Pse vetëm në Kosovë nuk është lajm ngritja e interesave bankare?!

Tash e sa muaj, më saktësisht që nga gushti i 2022-tës, ngritja e interesave bankare dhe çmimeve të shumë produkteve të tjera të shërbimeve në bankat komerciale të Kosovës është bërë përditshmëri. Prandaj, kosovarët vazhdojnë ta konsiderojnë këtë informacion sikur fare të rëndomtë, të ditur dhe të mësuar për të bashkëjetuar me shtrenjtim të vazhdueshëm të shërbimeve bankare të bankave që afarojnë në Kosovë. Pse heshtë BQK-ja dhe pse nuk u dëgjua në asnjë rast dhe asnjë herë zëri i Guvernatorit të ri, rreth ngritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bankare në Kosovë.

Mehmet GJATA

E dhëna se “bankat në Kosovë i shtrenjtojnë sërish kreditë”, i publikuar dje nga Buletini Ekonomik, por edhe nga disa medie të tjera kosovare, tash e disa muaj të këtij viti, praktikisht, nuk paraqet top-lajm as për medie, as për opinionin. Tash e sa muaj, më saktësisht që nga gushti i 2022-tës, ngritja e interesave bankare dhe çmimeve të shumë produkteve të tjera të shërbimit në bankat komerciale të Kosovës është bërë përditshmëri. Prandaj, kosovarët vazhdojnë ta konsiderojnë këtë informacion sikur fare të rëndomtë, të ditur dhe të mësuar për të bashkëjetuar me shtrenjtim të vazhdueshëm të shërbimeve bankare të bankave që afarojnë në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, në gusht të vitit të kaluar, kur për shkak të rritjes së inflacionit në Eurozonë, Banka Qendrore Evropiane, pas 11 vitesh kishte rritur normën e interesit të kredive, jo vetëm ishte top-lajmi, që dominoi shtyllat kryesore të medieve, por, në një farë mënyre, trandi politikat monetare në tregjet ndërkombëtare financiare. Dhe, ky është dallimi evident i afarizmit të bankave në Evropë, ku megjithë krizat e ndryshme, ndodhë tepër rrallë ngritja e interesave bankare dhe bëhet “nami” kur ndodhë kjo, dhe zhvillimeve bankare në Kosovë, ku, bankat, gjithmonë, kanë ngritur interesat bankare me synime të arritjes së mbifitimeve të mëdha dhe të shpejta, si kanë dashur dhe kur kanë dashur ato.

Por, t’i kthehemi ecurive të rritjes së interesave të kredive në Kosovë, në muajt e fundit. Sipas, Buletinit Ekonomik, brenda vetëm dy muajsh, bankat në Kosovë kanë shtrenjtuar normat e interesit në disa lloje të kredive, ndërsa rritje e vazhdueshme vërehet tek kreditë konsumuese. Nga ky lloj i kredisë prekën pjesa më e madhe e qytetarëave të Kosovës pasi ka pjesëmarrjen më të lartë në portfolion kreditore.

Në muajin prill 2023, norma mesatare e interesit në kredi, në bankat komerciale të kosovës, ka arritur në 6.3 për qind, thuhet në raportimin mujor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Rritje konstante nga muaji në muaj vërehet sidomos tek kreditë konsumuese. Kështu norma mesatare e interesit tek kreditë konsumuese ka arritur në 6.3 për qind në muajin prill, derisa vetëm një muaj më herët, në mars, ishte 6.2 për qind. Vitin e kaluar, kamata për këtë lloj kredie ishte nën 6 për qind.

Nga viti kaluar, sipas të dhënave që ka bërë publike Buletini Ekonomik, ekonomitë familjare janë “zhytur” edhe me shumë borxhe ndaj bankave, ku rritja vjetore e kredive për familjet është 16.1% Por, duhet theksuar se nga rritja e interesave për kredi nuk kanë shpëtuar as bizneset. Siç dihet, diku pas gjysmës së vitit të kaluar, për shkak të rritjes së inflacionit në Eurozonë, Banka Qendrore Evropiane pas 11 vitesh kishte rritur normën e interesit të kredive. Dhe, ende pa u fuqizuar mirë vendimi për këtë, bankat komerciale me një nguti të madhe në gusht të 2022-tës ngritën normën e interesit për biznese në 6.05%. “Norma efektive për kredi të lëshuara për korporatat jo financiare në fund të muajit gusht 2022 ishte 6.05% për dallim prej fundit të vitit 2021 kur ishte 5.72%, ndërsa për ekonomitë familjare në muajin gusht 2022 ishin 5.89% për dallim prej fundit 2021 që ishte 5.95%.”, thuhej në informacionin e Shoqatës së Bankave të Kosovës, të publikuar në mediet e vendit.

