A do të ketë rritje të çmimeve të derivateve në Kosovë? – deklarohet kryetari i Naftëtarëve

Fotografi ilustruese

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të hënën, pasi Arabia Saudite ka thënë se do të zvogëlojë për një milion fuçi në ditë, sasitë e prodhimit, përgjatë muajit korrik. Se si do të ndikojë kjo në Kosovë Insajderi e ka pyetur kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

Berjani ka thënë se ende nuk ka një deklaratë nëse do të ketë reduktim apo rritje të prodhimit, gjegjësisht nuk dihet ende nëse do të ketë rritje të çmimeve të derivateve në Kosovë.

“Dihet se çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese OPEC. Sa herë që kemi prodhim të derivateve të mjaftueshëm kemi ulje të çmimit po edhe te reduktimi i prodhimit të derivateve kur është kemi rritje të çmimit”, ka shpjeguar ai.

Reklama e sponzorizuar

“Po akoma nuk kemi një deklaratë të organizatës prodhuese OPEC se a do të kemi reduktim të prodhimit apo rritje të prodhimit”, u shpreh Berjani.

“Ne nuk mundemi me paragjyku se çfarë çmime do të kemi në ditët ne vijim sepse prodhimi i derivateve nuk varet nga Kosova“, potencoi ai.

Është raportuar se pjesëtarë tjerë të grupit të shteteve që prodhojnë naftë, OPEC+, janë pajtuar për zvogëlim të prodhimit, për t’i stabilizuar çmimet.

Vendet e OPEC+ zotërojnë gati 40 për qind të naftës së papërpunuar, dhe vendimet e tyre mund të kenë ndikim të madh në çmime të naftës.

Kujtojmë se çmimet e naftës janë rritur prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, vitin e kaluar, por tani janë në nivelet e para nisjes së konfliktit.