Kosova e varfër me tendenca të varfërimit të mëtejshëm

Për varfërinë dhe thellimin e skamjes në Kosovë flasin edhe të dhënat më të reja, të bëra publike, kohëve të fundit, qoftë nga institucionet kompetente, qoftë nga analistët dhe njohësit e zhvillimeve ekonomike. Sipas këtyre të dhënave, Kosova aktualisht e ka një shifër të lartë të varfërisë ekstreme rreth 5%. “Kjo nënkupton se rreth 5% e popullsisë jetojnë me më pak se dy euro në ditë, me 3.5 euro në ditë jetojnë 1%, ndërsa me 6.5 euro në ditë jetojnë 34% e popullatës në vend. Këto trende tregojnë se varfëria në Kosovë sillet rreth 24%. Pra, kjo përqindje e popullatës jeton në kushte të varfërisë ekonomike”, ka thënë këto ditë për medien e vendit profesori universitar, Ujkan Bajra

Mehmet GJATA

Kosova e varfër në kuptimin e plotë të fjalës, vazhdon të varfërohet edhe më tej. Për thellimin e vobektësisë kohëve të fundit në Republikën tonë flasin shumë të dhëna statistikore, numra e shifra të ecurive sociale dhe parametrat përcaktues të mirëqenies së një shoqërie. Ndërsa, pak a shumë, dihet se çekuilibri social me tendenca të theksueshme të varfërisë evidente në Kosovë, është pasojë në radhë të parë e varfërisë të të ardhurave (varfërisë materiale-financiare) në shumicën e familjeve kosovare dhe e ngritjes enorme të çmimeve të të gjitha produkteve dhe të shërbimeve.

Të ardhurat e ulëta familjare, pagat e ulëta në të dy sektorët, veçmas në sektorin privat dhe çmimet enorme të larta- të barabarta me çmimet në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Europës edhe pse pagat e kosovarëve edhe sot e kësaj dite mbesin më të ulëtat në Europë, e kanë ç’rregulluar në përmasa të krizës sociale gjendjen e mbijetesës së kosovarëve.

Reklama e sponzorizuar

Dihet, të ardhurat e një familje dhe niveli i çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve, e sidomos çmimet e produkteve elementare ushqimore dhe ato të higjienës, janë përcaktues kyç i standardit të jetesës. Në këtë kontekst, Kosova, banorët shumicë absolute të saj, në bazë të të dhënave del të kenë aktualisht standard të ulët, madje goxha nën mesataren e shumë vendeve të kontinetit tonë, dhe dominohen me gjendje evidente të rënduar sociale. Sepse, përgjithësisht të ardhurat e një familjeje në Kosovë janë relativisht të ulëta, ndërsa kur të kihet parasysh niveli i çmimeve të të gjitha produkteve, por edhe ato të shërbimeve (në shëndetësi sidomos), të ardhurat familjare në vendin tonë zhvlerësohen maksimalisht, dhe në këtë mënyrë e bëjnë gjendjen sociale, nëse mbështetemi në standardet ndërkombëtare, të mjerueshme, të çekuilibruar maksimalisht në favor të varfërisë, në favor të përjashtimit social dhe sfiduese për mbijetesën e shumicës së kosovarëve.

Të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social në Kosovë mund të llogariten njerëzit e prekur nga varfëria e të ardhurave, që në këto momente janë numerikisht të shumtë, njerëzit e prekur nga varfëria e rëndë materiale dhe varfërimi social, që po kështu numerikisht janë frikshëm me numër enorm të madh dhe njerëzit e prekur nga intenziteti shumë i ulët i punës, ose të prekur nga papunësia, që në Kosovë, gjithsesi, me vitet është shqetësuese e ulët.

