Në kohën kur Kosova po ballafaqohet me temperatura të larta, KEK-u ka zvogëluar sasinë e prodhimit të energjisë elektrike duke dërguar dy blloqe në remont.
Kjo ka bërë që KEDS dhe KESCO të importojnë mbi 300 megavatë në orë në kohë piku.
Kompani KEDS ka konfirmuar për gazetën Nacionale se vetëm dje dhe sot se bashku me kompaninë KESCO kanë importuar rreth 1 milion euro energji elektrike.
“Gjatë ditëve të fundit ka pasur një reduktim të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo ka sjellë mungesë të theksuar të energjisë elektrike, meqë konsumi është shumë më i lartë sesa prodhimi, i cili këto ditë është duke arritur në pik në mbi 850 megavatë në orë. Kjo situatë sjell nevojën imediate që gep-i ndërmjet prodhimit dhe konsumit të mbulohet nga importi. Aktualisht, KEDS dhe KESCO janë duke importuar mbi 300 megavatë në orë në kohë piku. Importi total për ditën e sotme shkon në gjysmë milioni euro, njëjtë sa ishte edhe dje. Pra, vetëm dje dhe sot KEDS dhe KESCO së bashku kanë importuar rreth 1 milion euro energji elektrike me një çmim prej mbi 150 euro për MW/h”, ka bërë me dije kompania KEDS për gazetën Nacionale.
Kjo kompani ka bërë me dije se temperaturat e larta kanë bërë që të rritet konsumi i energjisë elektrike.
“Në terma monetarë, kjo sasi do të kushtonte shumë më tepër po të ishin çmimet e vitit të kaluar, por fatmirësisht ato janë dukshëm më të ulëta se në korrikun e vitit 2022, kur kishin arritur në nivel rekord deri në 750 euro/ MWh. Si sasi është jashtëzakonisht e madhe kur dihet se jemi në kohë vere dhe zakonisht në këtë periudhë të vitit nevoja për import është minimale pasi bie konsumi dhe mjafton prodhimi vendor. Por, fatkeqësisht këto ditë situata ka ndryshuar dhe nuk po mbulohet kërkesa nga prodhimi vendor. Kjo po ndodh edhe për shkak të temperaturave ekstreme që imponojnë përdorimin masiv të kondicionerëve për ftohje”, ka bërë me dije kompania.
B2 dhe A3 në remont
Burimet e gazetës Nacionale kanë bërë me dije se KEK-u sot ka ndërprerë punën e dy blloqeve duke i dërguar në remont.
Gazeta ka provuar ta kontaktojë zëdhënësin e KEK-ut, Skënder Bucolli, për të kuptuar arsyen e shkuarjes se këtyre blloqeve në remont, por i njëjti ka qenë i pa qasshëm.
Burimi i gaztës ka treguar se në remont kanë shkuar blloku B2 dhe A3.
I njëjti ka theksuar se remonti i këtyre blloqeve ka qenë i planifikuar.
“Sot të dy blloqet kanë shkuar në remont. Njeri nga ta do të rikthehet shumë shpejt, rikthimi i tij është planifikuar më 23 korrik. Ndërsa remonti i bllokut tjetër pritet të zgjatë më shumë”, ka thënë burimi i gaztës.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për ndonjë prishje.
“Ka qenë e planifikuar që remonti i këtyre blloqeve të bëhet në këtë kohë. Nuk bëhet fjalë për një papërgjegjësi njerëzorë”, ka thënë burimi.
Gabimet e KEK-ut
KEK-u dhe dërgimi i blloqeve në remont jo rrallë ka qenë temë e debateve të nxehta në Kosovës.
Menaxhmenti i kësaj kompanie dhe Qeveria e Kosovës shpesh janë akuzuar nga opozita për keq menaxhim me sektorin e energjisë.
KEK-u është akuzuar se ka bërë tregti për blerje të energjisë me kompani që nuk kane qenë të licencuara në Kosovë. Për këtë ka marrë edhe dënime.
Në fillim ishte raportuar se tregtimi i energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuar në Kosovë, ka qenë arsyeja kryesore pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte dënuar me 3 milionë e 229 mijë euro, Korporatën Energjetike të Kosovës, por në vendimin e publikuar pas 2 muajve nga ZRrE, del që edhe disa ligje të tjera janë shkelur me dy këmbët nga KEK-u.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë, kishte marrë vendim më 5 maj 2023 që KEK-u të dënohet me mbi 3 milionë euro për shkak të tregtimit të energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuara në Kosovë.
Kjo çështje ishte komentuar me të madhe dhe kishte ngritur dyshime për keqpërdorime nga ana e menaxhmentit të KEK-ut.
Megjithatë, pavarësisht insistimi të Nacionales për të parë vendimin, ZRrE kishte hezituar, por tek tash e ka publikuar vendimin e plotë dhe arsyetimin e këtij vendim.
ZRrE përveç asaj që dihet se KEK-un e kishte dënuar për shkak të tregtim të energjisë elektrike me kompani të huaja e të palicencuar, KEK-u kishte shkelur edhe disa ligje të tjera.
ZRrE ka konstatuar shtatë (7) pika të cilat i ka shkelur KEK-u.
Pika e parë që ZRrE e ka gjetur në shkelje ligjore KEK-un është shit-blerja e energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuar.
“i) KEK SH.A., gjatë shit-blerjes së energjisë elektrike ka nënshkruar Kontrata Kornizë me shoqëritë tregtare dhe degët e të cilëve nuk janë të regjistruara dhe të licencuara në Kosovë, respektivisht nuk i njihet licenca e lëshuar nga vendet përkatëse, sipas Parimit të Reciprocitetit; ii) KEK SH.A., nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Nenin 28, par.1 dhe par. 2 dhe Nenin 30, par.1 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, Nenin 32, par.3 të Ligjit për Energjinë Elektrike, Nenin 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 të Rregullave të Tregut, Nenin 8, par. 1 të Procedurës për Tregtimin e Energjisë Elektrike; iii) KEK SH.A., nuk e ka të aprovuar procedurën e brendshme të bazuar në funksionin e tyre në treg. Bazuar në këtë, tregtimi i energjisë elektrike pa procedurë të brendshme është në kundërshtim me Nenin 2, par. 2 i Procedurës së Tregtimit të Energjisë Elektrike;” – thuhet në vendimin e ZRRE-së.
Kompania publike KEK ka një kohë të gjatë që është pa kryeshef ekzekutiv.
Kjo pasi më 19 prill të këtij viti, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqit, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ është arrestuar.
I njëjti ende gjendet në paraburgim.