55 për qind veç për ushqim e pije: Si i shpenzojnë paratë familjet kosovare?

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë më të varfërit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Shumica e ekonomive, më saktësisht 57 për qind, sipas ASK-së, nuk mund të përballojnë një javë pushim jashtë shtëpisë, qoftë në bregdet apo mal. Ndërsa 57 për qind e qytetarëve, sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), dëshirojnë largimin nga Kosova.

Që nga viti i kaluar, kosovarët po përballen me inflacion, që ka ndikuar në koston e jetës, rënien e fuqisë blerëse dhe varfërimin e qytetarëve. Të ardhurat për kokë banori nuk kanë ndryshuar shumë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shpenzojnë shumë për gjëra elementare.

E vërteta e hidhur shfaqet në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Sipas ASK-së, shumica e të ardhurave të qytetarëve të Kosovës shkon në konsum të ushqimit dhe pijeve alkoolike. Në tabelën e ASK-së, 55 për qind e të ardhurave të familjeve kosovarëve shkojnë për ushqim dhe pije joalkoolike. Pra kosovarët e shpenzojnë më shumë se gjysmën e të ardhurave për bukë, mish, vaj, fruta, perime, quëmsht, djathë, vezë, kafe, çaj e të ngjashme.

Reklama e sponzorizuar

Nëse krahasohet me mesataren e vendeve të BE-së, atëherë kjo shifër e shpenzimit në konsum të kosovarëve është shumë e lartë, pasi qytetarët e BE-së kane shpenzuar në vitin 2020 vetëm 17,1 për qind, siç edhe mund të shihet në tabelën e mëposhtme.

“Mesatarisht në BE më 2020, pjesa më e madhe (pak më shumë se çereku) i shpenzimeve të konsumit nga amvisëritë u është atribuuar “strehimit, ujit, rrymës dhe gazit” (ku përjashtohet blerja e banesave), ndërsa “ushqimi dhe pijet joalkoolike” përbënin 15 për qind e “transporti” për 12 për qind.” – thuhet në Eurostat.

14 për qind e të ardhurave të ekonomive familjare të Kosovës shkojnë për banim, ndërsa 7 përqind për transport dhe 6 për qind për veshmbathje. 35 për qind e ekonomive familjare, sipas ASK-së, e kanë pasur të papërballueshme pagesën një herë, dy ose më shumë gjatë vitit 2022, teksa 65 për qind kanë theksuar se e kanë qenë në gjendje të paguajnë.

Dje Hydi Morina nga ASK-ja deklaroi se 57 për qind e kosovarëve nuk kanë para për pushime njëjavore në bregdet, mal apo diku tjetër.

“Rreth 57% e ekonomive familjare nuk mund ta përballojnë një javë pushim jashtë shtëpisë, në bregdet, mal apo kudo. Nuk kanë hapësirë buxhetore që të kenë pushim prej një jave.” – deklaroi Morina në emisionin “SOT” të KTV-së.

Kritika e dikurshme e Kurtit

Në vitin 2020, Albin Kurti, atëbotë udhëheqës i LVV-së opozitare, shkruante një shkrim që titullohej “Mjerimi si shifër e shtetit”. Në atë shkrim, Kurti konkludonte se në Kosovë jetohet keq.

“Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018. E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë.” – shkruante Kurti.

Kurti tregonte edhe ca shifra nga ASK-ja, për të konfirmuar konkludimin se në Kosovë jetohet keq.

“Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;

– Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur.” – shkruante Kurti.

Pastaj, Kurti shkruante se mjerimi social nuk është fakteqësi natyrore.

“Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot. Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalur nga kontrolli institucional.

Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë. Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë. Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre.” – përfundonte shkrimi i Kurtit.