Vjet, siç dihet, shkakun e rritjes së interesave për kredi bankat e këtushme komerciale, e sidomos BQK-ja e ndërlidhte me zhvillimet e normës referente të Euroborit, e që është jashtë kompetencave të bankave në Kosovë, pra varet nga zhvillimet tjera ekonomike në nivel të Bashkimit Evropian. Ndërsa, sivjet, përkatësisht për këto rritjet e fundit të interesave të kredive, ende, zyrtarisht nuk është proklamuar ndonjë shkak i vërtetë.

Por, sido që të jetë, në Kosovë, nuk ka fare asnjë arsye të vetme për rritjen e interesave për kredi bankare, qofshin ato familiare, apo biznesore. Bankat kanë siguri të qind për qindt të zhvillimit të veprimtarisë së tyre, nivel ndër më ultin në rajon dhe më gjerë të kredive të këqija, akumulim shumë të madh të depozitave bankare, mbase edhe rekord (vjet depozitat bankare në Kosovë kanë arritur në 5 miliardë e 554 milionë euro, ndërsa deri në muajin prill të 2023-ës depozitat kanë arritur në 5 miliardë e 575 milionë euro), siç është enorm edhe numri kredimarrësve, sidomos të atyre familjarë, të cilët nuk kanë rrugëzgjidhje tjetër për të plotësuar nevojat e domosdoshme të familjes, pos të huazojnë para nga bankat, qofshin ato me interesa ndër më të lartat në Evropë, siç vazhdojnë të jenë në vendin tonë (vjet janë regjistruar 4 miliardë e 350 milionë euro të dhëna kredi, ndërsa deri në prill të këtij viti janë regjistruar 4 miliardë e 562 milionë euro).

Duhet theksuar se bankat komerciale të Kosovës, 11-12 sosh sa janë aktualisht, shquhen, pos tjerash, edhe me fitime super të mëdha neto, që ua kanë lakmi edhe bankat që afarojnë në shtetet e mëdha për nga numri i banorëve, por edhe të fuqishme financiarisht. Saktësisht, në vitin e kaluar, bankat komerciale të Kosovës kanë shënuar fitim neto mbi 140 milionë euro, ndërsa sivjet, deri në muajin prill neto-fitimi i bankave komerciale të Kosovës kapi shumën e mbi 53 milionëve.

Sipas një përllogaritjejje të një njohësi të mirë të politikave bankare në vendin tonë, norma e fitimit neto te bankave për 2022 ka qene 44.5 për qind. Ose,, sipas tij, nëse banka ua ka marrë 100 euro, pas pagesës se krejt shpenzimeve, i fiton 44.5 euro. “Kaq nuk fitojnë as diIerat e drogës”, thotë ai në një status të publikuar në rrjetet sociale. Gjithkund në botë norma e fitimit prej 10 për qind konsiderohet e kënaqshme, 20 për qind-shumë e mirë, ndërsa “50 për qind konsiderohet thjesht plaçkë”, ka shkruar ai.

Dhe, këto shifra të afarizmit të bankave, që pa dyshim, janë ndër më të favorshmet të shënuara ndër të gjitha shtetet e rajonit dhe përtej, janë dëshmi e padiskutueshme se në Kosovë nuk ka asnjë arsye të vetme për të ngritur interesat për kreditë bankare, dhe as çmimet për shërbimet e tjera që kryejnë bankat komerciale. Por, bankat e instaluara këtu, shumica absolute me seli jashtë Kosovës, nuk ndiejnë për shifrat e favorshme afariste. Ato duan të shtojnë superfitimet pa zgjedhur mjetet, pa pyetur kend në botën kosovare dhe duke shfrytëzuar momentumin që është varfëria kulmore e popullsisë së këtij vendi. Varfanjakët e shumtë kosovarë, për të jetuar dhe për shtyrë muajin me muaj, thjesht janë të detyruar të kërkojnë kredi. Dhe bankat e këtushme, e kanë të qartë këtë fakt, dhe e shfrytëzojnë më së miri dhe më së thjeshti: Rrisin normat e interesit dhe çmimet e shërbimeve. Kurrkush nuk ua prishë “terezinë” dhe ato vazhdojnë të aplikojnë inetresa të reja dhe çmime të ngritura për produktet e tjera bankare.

