“Kandidatët që nuk i pëlqejnë dikujt” – Si u tërhoq Britania nga monitorimi i konkursit për guvernator të BQK-së

Një konkurs u shpallë, emrat u dërguan në Kuvendin e Kosovës, por Banka Qendrore e Kosovës sërish mbeti pa guvernator. Aktualisht këtë detyrë e ushtron Bashkim Nurboja, dikur kandidat për deputet e për kryetar të Pejës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pa asnjë sqarim publik, pa e parë ende askush ndonjë vendim, emrat e përzgjedhur në konkursin e parë për guvernator të BQK-së nuk shkuan për shqyrtim në Kuvend. Banka Qendrore e Kosovës shpalli konkursin e ri për këtë pozitë.

Megjithatë, pasi procesi u shoqërua me gjithë këto parregullsi, në konkursin e dytë Britania e Madhe është tërhequr nga monitorimi. Kjo është konfirmuar nga ambasada britanike në Kosovë për Nacionalen, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Reklama e sponzorizuar

Aty thuhet se konkursi i parë kishte dhënë disa kandidatë që do të mund të zgjedheshin guvernator, por që nuk u emëruan pasi nuk i pëlqyen dikujt. Si rezultat, ekspertët britanikë janë tërhequr nga monitorimi i konkursit të dytë.

“Ne kemi qenë të angazhuar në procesin e parë rekrutues për Guvernator të Bankës Qendrore. Ky proces ka dhënë kandidat profesionist, të aftë për të udhëhequr me pozitën. Sidoqoftë asnjëri nga kandidatët e rekomanduar nga ekspertët britanik zbatues të projektit nuk është emëruar”, thuhet fillimisht në përgjigjen e ambasadës së Britanisë për Nacionalen.

“Është politikë e jona që mos të angazhohemi në procese të ri-shpallura të cilat rkundër që japin kandidatë të emërueshëm, nuk emërohen vetëm sepse ata kandidatë nuk i pëlqejnë dikujt në vendimmarrje. Por ne nuk kemi qenë të përfshirë në monitorimin e procesit për Guvernator  Bankës Qendrore.”, përfundon përgjigja.

Konkursi i dytë kishte qenë i hapur deri më 21 qershor. Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dyshimet për shkelje dhe tërheqjen e britanikëve, megjithatë këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje deri më tash.

Çfarë ndodhi me konkursin e parë?

Konkursi i parë për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës ishte shoqëruar me shumë dilema. Komisioni i BQK-së kishte dërguar disa emra në Kuvendin e Kosovës, megjithatë pasi ata shkuan në Komision procesi u bllokua.

Nexhat Kryeziu, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Shkëndije Himaj. Këta kishin qenë katër kandidatët që kishin hyrë në listën e ngushtë për pozitën e guvernatorit në Bankën Qendrore të Kosovës.

Edhe pse fillimisht në Komision ishte vendosur që katër emra t’i dorëzohen seancës për votim, kjo nuk ndodhi. Asnjë detaj nuk dihet. Nuk dihet nëse ka ndonjë vendim për ta anuluar procesin, e për ta shpallur konkursin e ri.

Duke marrë parasysh se guvernatorit të kaluar Fehmi Mehmeti i skadoi mandati, atëherë pozitën e U.D Guvernatorit e mori Bashkim Nurboja, ish-kandidat për deputet e ish-kandidat për kryetar të Pejës nga radhët e Vetëvendosjes.

Kurse, në cilësinë e U.D zv/guvernatorit erdhi Nexhat Kryeziu, gjithashtu ish-kandidat për deputet nga Vetëvendosja.

Edhe në konkursin e parë kishte pasur dyshime për parregullësi. Ambasada e Britanisë kishte vlerësuar edhe disa emra të tjerë që duhet t’i dërgohen Kuvendit, megjithatë ajo nuk kishte ndodhur.

Në anën tjetër, edhe pse guvernatori i kaluar Fehmi Mehmeti kishte pasur pikë të njëjta me kandidaten Shkëndija Himaj, emri i Himajt u dërgua në Kuvend kurse i Mehmetit jo.

Si rezultat, kryetari i bordit të BQK-së, Flamur Mrasori i ishte drejtuar me letër Komisionit për Buxhet e Financa.

“Mbështetur në këtë rrethanë dhe duke pasur parasysh rangimin e kandidatëve (poentimin), kam propozuar që në Kuvend të përcillet lista me pesë (5) kandidatë pasiqë kandidatët e ranguar sipas poentimit përfundimtarë me renditjen në listën ranguese 4 dhe 5 janë absolutisht me pikë të barabarta dhe arsyeja e votës sime kundër është fakti që të respektohet “Parimi i barazisë para ligjit” si njëri ndër parimet fundamentale kushtetuese për të evituar pabarazinë në trajtim mbi çfarëdo bazë dhe për të penguar diskriminimin eventual”, thuhej në letër.

Për situatën në Bankën Qendrore të Kosovës kanë reaguar edhe përfaqësuesit e opozitës dhe shoqëria civile.