishin zbarkuar mekanizëm i rëndë e i shumtë numerikisht, dhe pos disa prej tyre që ishin angazhuar në punë, shumë të tjerë (bulldozherë, ngarkues të mëdhenj, kamionë të shumtë) ishin parkuar buzë rrugës, në pritje të fillimit të punëve. Punohej me intenzitet më të ulët sot edhe te Kulina.
Buletini Ekonomik
Kanë nisur punët në zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë, një ndër rrugët nacionale të Kosovës më të ngarkuarat me trafik dhe ndër më problematiket sa i përket numrit të fatkeqësive dhe viktimave nga këto aksidente, si pasojë e stërngarkesës së trafikut.
Sot, në dy-tre pjesë të rrugës, kompanitë fituese të loteve nga LLuzhani deri në Bernicë kanë nisur punimet e para të zgjerimit të rrugës. Fillimisht punohej në mënjanimin e shtresave të dherërave anash, përkatësisht nga drejtimi Prishtinë – Podujevë, në anën e djathtë të kësaj rruge. Sot më intenzivisht punohej duke filluar nga fshati Tenezhdoll në drejtim të Podujevës, deri te Banja e Lluzhanit. Në këtë pjesë të rrugës, në disa vende kishin zbarkuar mekanizëm i rëndë e i shumtë numerikisht, dhe pos disa prej tyre që ishin angazhuar në punë, shumë të tjerë (bulldozherë, ngarkues të mëdhenj, kamionë të shumtë) ishin parkuar buzë rrugës, në pritje të fillimit të punëve. Punohej me intenzitet më të ulët sot edhe te Kulina.
Në bazë të pamjes së mbishkrimeve në makinerinë prezente, punimet e sotme fillestare më intensive janë zhvilluar në pjesën e katërt të magjistrales, apo në llotin 3, që, siç ka njoftuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është fituar nga grupi i operatorëve Agbes Construksion SH.P.K, Arbotec SH.P.K., GEO Construction SH.P.K., Mineral L.L.C. dhe BM Group SH.P.K. me seli nga Fieri i Shqipërisë.
Kjo kompani, sot, në pamje të parë imponohej me makineri të nduarnduarshme të rëndë dhe të shumtë si dhe me kamionë të mirëmbajtur dhe me tonazhë të madh. Ndërsa, duke parë sot punët që kishin nisur të bëhen vetëm në pjesët e sipërpërmendura të kësaj magjistraleje, del të mos jetë i saktë deklarimi i zëvendësministrit Hysen Durmishi, se “sot, filluan punimet në të gjitha llotet në projektin e rrugës Prishtinë – Podujevë”. Pra, nuk kanë filluar punimet në të gjitha llotet. Mbase do të fillojnë në ditët në vazhdim.
Siç dihet, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me 12 qershor ka njoftuar publikun se ka shpallur fituesit e tri lloteve të tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Besi-Podujevë. Sipas këtij informacioni, janë tri konsorciume private që kanë përfituar nga një llot të tenderit.
Sipas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), vlera totale e këtyre lloteve është mbi 24 milionë euro. Për pjesën e parë, fitues është shpallur grupi i operatorëve ekonomikë Pro & Co Group SH.P.K. dhe Levantina Ingenieria Y Construcion. Vlera e këtij lloti në kontratë është rreth 6.5 milionë euro. Ndërsa, pjesa e dytë është fituar nga konzerciumi i operatorëve ekonomikë 2A Group SH.P.K. dhe Vega SH.P.K., me vlerë prej rreth 8.5 milionë.euro. Derisa pjesa e katërt, apo lloti 3 është fituar nga grupi i operatorëve Agbes Construksion SH.P.K, Arbotec SH.P.K., GEO Construction SH.P.K., Mineral L.L.C. dhe BM Group SH.P.K. me seli nga Fieri i Shqipërisë.