Më as BQK-ja, as bankat komerciale që kërkojnë dhe aplikojnë gjithë këto ngritje të çmimeve të produkteve bankare, siç ndodhi këtyre ditëve me ngritjen e re të interesave bankare, nuk e bëjnë më arsyetimin, siç e bënë për gjithë këto vite, se gjoja risku i lartë në Kosovën e pasluftës, qenka shkaku i kamatave të ngritura, i gjithë kësaj “loje” jashtë normave të ‘ferpleit” të afarizmit bankar. Nuk “pi ujë më” ky arsyetim bezdisës dhe i paqëndrueshëm fare as në opinionin e brendshëm as në atë të jashtëm. U dëshmua katërciprisht dhe jo një herë se në Kosovë nuk ka risk të lartë, madje as të ulët.

Kosova, në bazë të standardeve të matjes së riskut, është vendi më i sigurtë në rajon: në Kosovë në gishta i numëron rastet të ketë ndodhur ndonjë vjedhje, ose thyerje e ndonjë institucioni bankar. Ndërkohë, në këto periudha, anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kanë ndodhur X raste të vjedhjeve të bankave. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas zyrtarëve të BQK-së, janë gjithsej diçka mbi 2 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare në kredidhënie dhe përgjithësisht në afarizëm bankar.

Shi për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në rrethana të tranzicionit dhe shumë pak vite pasluftës ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale. Tani, kërkesat për kamata të larta bankat në Kosovë pretendojnë t’i arrijnë me arsyetimin “si pasojë e rritjes së normës se EURIBOR-it në tregun evropian”. EURIBOR (shkurt për Euro InterBank Offered Rate ose përkthyer si Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane). Mirëpo, nuk nevojitet të bëhet ndonjë analizë e thelluar dhe e detajuar për të parë se edhe arsyetimet për rritje të kamatave si pasojë e rritjes së normës se EURIBOR-it në tregun evropian”, është i paqëndrueshëm fare për bankat kosovare. Sepse, siç konstaton BQK-ja vet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” EURIBOR (ose Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane).

Ndërsa, në Kosovë, asnjëra nga 11-12 bankat komerciale ekzistuese nuk janë as elitare, as për t’u vlerësuar të mëdha në tregjet ndërkombëtare të parasë. Prandaj, po e përsërisim, siç konstatoi kohë më parë edhe një vrojtues dhe njohës i proceseve bankare, bankat e Kosoves shpërfaqin në mënyrë të kamufluar, por edhe hapur pretendimet për ta shfrytëzuar rastin për të plaçkitur kosovarët e varfër të Kosovës, të zhytur në kredi me rritje të reja të kamatave. Është kamuflim dhe farsë thirrja në Euribor. Sipas tij, për kredi hipotekare rritja e kamatës është enorme, nga 4 në 6 për qind, apo 50 për qind e kamatës, që shprehur në para i bie mijëra euro më shumër për secilin. Shi për këtë “Banka Qendrore duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi e gjithë kjo është e tëra e paligjshme dhe jashtë rregullave. Sepse, siç shpjegon ai, Euribori paraqet kamatat që bankat e aplikojnë kur iu japin kredi njëra tjetrës. Nëse një bankë kosovare ka marrë kredi për t’i kredituar klientët e vet, Euribori është legjitim. Por, këto banka (bankat komerciale të Kosovës, pra) jo vetëm që nuk kanë marrë kredi, por kanë para të depozituara me thasë (mbi 5, 3 miliardë depozita te kosoarëve, ka raportuar BQK-ja deri në nëntor të vitit të kaluar), të cilat rrinë për shkak të kamatave të larta që i kishin për kredi, edhe kur Euribori ishte në minus. Së dyti, sipas njohësit të zhvillimeve bankare të vendit, bankat nuk e zbritën Euriborin nën zero, edhe kur ai kishte vlerë negative. Pra, në kushtet që të ofron një bankë kosovare, vlera minimale e Euriborit është zero, edhe kur në tregjet evropiane ishte me vlerë negative, siç qëndroi shumë vite. Sikur bankat tona të huazonin në Euribor dhe t’u jepnin kredi me kamata të volitshme bizneseve tona, sot ekonomia jonë do të ishte më e zhvilluar. Por, nuk e bënë këtë dhe tash duan t’i vjelin benefitet vetëm pse vlera e tij është rritur.

