Ngritjes së çmimeve nuk ka kush t’i dalë përpara në Kosovë

Fotografi ilustruese

Tendenca anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çregulluara dhe jo normale në këtë sektor, po mbretërojnë në vendin tonë (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej) që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, rreth 2 vjet e më shumë në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi. Praktikisht, tregtarët, edhe shumë sish fare të pandërgjegjshëm, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve, siç iu tek atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta.

Mehmet GJATA

Nga të dhënat që shpërfaqen në medien ndërkombëtare, por edhe në raporte të ndryshme statistikore të institucioneve prestigjioze të shumë shteteve, shihet qartë se në mbarë botën, në periudhën e deritashme të këtij viti, sikundër qysh është paralajmëruar, kanë nisur të shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërmuese të produkteve (të energjisë elektrike, të disa produkteve elementare ushqimore, të patundshmërive dhe të shumë mallrave industriale).

Ndërsa, në tregun e Kosovës, edhe më tutje në gjithë këta muaj të 2023-tës, sipas ASK-së, evidentohen çmime të ngritura me përqindje 25,2% produktet bimore, 21,2% letra dhe artikujt e saj, 17,7% artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit, 14,6 % vajrat ushqyese, etj. Dhe, këto tendenca anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çrregulluara dhe jo normale në këtë sektor, po mbretërojnë në vendin tonë (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej) që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, rreth 2 vjet e më shumë në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi.

Reklama e sponzorizuar

Praktikisht, tregtarët, edhe shumë sish fare të pandërgjegjshëm, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve, siç iu teket atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta në tregjet ndërkombëtare, por edhe në tregun e vendit. Disa nga tregtarët e fuqishëm dhe me produktet e tyre përcaktuese evidente të ecurive në tregun kosovar, shfrytëzuan edhe situatën politike të brishtë në vend, përqëndrimin e vëmendjes të institucioneve dhe të subjekteve politike në gjendjen aktuale në veri të vendit. Atyre në këto rrethana nuk pati kush t’u dalë përpara.

Thjeshtë, shumë tregtarë kosovarë në muajt e apostrofuar, praktikisht nuk përfillen thirrjet e përfaqësuesve të shtetit, për të respektuar ligjshmërinë e tregut, por edhe tendencat e uljës së çmimeve në botë. Përkundrazi, vazhduan me ngritje thuaja të përditshme enorme të çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore.

Në anën tjetër, shteti i Kosovës nëpërmes përfaqësuesve të vet, sikur u kënaq dhe u shtir sikur bëri detyrën me ca apele të flashta, anemike dhe thuaja pa asnjë ndikim në parandalimin e ngritjes enorme të çmimeve, si në asnjë vend tjetër të rruzullit. Jo pak herë, ata, akuzuan opozitën për pengimin e zbatimit të masave për të parandaluar dhe për të zbutur gjendjen kaotike në ecuritë e çmimeve, duke përmendur gjithnjë dërgimin e Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Gjykatën Kushtetuese, që për rrjedhojë pati moszbatimin e këtij ligji.

Kurse, opozita, përveç ndonjë zëri të rrallë, që argumentoi pasojat e shfrenimit të çmimeve dhe propozoi edhe ndonjë masë për ta tejkaluar kaosin, u kënaq si gjithnjë vetëm me konstatimin e gjendjes. Zyrtarët përgjegjës e autoritetet në krye të shumë dikastereve kompetente, edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend (vendimi u mor më 15 qershor, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe), pos thirrjeve për të mos ngritur çmimet dhe zotimeve se do t’i rrisin angazhimet në monitorimin e tregut, në mënyrë që të parandalohet rritja eventuale e çmimeve, nuk ndërmorri ndonjë veprim, që do të kishte ndikim real në ecuritë anarkike të çmimeve.

Në bazë të ecurive të çmimeve edhe në ditët e fundit, po shihet se janë fare të paefektshme premtimet nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, të deklaruara për medie se “kur ka çështje apo dukuri që kërkojnë fokus dhe angazhim më të madh, rritet numri i inspektimeve, punojmë me orar të zgjatur dhe jemi të angazhuar edhe gjatë ditëve të fundjavës”.

