PDK e çon në Kushtetuese vendimin e Konjufcës për seancën e 13 korrikut ku u miratua edhe ligji për pagën minimale

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se në emër të partisë e kanë çuar në Gjykatë Kusthetuese vendimin e kryetari të Kuvendit të Kosovës për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar, shkruan Express.

Tahiri thotë se kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për caktimin e seancës së 13 korrikut, me kërkesën që një vendim i tillë të anulohet në tërësi.

Kjo pasi sipas Tahirit, seanca është caktuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe si e tillë duhet të anulohet, bashkë me të, siç shkruan Tahiri, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në seancë.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka treguar se përveç kontestimit të vendimit për seancë, kanë kërkuar edhe Masë të Përkohshme për të gjitha vendimet e marra në atë seancë.

“Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”, ka shkruar Tahiri.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftoj se kemi kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e Seancës Plenare të javës së kaluar.

Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet.

Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese.

Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë.

Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura.

Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese.