Një letër e datës 7 prill që mban nënshkrimin e Armend Mujës drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, kishte mjaftuar që të anulohej konkursi i parë për zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Përmes kësaj letre, një kopje të së cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik, Muja, si kryetar i Komisionit për Buxhet, i rekomandon Konjufcës anulimin e konkursit në fjalë pa dhënë shumë detaje, ani pse i gjithë procesi ishte monitoruar nga britanikët dhe madje kishte marrë rekomandim pozitiv prej tyre.
Britanikët në konkursin e parë e kishin hartuar një listë të tyre me emrat e kandidatëve sipas pikëve, listë kjo së cilës i printe kandidatja Shkendije Himaj. Kjo e fundit është eliminuar nga gara në konkursin e dytë, i cili nuk ka qenë duke u monitoruar nga Ambasada Britanike.
Pra, në konkursin e dytë britanikët nuk kanë qenë pjesë e monitorimit. Buletini Ekonomik mëson se tërheqja e tyre nga procesi lidhet pikërisht me pakënaqësinë e tyre rreth anulimit të konkursit.
Mirëpo, në letër nuk përmendet fare rekomandimi pozitiv i britanikëve, por aty kërkohet anulimi i konkursit për shkak të “mospërmbushjes se kushteve që dalin nga Ligji për BQK-në”.
Në letrën e Mujës drejtuar Konjufcës thuhet se Komisioni për Buxhet ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës materiale dhe informata shtesë për secilin nga kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e Guvernatorit të BQK-së, porse pas pranimit të këtyre materialeve, prapë Komisioni në fjalë ka vendosur se lista nuk është në pajtim me kriteret e përcaktuara në konkurs.
Prandaj, sipas kësaj letre, “Në rastin kur kandidatura nuk i plotëson kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga Kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e kushteve”, propozim ky që ishte përcjellur me 6 vota të Komisionit për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
“Komisioni në bazë të nenit 110 paragrafi4 i Rregullores së Kuvendit kërkon nga Kryetari i Kuvendit ta njoftojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, propozues i listës së kandidatëve për plotësimin e pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për mospërmbushjen e kushteve të përcaktuara në nenin 38 dhe 40 të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, ceket tutje në këtë rekomandim drejtuar Konjufcës.
Megjithatë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përkatësisht Komisioni përzgjedhës, si asnjëherë më parë, ka dërguar mbrëmë për votim në Kuvend vetëm dy emra nga lista e kandidatëve për guvernator. Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli janë dy emrat që i kanë shkuar Kuvendit të Kosovës për votim, si dy kandidatët më potencial për Guvernator të BQK-së.
Burime të sigurta të afërta me këtë proces i kanë thënë Buletinit Ekonomik se bëhet fjalë për një skenar të mirëmenduar që ka për qëllim “eliminimin nga gara të kandidatëve që kishin marrë pikë maksimale nga britanikët”.
Të premten në mbrëmje, Qeveria e Kosovës njoftoi se është pajtuar me dy kandidaturat e përzgjedhura nga paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së. Ky vendim tani do të shkojë në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të bëhet edhe votimi i guvernatorit të ri të BQK-së.
Sipas BQK-së, kandidatët Ismaili mori 84.67 pikë nga 100 maksimalet, ndërsa Ismajli 73.67 në vlerësimin e panelit. Mirëpo, Buletini Ekonomik përmes burimeve të sigurta mëson se Komisioni përzgjedhës ka shkelur Ligjin për BQK-në kur ka vendosur që t’i dërgojë në Kuvend vetëm dy emra.
“Komisioni mundet me vendos për miratim ose jo të listës, por jo në mënyrë arbitrare me heq njerëz nga lista”, ka thënë ky burim.
Aktualisht, detyrën e Guvernatorit të BQK-së e ushtron Bashkim Nurboja, dikur kandidat për deputet e për kryetar të Pejës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /Buletini Ekonomik/