Një letër e datës 7 prill që mban nënshkrimin e Armend Mujës drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, kishte mjaftuar që të anulohej konkursi i parë për zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Në këtë letër ishin emrat e katër kandidatëve që Muja bashkë me anëtarët e Komisionit për Buxhet, i kishin cilësuar si kandidatë që nuk i përmbushin të gjitha kushtet për këtë pozitë, duke e rikthyer kështu procesin në pikën zero.
Muja kishte thënë se për këtë vendim është mbështetur në nenin 110, paragrafit 4 të Rregullores së Kuvendit, i cili thotë: “Në rastin kur kandidatura nuk i plotëson kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga Kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e kushteve”.
Mirëpo, në konkursin e dytë të shpallur për këtë pozitë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përkatësisht Komisioni përzgjedhës, para katër ditësh, si asnjëherë më parë, ka dërguar për votim në Kuvend vetëm dy emra nga lista e kandidatëve për guvernator.
Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli janë dy emrat që i kanë shkuar Kuvendit të Kosovës për votim, si kandidatët “më potencial” për Guvernator të BQK-së, ndonëse të njëtit kishin qenë pjesë e listës në konkursin e parë që u vlerësuan se nuk i plotësojnë kriteret.
Edhe Qeveria e Kosovës të premtën në mbrëmje ka njoftuar se është pajtuar me vendimin për dërgimin e dy emrave të kandidatëve prej së njëjtës listë në Kuvend për votim, përkundër faktit se kandidatët aty njëherë ishin shpallur se nuk i plotësojnë kushtet nga Komisioni për Buxhet.
Sipas BQK-së, kandidati Ismaili ka marrë 84.67 pikë nga 100 maksimalet, ndërsa Ismajli 73.67 në vlerësimin e panelit.
Pra, përmes kësaj letre, një kopje të së cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik, Armend Muja, si kryetar i Komisionit për Buxhet, i kishte rekomanduar Konjufcës anulimin e konkursit në fjalë pa dhënë shumë detaje, ani pse i gjithë procesi ishte monitoruar nga britanikët dhe madje kishte marrë rekomandim pozitiv prej tyre.
Britanikët në konkursin e parë e kishin hartuar një listë të tyre me emrat e kandidatëve sipas pikëve, listë kjo së cilës i printe kandidatja Shkendije Himaj. Kjo e fundit është eliminuar nga gara në konkursin e dytë, i cili nuk ka qenë duke u monitoruar nga Ambasada Britanike.
Pra, në konkursin e dytë britanikët nuk kanë qenë pjesë e monitorimit. Buletini Ekonomik mëson se tërheqja e tyre nga procesi lidhet pikërisht me pakënaqësinë e tyre rreth anulimit të konkursit.
Mirëpo, në letër nuk përmendet fare as rekomandimi pozitiv i britanikëve, por aty kërkohet direkt anulimi i konkursit për shkak të “mospërmbushjes se kushteve që dalin nga Ligji për BQK-në”.
Në letrën e Mujës drejtuar Konjufcës thuhet se Komisioni për Buxhet ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës materiale dhe informata shtesë për secilin nga kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e Guvernatorit të BQK-së, porse pas pranimit të këtyre materialeve, prapë Komisioni në fjalë ka vendosur se lista nuk është në pajtim me kriteret e përcaktuara në konkurs.
“Komisioni në bazë të nenit 110, paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit kërkon nga Kryetari i Kuvendit ta njoftojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, propozues i listës së kandidatëve për plotësimin e pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për mospërmbushjen e kushteve të përcaktuara në nenin 38 dhe 40 të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, ceket tutje në këtë rekomandim drejtuar Konjufcës.
Burime të sigurta të afërta me këtë proces i kanë thënë Buletinit Ekonomik se bëhet fjalë për një skenar të mirëmenduar, që ka për qëllim “eliminimin nga gara të kandidatëve që kishin marrë pikë maksimale nga britanikët”.
Mirëpo, Buletini Ekonomik përmes burimeve të sigurta mëson se Komisioni përzgjedhës ka shkelur Ligjin për BQK-në edhe në rastin kur ka vendosur që t’i dërgojë në Kuvend vetëm dy emra.
“Komisioni mundet me vendos për miratim ose jo të listës, por jo në mënyrë arbitrare me heq njerëz nga lista”, ka thënë ky burim. /Buletini Ekonomik/