Shtyllat e zhvillimit ekonomik të Kosovës është ndërlidhja e arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës, tha kryeministri Albin Kurti gjatë bashkëbisedimit me bizneset nga sektori i Drurit dhe Mobiljeve.
Kurti ka shtuar se diplomat e shkollave duhet të shërbejnë për ekonominë e vendit tonë.
“Qeveria e Kosovës konsideron se një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të vendit, është ndërlidhja e arsimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës. Pra, si të bëjmë që për diploma në shkollat tona të kemi vende pune në ekonominë tonë dhe për këtë e kemi përgjegjësinë edhe sektori publik dhe ai privat”, tha Kurti.
Sipas tij, ka numër të madh të rasteve në Kosovë ku bizneset kanë më shumë nevojë se sa që ka kërkesë.
“Ka numër të madh të rasteve në Kosovë ku bizneset kanë më shumë nevojë se sa që ka kërkesë. Qeveria përmes politikave të saj të jap kontributin e saj në zbutjen e këtij hendeku, sepse e kemi vërejtur që sa herë flasim për ekonominë përfundojmë duke folur për arsimin dhe sa herë flasim për arsimin përfundojmë duke folur për ekonominë”, ka shtuar ai.
Duke iu referuar studimeve të mëhershme, kryeministri Kurti theksoi se në ndërmarrjet prodhuese në Kosovë më pak se 5 për qind e punëtorëve aftësohen brenda muajit të parë.
“Kjo është një kosto për bizneset tona dhe rrjedhimisht dhe kjo është arsyeja pse ne dëshirojmë që si shtet ta marrim barrën e kualifikimit sa më të mirë të fuqisë punëtore”, përfundoi Kurti.