Duhet thënë se çekuilibri social me tendenca të theksueshme të varfërisë evidente në Kosovë është pasojë në radhë të parë e varfërisë të të ardhurave (varfërisë materiale-financiare) dhe ngritjes enorme të çmimeve të të gjitha produkteve dhe të shërbimeve. Të ardhurat e ulëta familjare (në shumicën e familjeve të Kosovës), pagat e ulëta në të dy sektorët, veçmas në sektorin privat dhe çmimet enorme të larta- të barabarta me çmimet në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Europës edhe pse pagat e kosovarëve edhe sot e kësaj dite mbesin më të ulëtat ndër shtetet e rajonit dhe të Europës po se po e kanë ç’rregulluar në përmasa të krizës sociale gjendjen e mbijetesës së kosovarëve.

Derisa çmimet, sidomos ato të produkteve të shportës, thuaja se deri më tash nuk pati ditë që nuk shënuan ngritje enorme, në Kosovë pagat kanë lëvizur me hapa të breshkës. Madje, në disa kategori të banorëve të Republikës, siç janë pensionistët, as që kanë lëvizur me vite fare. Me 100 euro pension të pleqërisë sa kanë pensionet shumica e të moshuarëve të Kosovës (rreth 146 mijë sish), nuk ka si mos të rëndohet gjendja sociale e këtyre njerëzve. Prandaj, sot kemi këtë gjendje sociale në vendin tonë, ku fuqia blerëse e shumicës së banorëve ka rënë “përtokë”.

Sado që në Kosovë nuk ka evidenca të sakta që do të pasqyronin së paku përafërsisht saktësisht të dhënat për tre komponentët e sipërpërmendur dhe që aplikohen nga Statistikat e BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), ca statistika të tjera që defilojnë në Kosovë dhe që përgatiten nga institucione shtetërore, por edhe nga hulumtime të asociacioneve të shoqërisë civile, në njëfarë mënyre shpërfaqin dhe pasqyrojnë gjendjen e rënduar sociale dhe të rrezikuar nga varfëria, të një numri tronditës të kosovarëve.

Me fjalë të tjera, Kosova në rrethanat aktuale shoqërore dhe ekonomike jo vetëm që nuk po arrinë ta zbusë varfërinë, por ç’është më keq, po vazhdon ta thellojë atë. Dhe, Kosova vazhdon të jetë sot e kësaj dite e skamur. Është më e varfëra në rajon dhe me gjendje seriozisht të rënduar sociale. Vetëm Shqipëria, ndoshta është më pranë kosovarëve për nga varfëria.

Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, të publikuara në prill të këtij viti, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.

Sipas revistës “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, e cila ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022, me shifrat që i referohen publikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) “Prespektiva Ekonomike Botërore, prill 2022”, për gjysmën e parë të vitit 2022, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë me 17,383 dollarë.

Matja e vendeve të pasura dhe të varfëra bëhet referuar PBB-së për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse.

Sipas renditjes, Kosova dhe Shqipëria janë më të varfërat në rajon, duke u radhitur në vendet 105, përkatësisht 90. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB-në më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse dhe renditet në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë. Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditura në vend të 72 dhe 78 respektivisht. Kurse Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.

Mirëpo, për varfërinë dhe thellimin e skamjes në Kosovë flasin edhe të dhënat më të reja, të bëra publike, kohëve të fundit, qoftë nga institucionet kompetente, qoftë nga analistët dhe njohësit e zhvillimeve ekonomike.

Profesori universitar, Ujkan Bajra, në një paraqitje publike ne një nga televizionet e vendit, këto ditë, ishte konkret. Ai vuri në dukje se Kosova aktualisht e ka një shifër të lartë të varfërisë ekstreme rreth 5%.

“Kjo nënkupton se rreth 5% e popullësisë jetojnë me më pak se dy euro në ditë, me 3.5 euro në ditë jetojnë 1% ndërsa, ndërsa me 6.5 euro në ditë jetojnë 34% e popullatës në vend. Këto trende tregojnë se varfëria në Kosovë sillet rreth 24%. Pra, kjo përqindje e popullatës jeton në kushte të varfërisë ekonomike”, ka thënë Bajra.

