Çmimi i druve “në hava”, një metër kub 70 euro

Një metër dru, në tregjet e druve në Prishtinë, që karakterizohen me ofertë të shumtë, sot (14 korrik 2023), kushtonte hiç më pak se 70 euro. Me çmimin aktual, 70 euro për një metër kub dru, sa ka arritur tani çmimi në tregjet e druve në Prishinë, tregtoheshin drutë në nëntor të vitit të kaluar, në ditët kur kishte arritur të ftohtit dhe kur temperaturat e ulëta ishin bërë të zakonshme në prag të dimrit të pritshëm.

Buletini Ekonomik

Jemi në muajin korrik, në gjysmën e muajit thuaja më të nxehtë të vitit, kur deri në dimër ka edhe ca muaj të gjatë, dhe çmimi i druve ka shkuar ‘në hava”. Një metër dru, në tregjet e druve në Prishtinë, që karakterizohen me ofertë të shumtë, më 14 korrik 2023, kushtonte hiç më pak se 70 euro. Ç’është e vërteta, në këtë çmim druvarët dhe tregtarët e drurëve kishin futur edhe ‘sharrimin” në tre pjesë së një metri gjatësi të drurëve të tregtuara këtyre ditëve.

Ky çmim është më i lartë sesa ai i vitit të kaluar në të njëjtën kohë, por edhe më i lartë se disa muaj më pastaj gjatë 2022-tës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat zyrtare statistikore.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), shtator 2022”, çmimi i një metri kub të druve ahu të zjarrit, ka kushtuar diku rreth 50 euro, ndëra nje metër kub të druve bung e qarr, po sipas të dhënave të ASK-së, në muajt deri në shtator ka kushtuar rreth 67 euro.

Me çmimin aktual prej 70 eurosh për një metër kub dru sa ka arritur tani në tregjet e druve në Prishinë, tregtoheshin drutë në nëntor të vitit të kaluar, në ditët kur kishte arritur të ftohtit dhe kur temperaturat e ulëta ishin bërë të zakonshme në prag të dimrit të pritshëm.

Një prishtinas i moshuar, i cili furnizohet që në muajt e verës me sasinë e nevojshme të druve dhe që tashmë është mësuar më ecurinë e lëvizjeve të çmimeve të druve, ende të konsumuara nga një numër jo i vogël kryeqytetasish për ngrohjen e shtëpive të tyre, shprehte sot drojën për ngritje të madhe të çmimeve të druve gjatë këtij viti.

“Sivjet edhe në muajt e pranverës, kur rëndom deri më tani ulet ndjeshëm çmimi i druve, ato kishin çmim të lartë. Tani kanë arritur në 70 e më shumë euro për një metër kub, ndërsa frigohem se me muajt e parë të ftohtë dhe në prag të dimrit, çmimet do të shkojnë në stratosferë”, i ka thënë të premten Buletinit Ekonomik ai.

“Ky çmim i druve, dhe çmimet e pritshme edhe më të larta, do të detyrojnë shumë qytetarë të prishtinës, t’u kthehen sërish ngrohjes me rrymë, që edhe me çmimet e ngritura, do të jetë më e lirë se sa të ngrohesh me dru’, thotë një tjetër prishtinas, që pyeste për çmimin e druve te shumë druvarë dhe tregtarë të tyre.

Njëri nga druvarët që me vite tregton drutë në Prishtinë, duke kërkuar anonimitetin, shprehet i sigurtë për Buletin ekonomik se çmimi aktual shumë shpejtë do të ngritet sërish, dhe sipas tij, në çmimet e druve në muajt në vazhdim do të ndikojnë mungesa evidente e druve në malet rreth e qark Prishtinës, prej nga gjithmonë është furnizuar tregu i kryeqytetit, por edhe mungesa e fuqisë punëtore për të përgatitur drurin për treg.

“Nuk ka punëtorë sivjet. Askush nuk vie në mal. Ndonjë punëtorë që shprehet i gatshëm ta bëjë këtë punë kërkon shumë para, dhe nuk ka llogari ta paguajmë aq sa kërkon”, thotë ai.

Sa për ta përkujtuar: një metër dru bung dhe qarri më 2021, shitej 30, përkatësisht 35 euro. Tani i bie që në krahasim me dy vjet përpara, metri i druve në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës, tani është ngritur 100 për qind dhe më shumë. /Buletini Ekonomik/