Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot edhe zyrtarisht ka emëruar Valon Prebrezën si udhëheqës të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas fotografive të publikuara në profilin e tij, afërsi shihet të ketë me figura të larta të Vetëvendosjes, si deputeten Fitore Pacolli dhe zëvendësministrin Avni Zogiani. Në shoqërinë e tyre Prebreza shihet edhe në ndeja private e në ditëlindje.
Në disa fotografi, ai shihet edhe brenda zyrave të Vetëvendosjes.
Nga Ministria e Ekonomisë nuk kishte pasur asnjë njoftim zyrtar deri më sot se Prebreza ishte vendosur në këtë pozitë, dhe as në media nuk ishte dërguar ndonjë komunikatë nga ministria në krye me Artane Rizvanollin.
Mirëpo, kjo ishte bërë e ditur në një postim të bërë në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë në Facebook, ku ishte njoftuar për investime në disa ndërmarrje publike në vlerë prej më shumë se 1 milionë euro, në hekurudha dhe në ujësjellës.
“Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe drejtori i ri i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza kanë lidhur një varg marrëveshjesh për financimin e projekteve kapitale të hekurudhave dhe ujësjellësit”, thuhej në këtë njoftim.