Përafërsisht me të dhënat e profesor Bajrës janë edhe të dhënat e mëhershme të Bankës Botërore, sipas të cilave, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin maj të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale në Kosovë kanë përfituar 21, 312 familje me gjithsej 84, 249 anëtarë. Ç’është e vërteta, krahasuar me vitin paraprak, sipas të dhënave të ASK-së, ka rënie të numrit të familjeve përfituese për 4, 170 familje apo 16.3 për qind, ndërsa në vitin 2022 numri i familjeve përfituese të skemave sociale ka qenë 25 482 me gjithsej 100 608 anëtarë. Por, të dhënat e ASK-së nuk sqarojnë, shkaqet e rënies së familjeve përfituese.

Analistë që duan anonimitetin shprehin drojën se numri i zvogëluar i përfituesve të ndihmave sociale mund të jetë rrjedhojë e ikjes numerikisht të madhe të popullsisë kosovare jashtë vendit. Siç po shihet nga të dhënat, Kosova ka tendenca të varfërimit të vazhdueshëm, përkundër përpjekjeve të autoriteteve për të relativizuar këto të dhëna.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve për të zbehur shifrat alarmuese të varfërisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës, ku është thirrur të raportojë këtyre ditëve, ka thënë se niveli i inflacionit në Kosovë ka shënuar ulje të konsiderueshme.

“Niveli i inflacionit është 5.5 përqind për muajin maj, kemi rënie të theksuar në krahasim me vitin e kaluar kur në muajin korrik ka arritur në 14 përqind”, tha me këtë rast Murati.

Ai përmendi edhe uljen e çmimit të naftës e të disa produkteve esenciale.

“Çmimi i naftës po ashtu ka rënë, i vajit e të tjera, pra i kemi në çmimet e nivelit para inflacionit. Sa i përket çmimit të rrymës, janë mbi 200 mijë familje që janë subvencionuar”, u shpreh Murati në Kuvend.

Por, ndryshe vlerësojnë opozitarët dhe njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të mirëqenies. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke publikuar disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku krahasohen kushtet e jetës në Kosovë në vitin 2020 dhe 2022, ka konkluduar se “në vitin 2022 është rritur përqindja e ekonomive familjare që s’kanë mundur të përballojnë pagesat, dy herë ose më shumë gjatë vitit”.

Sipas tij, në vitin 2020, kjo përqindje ishte 12.7 për qind, e në vitin 2022 ishte 19 për qind. Duhet thënë se në varfërinë reale të Kosovës ndikim të madh kanë edhe çmimet enorme të larta të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, sheqeri, vezët etj), që krahasuar me çmimet e këtyre produkteve në vendet e pasura të Europës, tek ne përditë shënojnë ngritje enorme të reja.

Kosova tashmë garon goxha fortë me shtetetet e fuqishme financiare sa i përket çmimeve dhe ato janë të përafërta, madje edhe përtej çmimeve të shteteve të fuqishme të botës. Në këtë mënyrë, sot sigurimi minimal i ekzistencës për shkak të çmimeve enorme të shportës familjare dhe për shkak të pagave të ulëta, sidomos në sektorin privat, janë bërë sfidë e papërballueshme për shumë famije anekënd vendit.

Prandaj, rritja e pagave nga njohës të rrethanave parashihet nevojë urgjente në sektorin publik dhe atë privat në Kosovë, vlerësojnë njohësit e ekonomisë në vend. Sipas tyre, rritja e pagave dhe domosdo e pensioneve, do të ndihmonte sado pak në zbutjen e vobektësisë në vend, por edhe në rritje të konsumit, prodhimit si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Qeveria e Kosovës, por edhe bizneset duhet të rrisin pagat në raport me inflacionin, theksojnë analistët dhe njohësit e rrethanave. Por, Kosova me këtë stad të zhvillimit ekonomik dhe me mungesë evidente të parave, nuk e ka të lehtë të rritë pagat, edhe pse dihet se çdo rritje e pagës, shton konsumin dhe prodhimin në vend dhe do të “amortizonte’ paksa varfërinë evidente në vend. /Buletini Ekonomik/