Ministri Liburn Aliu në dhjetor të vitit të kaluar ka thënë se kanë zgjidhur problemet me shpronësimet për rrugën Prishtinë-Besi-Podujevë. Aliu kishte sqaruar se i tërë segmenti do të jetë me pesë llote, 16 kilometra nga Lluzhani deri në Bërnicë do të jetë e ndarë në katër llote dhe se lloti i pestë është përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Podujevë, që përbën segmentin prej 9 kilometrash.
Ndërkohë, disa ditë pas njoftimit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, se ka shpallur fituesit e tri lloteve të tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Besi-Podujevë, në mediat e vendit u raportua se “Hysen Durmishi ia dhuron me dorë të vetën kontratën 8.6 milionë € dostit të tij”.
Më konkretisht raportohej se Ministria e Infrastrukturës e ka shpërblyer me tender 8.6 milionë euro grupin e operatorëve ekonomikë, Bageri, Asfalti dhe El Bau. Mbi kontratën ekziston një dyshim. Miqësia mes Bujar Shabanit, pronar i kompanisë Bageri dhe Hysen Durmishit, zëvendësministër i Infrastrukturës mund të jetë bërë shkak i ujdisë mes palëve.
Numri dy i Infrastrukturës tha se nuk është ai që jep tenderë. Por, hulumtimi i Institutit për Hulumtime Front e dëshmon të kundërtën. Ishte vetë ai që e hodhi nënshkrimin në letër më 19 qershor të këtij viti. Marrëveshja obligon konsorciumin të përfundojë punimet e lotit të dytë të rrugës Prishtinë – Besi – Podujevë.
Siç u tha më lartë, Projekti është i ndarë – krahas këtij – edhe në katër lote tjera, për çka u kontraktuan kompani të ndryshme kosovare. Më së shumti do të kushtojë loti i tretë, 9.2 milionë euro. Pastaj loti i dytë, 8.6, ai i pari 8.4, loti zero – 6.1 dhe ai i pesti, 1.4 milionë sosh. Rreth 35 milionë në total realizimi i krejt planit infrastrukturor.
Ministria e Infrastrukturës ka aplikuar procedurën e hapur në këtë aktivitet prokurimi. Për lotin e dytë, mbi të cilin ekzistojnë dyshimet se në epilogun e tenderit ndikoi lidhja politike – biznes, garuan 17 kompani. Oferta prej 8.6 milionë euro e grupit të operatorëve ekonomikë, Bageri, Asfalti dhe El Bau nuk ishte më e lira. Megjithatë u përzgjodh si më e mira e mundshme në fund, meqë shtatë kompanitë e tjera që ofertuan më lirë u eliminuan për shkak siç u tha mos përmbushjes së kritereve të kërkuara në Dosjen e Tenderit, raporton Instituti për Hulumtime Front.
Hysen Durmishi e ka pranuar publikisht miqësinë me Bujar Shabanin, pronarin e njërës prej kompanive fituese. Megjithatë ai për “IFront” ka mohuar çdo ndikim të mundshëm në përzgjedhjen e kompanisë Bageri dhe kompanive tjera, Asfalti dhe El Bau si fituese të lotit të dytë.
Durmishi është shprehur për “IFront”: “A nuk po keni me çka me u merr a. Nuk jap tenderë unë. Me to merret Zyra e Prokurimit. Nuk kam ndikuar në dhënien e këtij loti”.
Sipas Institutit për Hulumtime Front, Pronari i kompanisë Bageri, Bujar Shabani ka telashe edhe me ligjin. Mbi të rëndon akuza për “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” në një tender rreth 4 milionë eurosh për zgjerimin e rrugës së fshatit Bibaj dhe kyçjen e saj në autostradën “Arbën Xhaferi”. Ndërkaq sipas organizatës AVONET, kompania Bageri edhe në një aktivitet tjetër prokurimi ka aplikuar me dokumente të falsifikuara. Bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, i cili kap vlerën e 734 mijë eurove. /Buletini Ekonomik/