Pesë Ministri të Qeverisë Kurti e kalojnë çerekun e vitit me 0% shpenzime kapitale

Mbledhja e Qeverisë

Pesë dikastere të Qeverisë Kurti nuk kanë arritur asnjë rezultat sa i përket investimeve kapitale, në tre mujorin e parë të këtij viti.

Në raportin financiar për periudhën tre mujore 1 janar-31 mars 2023, figurojnë pesë ministri të cilat kanë pasur 0% shpenzime në investime kapitale.

Kjo do të thotë që asnjëra nga to nuk kanë realizuat asnjë projekt.

Reklama e sponzorizuar

Bëhet fjalë për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më në krye Faton, Pecin, ajo e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga Rozeta Hajdari, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi dhe Ministria e Drejtësisë që ka në krye Albulena Haxhiun.

E vetëm me nga 1% shpenzime në investime kapitale janë Ministria e Shëndetësisë e Arben Vitisë, dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që udhëhiqet nga Hajrullah Çeku.

Po ashtu janë vetëm dy ministri që kanë shpenzuar vetëm nga 2% mjete në investime kapitale.

Ministria për Komunitet dhe Kthim që udhëhiqet nga Nenad Rashiq dhe Ministria e Ekonomisë nga Artane Rizvanolli.

4% shpenzime për investime kapitale për tre muaj ka pasur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nën udhëheqjen e Arbërie Nagavcit dhe 5% Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që në krye ka ministrin Liburn Aliun.

Pak më mirë me vetëm 2% më shumë, pra 7% qëndron Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, dhe 9% Ministria e Mbrojtjes nga Armend Mehaj.

Primatin e të gjitha ministrive për shpenzime kapitale e ka Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e cila për tre muaj ka shpenzuar 59% të buxhetit në investime kapitale.

Për përqindjen e ulët të shpenzimeve në investime kapitale ka folur ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Ai ka thënë se tre mujoriti parë gjithmonë është më i dobët dhe këtë e thotë për disa arsye.

“Tre mujori i parë gjithmonë është më i dobët në lëmin e investimeve kapitale sepse buxheti fillon me 1 janar, dhe organizatat buxhetore nuk janë të përgatitura që t’ia nisin punës menjëherë me këtë datë sepse i kanë disa procedura që kërkojnë kohë prej miratimit të buxhetit dhe e dyta është sezoni i dimrit sepse nëse janë punët që duhet të kryhen jashtë nuk ka mundësi me u kry”, u shpreh Shatri.

Por, pavarësisht kësaj, thotë se është shqetësuese niveli i aktivitetit.

“Por, është shqetësuese sepse niveli i aktivitetit në këtë tre mujor ka qenë shumë i ulët dhe si duket është vazhdimësi e dinamikës të investimeve kapitale të dy viteve paraprake, pra vazhdimësi e aktivitetit të dobët investiv, është vazhdimësi e asaj periudhe”, ka thënë ai.

Shatri, ka deklaruar se pret që në muajt e ardhshëm kjo qeveri të punojë më shumë në këtë aspekt, pasi që ka hyrë në vitin e tretë të Qeverisjes.

“Po shpresojmë që në muajt e ardhshëm të kfillen pak, është viti i tretët i qeverisjes dhe tash më nuk mund t’i shajnë qeverisjet paraprake dhe shpresoj që të kenë bë përvojë sepse nuk kanë pas e ia fillojnë ndonjë pune”, ka shtuar ish-ministri Haki Shatri.

Zyra e Presidentit 80% shpenzime në investime kapitale për tre muaj, Kuvendi 0%

Hiq më mirë se pesë ministritë nuk qëndron as Kuvendi i Kosovës.

Edhe ky i fundit, për tre muaj sipas raportit financiar ka pasur 0% shpenzime në investime kapitale.

Por, ndryshe nga Kuvendi qëndron Zyra e Presidentit.

Për tre muaj, Zyra e Presidentit ka shpenzuar buxhet prej 80% në investime kapitale.