Ulet çmimi i banesave në botë, në Kosovë ende çmimet konstante të larta

Fotografi ilustruese

Në Gjermani, në tre mujorin e parë të 2023-tës mesatarisht kanë rënë çmimet e banesave 6.8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ulje çmimesh të banesave po ndodhin edhe në shumë vende të tjera të botës. Në Kosovë, vazhdojnë çmimet konstante të larta të patundshmërive, por ka edhe goxha kërkesa për shtiblerje. Pra, ka interesime për të blerë patundshmëri, sidomos banesa edhe pse tregu vazhdon të mbetët me çmime konstante, të larta dhe pa ulje fare, qoftë edhe simbolike, si ndikim i ecurive të uljes së çmimeve që kanë zënë të ndodhin në botë. Ndërsa, njohësit e rrethanave, janë të bindur se në një të ardhme, ndoshta edhe më të afërt, edhe në Kosovë, do të ndodhë ulja e çmimit të banesave.

Mehmet GJATA

Në Gjermani, në tremujorin e parë të këtij viti (2023) janë ulur çmimet e banesave më së shumti që nga viti 2000. Sipas Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë, në tre mujorin e parë të 2023-tës mesatarisht kanë rënë çmimet e banesave 6.8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ka transmetuar agjencia dpa. Kjo është rënia më e madhe e çmimit të banesave në 23 vjetët e fundit në Gjermani.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të medieve të këtij shteti, rënia e çmimeve të banesave që ka nis të ndodhë që në vitin e kaluar, e sidomos në gjysmën e dytë të vitit që shkoi, po shënohet si në qytete, ashtu edhe në rajonet rurale të vendit, por ulje më të ndjeshme të çmimeve janë shënuar në qytetet e këtij shteti të pasur dhe të fuqishëm ekonomikisht, si në Berlin, Hamburg, Munih, Keln, Frankfurt, Shtutgart dhe Dyseldorf.

Në këto qytete shtëpitë për një familje dhe ato për dy sosh, janë ulur çmimet për 10,4 për qind, ndërsa çmimi i banesave ka rënë për 6,4 për qind krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Ndërsa si faktorë kryesorë që kanë ndikuar në këtë ulje çmimi analistët vlerësojnë se janë rritja e madhe e shkallës së kamatave, që ka shtrenjtuar ndjeshëm kreditë dhe inflacioni imponues që ka zvogëluar fuqinë blerëse të qytetarëve.

Në këtë vit, ulje çmimesh të patundshmërive, sidomos të banesave dhe të shtëpive janë shënuar edhe në shumë shtetet të tjera të Europës dhe botës. Sipas OECD-së, çmimet kanë rënë me 14% në Suedi dhe në Zelandën e Re, që nga kulmi i tyre, ndërsa në Australi, kanë rënë me 9%.

Të dhënat e sotshme të ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Gjermani tregojnë se pas shpërthimit të vrullshëm të shitblerjeve të paluajtshmërive në shumë vende të botës dhe ngritjës enorme të çmimeve në këtë sektor, që pasoi krizën financiare globale të viteve 2007-‘09, ku dukej sikur çmimet e banesave nuk do të ndalnin kurrë rritjen, tregojnë se megjithatë sot gjërat janë shumë më ndryshe. Në vendet e pasura, nga Amerika në Zelandën e Re, sipas medieve botërore, shitjet kanë rënë, pasi bankat qendrore kanë nisur shtrëngimin më të fortë të politikës monetare në katër dekada dhe çmimet domosdo kanë zënë të ulen.

Ndërkohë, në shtetet e rajonit vazhdojnë të mbetën akoma çmimet e larta, aty-këtu ka edhe çmime të ngritura, sidomos në qytete të mëdha dhe në qendrat e tyre, të shteteve të rajonit. Por, ngritja e vrullshme e madhe e çmimeve të banesave në shtetet e rajonit ka ndodhur, sidomos në vitet sa zgjati pandemia Covid19 dhe kriza energjetike në këto vende në një farë mënyre tendenca e ngritjës së çmimeve të paluajtshnmërive në shtetet e rajonit ka vazhduar edhe më 2022. Rritja mesatare e çmimeve të apartamenteve në Tiranë në 6-mujorin e parë të 2022 është e njëjtë me shtrenjtimin e pronave në Podgoricë të Malit të Zi, referuar analizave të tregut nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore malazese, transmetojnë mediet shqiptare. Sipas analizës së departamentit të kërkimeve në Bankën e Shqipërisë çmimet mesatare të apartamenteve në Tiranë për 2022 arritën në nivelin e 1,175 euro për metër katror. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 rritja e çmimeve mesatare është 15,6% dhe për zonat e brendshme 18,3%. Madhësia e kampionit përbëhet nga 30,467 njoftime, që u referohen vetëm banesave, pa përfshirë në analizë pronat për qëllime tregtare.

