Oda Amerikane i kërkon Qeverisë që të adresojë menjëherë sfidat e rritjes ekonomike

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë -OEAK

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave thotë se njeh potencialin e madh të Kosovës si një destinacion i rëndësishëm për investime.

Megjithatë, Oda Ekonomike Amerikane shton se, nuk mund të injorohen konkluzionet shqetësuese të nxjerra në Deklaratat e Klimës së Investimeve për Kosovën të publikuara së fundmi nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Këto gjetje, duke theksuar ndërhyrjen thelbësore politike në ekonomi dhe mungesën e dialogut publiko-privat, vënë në spikamë aftësinë e vendit për të tërhequr investimet e huaja direkte (IHD), që janë vendimtare për zhvillimin ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Është shqetësuese të shihet se çështje të tilla jo vetëm që po ndikojnë në imazhin ndërkombëtar, por gjithashtu po nxisin pakënaqësi në mesin e qytetarëve të Kosovës. Hulumtimi i fundit i Pulsit Publik nga UNDP-ja ka treguar se vetëm 17.7% e qytetarëve janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Kjo statistikë sinjalizon një nevojë urgjente për ndryshim dhe përmirësim sistematik në qeverisjen ekonomike duke nënvizuar peshën e detyrave që duhen zbatuar”, thuhet në reagim.

Më tutje, në komunikatë thuhet se, çështja e rritjes së ndërhyrjeve politike në ekonomi dhe gjyqësor minon drejtpërdrejt besimin e investitorëve, pengon dinamikën e tregut dhe përbën rrezik të konsiderueshëm për investitorët e mundshëm.

“Kjo ndërhyrje vë në dyshim reputacionin e Kosovës si një mjedis stabil dhe i parashikueshëm për investime. Pa adresuar këtë, vendi rrezikon të gërryejë më tej besimin e investitorëve dhe qytetarëve të tij.

Në mënyrë të ngjashme, mungesa e një dialogu funksional dhe sistematik publiko-privat, pavarësisht rregulloreve që detyrojnë konsultimin publik, është një çështje shqetësuese. Aprovimi i rregullave të reja shpesh pa diskutime thelbësore me palët e interesit krijon një mjedis rregullator të paparashikueshëm që mund të pengojë investitorët”.

Oda Ekonomike Amerikane thekson se, përtej këtyre çështjeve, vendi duhet të adresojë edhe sfidat e tjera të rëndësishme, si integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, furnizimi jo i besueshëm me energji dhe vështirësitë në vendosjen e të drejtave pronësore.

“Sektori i madh joformal dhe korrupsioni i shfrenuar vazhdojnë të jenë pengues për investitorët, ndërsa të mbështeturit e madh në përkrahjen financiare ndërkombëtare dhe remitencat vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë së Kosovës.

Qeveria duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të zbutur këto shqetësime. Eliminimi i ndërhyrjeve politike, vendosja e një dialogu efektiv publiko-privat dhe zbatimi i strategjive për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar infrastrukturën e Kosovës duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të agjendës së Qeverisë. Duke nxitur një klimë transparence, parashikueshmërie dhe dialogu të hapur, vendi do të përmirësojë me doemos imazhin e tij para investitorëve të huaj”. /Telegrafi/