Kështu nuk ndodhë askund në botë, prandaj kjo thënë troç është plaçkë e bankave, ka konstatuar njohësi i rrethanave bankare. Thënë ndryshe, bankat komerciale në Kosovë (gjithsesi me mbështetje të BQK-së) duan të pasurohen edhe tani, në këto rrethana krizash, pa zgjedhur mjetet dhe pa “ferplejin” e domosdoshëm edhe në “lojërat” afariste dhe biznesore. Thjesht, me çdo kusht duan të fitojnë para shumë, duke mbajtur nivele të larta interesash mbi çdo parashikim dhe më të larta se kudo në ndonjë shtet të botës dhe duke ngritur çmimin e shërbimeve në stratosferë, përtej çdo parashikimi dhe krahasimi me të tjerët.

Në këtë mënyrë, bankat komerciale në Kosovë nuk ndiejnë për krizën ekonomike dhe financiare që e ka përfshirë Kosovën, as për varfërinë e madhe të shumicës së kosovarëve, klientë permanentë të këtyre bankave, as për çmimet e këtoditëshme gjithjë në ngritje enorme. Ato, krizë e pa krizë, duan thjeshtë të fitojnë shumë, të rrisin profitin e tyre. Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës, e cila sipas legjislacionit në fuqi tani e shumë vjet me herët, është “kupola” bankare e vendit, dhe si e tillë, do të duhej të monitorojë ngritjen e çmimeve të produkteve bankare kurdoherë dhe në të gjitha rastet kur atakohet dhe vëhet në vështirësi klientela bankare kosovare, vazhdon të heshtë dhe është bërë një soditëse monotone dhe bezdisëse e veprimeve zhvatëse të bankave komerciale. Banka Qendrore e Kosovës, BQK-ja famoze, sovrane vetëm kur bëhet fjalë për ta injoruar mbrojtjen e interesit të klientelës, dhe asnjëherë sovrane deri më tash kur është fjala te “mbyllja e syve” ndaj shkeljes së “ferplejit”, por në raste jo të rralla edhe të legjislacionit, të miratuar nga vet “kupola bankare”.

Heshtja permanente e BQK-së ndaj ngritjes kaq të shpeshtë të çmimeve të shërbimeve bankare nga bankat komerciale, deshëm s’deshtëm ne, e bënë të diskutueshme këtë “tolerancë” të BQK-së, veçmas të stafit udhëheqës të saj. Tani vazhdon të heshtë dhe të mos dëgjohet në asnjë rast të vetëm as zëri i Guvernatorit të ri, i preferuari i subjektit që mbanë pushtetin. Duket që po e parapëlqen kolltukun e të parit të BQK-së, sikundër paraardhësit e tij. Në asnjë rast të vetëm, qëkur është ulur në karrigen e guvernatorit, asnjë fjalë të vetme nuk e ka dëgjuar opinioni as kundrejt ngritjeve të shpeshta të çmimeve të shërbimeve bankare. Ndoshta, akoma nuk e ka parë raportin e Bankës Qendrore të Kosovës “Ngrakesa me borxh e ekonomive familjare në Kosovë”, sipas të cilit, 1.8 për qind e kosovarëve me të hyrat që kanë, nuk mund ta mbulojnë këstin e kredisë që e kanë në bankat komerciale në Kosovë, ndërkaq 3.8 për qind të qytetarëve, kredia ua merr 75 për qind deri në 100 për qind të të hyrave.

Dhe, sipas këtij raporti, në fazën e parë të mbingarkesës me borxh – në rrezik për mbingarkesë janë 21.8 për qind të huamarrësve, pra qytetarëve, për shkak se kësti mujor i huasë përbën 50 deri në 75 për qind të të hyrave mujore. Ndërkohë që në fazën kritike të ngarkesës me borxh (në këtë fazë, kreditë ua marrin qytetarëve 75 deri në 100 për qind të të hyrave mujore), po sipas këtij raporti të BQK-së, janë 3.8 për qind e qytetarëve, ndërsa rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore, përbëjnë 1.8 për qind të mostrës së huamarrësve./Buletini Ekonomik