Rritja mesatare e çmimeve të apartamenteve në Tiranë është e njëjtë me ndryshimin mesatar të çmimeve të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricës. Sipas analizës së tregut të pasurive të paluajtshme në raportin makroekonomik të bankës Qendrore të Malit të Zi, çmimi mesatar i apartamenteve në Podgoricë arriti në 1,248 euro për metër katror.

Krahasuar me 6 mujorin e parë të 2021 rritja e çmimeve në Podgoricë është 15,7%, në të njëjtat nivele sa në Tiranë. Në bazë të të dhënave të analizës së Bankës Qendrore në Podgoricë për gjysmën e parë të vitit 2022, çmimi mesatar më i lartë i apartamenteve ishte në zonën e parë dhe arriti në 1,449 euro për metër katror. Në zonën e dytë dhe të tretë, çmimet për metër katror ishin më të ulëta dhe arritën përkatësisht në 1,249 euro dhe 1,140 euro për metër katror. Në raport theksohet se çmimi individual i banesave varionte ndërmjet çmimeve 3,000 euro për metër katror për pronat në qendër dhe 555 euro për metër katror pronat në periferi. Krahasuar me çmimet individuale të pronave në Tiranë periferia shqiptare është shumë herë më e shtrenjtë se ajo e Malit të Zi.

Ndërsa në ndërtimet e reja si zona e ish-Bllokut çmimet e apartamenteve ofrohen me 3,500 euro për metër katror.

Ndërkohë, tregu i banesave vazhdon të mbetet goxha i veçantë në Kosovë, ku ka shumë ofertë (me qindra-mijëra banesa anekënd qendrave urbane të Kosovës, presin blerësit eventual dhe njëkohësisht vazhdohet të ndërtohët me ritëm të imponueshëm komplekse banesash të reja) dhe vazhdojnë të mbajnë çmime goxha të larta për rrethanat financare të kosovarëve. Dhe, pavarsisht cilësimit “si një vend të mirë për blerje pronash dhe investime kapitale” të prestigjiozes “Daily Mail” dhe pavarësisht vlerësimit të kësaj gezete se “në zemër të Ballkanit, Prishtina e Kosovës është më e përballueshmja nga të gjitha kryeqytetet evropiane për blerësit e shtëpive”, për kosovarët, me fuqi blerëse shumë diskutabile, çmimet e banesave mbesin të larta dhe për pjesën dërrmuese të banorëve, thuaja, të pakapshme. Sidomos tani, kur bankat komerciale të instaluara në këtë vend, kanë ashpërsuar ndjeshëm politikat kreditore dhe kanë rritur goxha shumë kamatat për kredi.

Duhet thënë se sado që në Kosovë nuk ka statistika të sakta rreth lëvizjeve të çmimeve të patundshmërive (tokave, shtëpive dhe banesave në ndërtesa kolektive), është evidente se në këto vite pati ngritje enorme të çmimeve të pasurive të paluajtshme, megjithë faktin se ndryshojnë esencialisht faktorët që kanë ndikuar në rritjën e këtyre çmimeve, sidomos të tokave në disa vende të Kosovës dhe të banesave thuaja në të gjitha qendrat komunale e sidomos në kryeqytet.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në tremujorin e katërt të 2022-tës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM4 2021), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 16.7%. Rritja e indeksit, kryesisht u vërejt te: transporti (40.4%); makineritë (17.8%); materialet (17.6%); kostot e tjera (12.5%); dhe pagat (9.6%). Ndërsa, rënie u vërejt te energjia (-15.2% )”, thuhet në njoftimin e ASK-së. Por, pavarësisht ngritjes së çmimeve në vitin e fundit, shifrat e kërkimit të lejeve ndërtimore janë të ritmit të njëjtë si të viteve të shkuara, kanë theksuar zyrtarët e komunës së Prishtinës për medien. Sektori i ndërtimit në Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë një aktivitet të vrullshëm vitet e fundit. Edhe numri i kompanive ndërtuese, përkundër vështirësive evidente për të gjetur punëtorë dhe mjeshtër ndërtimesh, është shtuar ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare të që u publikuan së fundi nga INSTAT, gjatë vitit 2021, në Kosovë ndërtimi zuri mbi 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Republikën tonë të dytën në rajon, pas Shqipërsisë (me 11 për qind të PBB-së) sa I përket rëndësisë që ka sektori I ndërtimit në ekonomik. Në Shoqatën e Ndërtimtareve të Kosovës dhe agjencitë e patundshmërisë, thonë se rritja e çmimeve të shitjes dhe qirave të banesave ka ndodhur për shkak të inflacionit dhe rritjes së materialeve ndërtimore. Ata madje theksojnë se kjo rritje e çmimeve të materialeve ndërtimore është pothuajse 100 për qind në krahasim me vitin 2020.

