Në Ligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorëve janë bërë ndryshime dhe plotësime të rëndësishme rreth marrëveshjeve të kredive për konsumatorë, thuhet në analizën e Institutit “GAP”, “Mbrojtja e konsumatorëve në sektorin bankar”.
Por, përveç rregullimit ligjor, edukimi financiar i qytetarëve, konsiderohet thelbësor.
Studimet në vende të ndryshme tregojnë se edhe njerëzit që janë më të shkolluar dhe me të ardhura të mira kanë problem për të kuptuar konceptet financiare.
Sipas anketës se GAP-it, kosovarët nuk janë të njoftuar sa duhet me shërbimet bankare.
Shumë prej tyre hyjnë në obligime në banka pa i pasur infomatat e duhura rreth këtyre shërbimeve.
Anketa e GAP nxjerr në pah se në Kosovë rreth 35% e klientëve bankarë ngatërrojnë dallimin në mes të normës nominale të interesit dhe normës efektive të interesit.
Por cili është dallimi mes tyre?
Norma nominale e interesit është norma që ceket nga banka si normë e interesit në kontratë. Për shembull, banka mund të thotë se pagesa e interesit për një kredi është 10%. Kjo është norma që bankat zakonisht e theksojnë në reklamat e tyre. Por sapo të përfshihen edhe shpenzimet e tjera që lidhen me një kredi, norma “efektive” e interesit që një klient do të paguajë për kredi mund të jetë tejet e ndryshme nga ajo që është deklaruar si “normë nominale e interesit” e një kredie.
Kështu Norma Efektive e Interesit me fjale te tjera është totali i kostos së kredisë (interesi, komisionet lidhur me marrjen e kredisë, etj.). /Buletini Ekonomik/