ATK-ja do t’i mbikëqyrë personat e pasur përmes një projekti specifik

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka lansuar projektin më të ri për përmbushje tatimore “Personat e pasur”.

Përmes një njoftimi në Facebook bëhet e ditur se projekti ka për qëllim identifikimin e personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme, e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, joqeveritare, financiare me qëllim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie, rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, si dhe zvogëlimin e hendekut tatimor si rezultat i mosdeklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta.

Ky projekt ka qëllim të qartë dhe të rëndësishëm: të sigurojë që personat e pasur kontribuojnë në mënyrë adekuate dhe të drejtë për financat e shtetit. Fushëveprimi i këtij projekti do të jetë i shtrirë në kategorinë e personave si në vijim:

Reklama e sponzorizuar

Kategoria I – Personi, pasuria e të cilit është mbi 1 milion euro deri në 5 milionë euro;

Kategoria II – Personi, pasuria e të cilit është mbi 5 milionë euro deri në 10 milionë euro;

Kategoria III – Personi, pasuria e të cilit është mbi 10 milionë euro deri në 20 milionë euro; dhe

Kategoria IV – Personi, pasuria e të cilit është mbi 20 milionë euro.

“Përmes këtij projekti synohet që të reduktohet evazioni tatimor dhe të përmirësohet efikasiteti i sistemit të tatimeve për personat e pasur. Ky projekt do të sjellë transparencë, drejtësi dhe njëkohësisht do të krijojë një bazë më të qëndrueshme të burimeve për të investuar në sektorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Projekti do të sigurojë që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen barabartë para ligjit dhe të ndiejnë një angazhim të përbashkët për të kontribuar në mirëqenien e vendit.