Totalisht jorezultativ ishte edhe deklarimi i ministrisë së Rozeta Hajdarit se “Inspektorati i Tregut do ta monitorojë tregun dhe në rast se konstatohet çfarëdo shkeljeje e dispozitave ligjore në fuqi, do të ndërmerren masa ndëshkuese”.

Mbase edhe ka ndodhur ndonjë inspektim i tregut, gjatë këtyre ditëve, nuk e mohojmë në asnjë mënyrë këtë. Por, çmime të ngritura pati me shumicë, sidomos gjatë festës së Bajramit, kur vërshuan çmime të reja të ngritura.

Dihet, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, në rast se gjendet ndonjë parregullsi gjatë monitorimit, gjobat sillen nga 1.000 deri në 4.000 euro. Deri sot, në asnjë rast nuk është bërë publike ndonjë sanksion në lartësi të këtyre parave, pavarësisht edhe nga Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës kishin pohuar për medien se, pas rrethanave të krijuara, “do të fokusohen te kontrollet e çmimeve të produkteve bazë – miellit, grurit, vajit, sheqerit, qumështit”.

Për fat të keq, rrethanat e krijuara pas 15 qershorit po vazhdojnë edhe më tutje, pasi që dihet se mallrat serbe, qoftë ushqimore, qoftë bujqësore dhe të tjera, edhe më tutje janë me prani shumë të madhe në tregun e Kosovës.

Sipas të dhënave, pak zyrtare pak hamendësuese të njohësve të këtyre rrethanave, brenda një dite, Kosova importon mallra nga Serbia në vlerë prej një milion eurosh. Gjatë vitit të kaluar në tregun vendor kanë hyrë mallra në vlerë prej 372 milionë euro, derisa Kosova ka shitur në Serbi produkte në vlerë prej rreth 62 milionë euro.

Në këtë mënyrë, situata e re e krijuar në kufirin me Serbinë, sa i përket ardhjes së mallrave serbe po vazhdon dhe nuk dihet edhe për sa kohë do të vazhdojë, pavarësisht se Qeveria e Kosovës, siç ka konfirmuar dje Oda Ekonomike e Kosovës, ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj disa mallrave me origjinë nga Serbia (për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte). Por, a do të vazhdojë të shfrytëzohet kjo situatë nga tregtarët e Kosovës, për të vazhduar ngritjen kaotike dhe të egër të çmimeve, mbetët të shihet.

Sidoqoftë, nuk është fare e kuptueshme, që situatën politike aktuale, përgjegjësit e dikastereve kompetente përkatëse për t’u përballur me çështjet ekonomike, financiare e sociale po e shfrytëzojnë skajshmërisht për rehatinë e tyre personale, duke i ikur përballjeve me problemet e paraqitura, por edhe me përmbushjen e objektivave që dalin nga dokumentët e miratuara dhe nga zotimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë marrjes së detyrave me ardhjen në pushtet dhe së fundi gjatë ditëve të shkuara.

Në këtë mënyrë, në këto kohë, praktikisht në sektorin e çmimeve, sikundër edhe në disa sektorë të tjerë vital dhe me interes jetik për shoqërinë, në mungesë të mbikëqyrjes së përgjegjshme dhe të domosdoshme nga “eprorët”, sikur po legjitimohet dominimi i anarkisë dhe kaosit, duke shkaktuar dëme të pariparueshme proceseve të konsolidimit të shtetit. Në mbarë botën tashmë çmimet e energjisë elektrike janë ulur edhe me nga 4-5 herë krahasuar me periudhën e shpërfaqjes së krizës energjetike në botë dhe çmimeve që atëbotë shkuan në stratosferë.

Në Kosovë, brenda 13 muajve të fundit janë ngritur çmimet e energjisë elektrike dy herë. Në prill të këtij viti, kur në disa shtete të botës ranë për toke çmimet e rrymës, te ne është rritur çmimi i energjisë elektrike 15 për qind. Edhe në këtë vit, dy herë branda 9 muajsh. Në Kosovë, pra po vazhdon të ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nis trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit. Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. /Buletini Ekonomik/