Sipas ndërtimtarëve të Kosovës, rritje të madhe të çmimeve në vitin e fundit kanë pasur materialet, transporti dhe puna e ndërlidhur me ndërtim. Mirëpo, ndërtimtarët nuk e apostrofojnë edhe aq shumë dhe si faktorë goxha vendimtar për koston e banesave çmimin e tokave që po kështu ka shkuar në qiell dhe si i tillë është bërë përcaktues i çmimit të një banese. Edhe çmimi i tokave, sikundër ai i të gjitha patundshmërive është shumë heterogjon dhe si i tillë ndryshon shumë nga qyteti në qytet, nga rajoni në rajon, nga vendbanimi në vendbanim, madje edhe nga lagja në lagje.

Por, tokat në kryeqytet dhe përreth dhe në disa qendra të tjera komunale tashmë thuaja janë bërë të paprekshme. Aktualisht një ari troll në pjesë me afër qendrës së Prishtinës tregtohet me çmimm marramendës, por çmimet e tokave tashmë kanë arritur në qiell edhe në disa vendbanime më herët të vlerësuara fare periferike nga Prishtina.

Këto ditë, bie fjala, në Bresje të Fushë-Kosovës dhe në Çagllavicë një ari troll në një vend paksa më pikant nuk mund ta gjesh nën 20 mijë euro. Ka shkuar në qiell, sidomos çmimi i tokave që tani janë bërë të afërta me komplekset e ndërtimit të banesave kolektive, por edhe të hapsirave dhe godinave për biznes.

Sidoqoftë, çmimi i banesave në Kosovë, është shumë i lartë, sidomos kur krahasohet me fuqinë blerëse të kosovarëve dhe potencën e tyre financiare. Në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet metri katror i një banese me 3.000 e 4.000 euro, ndërkohë me 2021 ky çmim ka lëvizur nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro. Njësoj me çmime të ngritura shumë, shiten edhe banesat në lagjet në afërsi të drejtëpërdrejt me qendrën, por edhe në zonat më periferike të kryeqytetit, ku një metër katror ka arritur në 1.000 deri në 1.500 euro, çmim ky që në vitin 2021 sillej nga 750 deri në 850 euro.

Çmimet e banesave janë ngritur ndjeshëm edhe në qendrat e tjera të Kosovës, dhe tani një metër katror në zonat e qendrave komunale thuaja askund nuk mund të gjesh nën 700-900 euro dhe përtej, ndërkohë që në vitet paraprake në qytetet e shumta të Kosovës, edhe përgjatë zonave të qendrës, ka dominuar çmimi prej 400-500 eurosh. Është evidente, pra, se çmimi i patundshmërive në Kosovë, në dy-tre vjetët e fundit ka shënuar ngritje të madhe. Po të krahasohen çmimet aktuale që e dominojnë tregun e banesave në Kosovë me çmimet e 1,5-2 vjetve të kaluara, del që ato të jenë shkuar në qiell. Por, po kështu është evidente se në mbarë Kosovën, në kryeqytet sidomos, por edhe në qendrat e tjera komunale, ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, dhe trendi i ndërtimeve po vazhdon hovshëm, sadoqë ndërtimtarët pretendojnë ta minimizojnë ritmin imponues të ndërtimeve banesore.

Në Kosovë, gjithandej, në kryeqytet, në qendra te tjera komunale më të mëdha, por edhe në ato më të vogla, po ndërtohet shumë, megjithë faktin se ka kohë që në tregun e banesave në vendin tonë dominon në përmasa goxha të mëdha oferta karrshi kërkeës.

Megjithatë, siç shihet, dhe siç dëshmojnë edhe të dhënat nga shitblerjet e banesave, krahas dominimit të ofertës dhe çmimeve enorme të larta të tyre, ka edhe goxha kërkesa për shtiblerje. Pra, ka interesime për të blerë patundshmëri, sidomos banesa edhe pse tregu vazhdon të mbetët me çmime konstante, të larta dhe pa ulje fare, qoftë edhe simbolike, si ndikim i ecurive të uljes së çmimeve që kanë zënë të ndodhin në botë.

Ndërsa, njohësit e rrethanave, janë të bindur se në një të ardhme, ndoshta edhe më të afërt, edhe në Kosovë, do të ndodhë ulja e çmimit të banesave. Sipas tyre, nuk mund të zgjatë pafundsisht anomalia në tregun e ndërtimeve në Kosovë (çmimet enorme të larta dhe kërkesë pokështu goxha konstante dhe pa rënie të theksueshme për të blerë banesa). /Buletini Ekonomik/