Një klient i bankës ProCredit është befasuar kur ka parë në e-banking se kësti i kredisë së tij i është rritur për 20 euro.
Pa asnjë paralajmërim nga banka, ky klient (emër i njohur për redaksinë) thotë se ndryshimet në kredinë e tij janë zbatuar nga data 1 janar 2023.
Një rritje e njëjtë, prapë pa asnjë paralajmërim, ai ka treguar se i është bërë edhe në këstin e datës 1 korrik 2023, kur atij i është faturuar kësti prapë edhe me 20 euro më shumë.
Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje në bankën ProCredit për të pyetur nëse është fjala për zbatimin e normës së Euribor-it në këtë rast, mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.
Bankat në Kosovë, përveç kredive me norma fikse, ofertojnë edhe kredi me norma variabile (të ndryshueshme) të interesit. Në rastin e kredive me normë variabile, referencë për normë të aplikueshme në të ardhmen, ato kryesisht e përdorin Euriborin.
EURIBOR (shkurt për Euro InterBank Offered Rate ose përkthyer si Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane).
Tashmë disa banka në vend ka kohë që kanë filluar t’i njoftojnë klientët për ndryshimet në normat e interesit, me arsyetimin “si pasojë e rritjes së normës në EURIBOR-it në tregun evropian”, mirëpo, rasti i lartëcekur edhe nëse është zbatim i Euribor-it, nuk është rast i rritjes së paralajmëruar ndaj klientit në fjalë.
Burime të Buletinit Ekonomik brenda sistemit bankar thonë se bankat po e përdorin një ‘hile’ në përcaktimin e normës së interesit në bazë të Euribor.
“Bankat tona komerciale, për kreditë me norma variabile, kujdesen që gjithmonë të caktojnë një normë dysheme (më të ultën e mundshme), mirëpo zakonisht nuk e përcaktojnë edhe një normë tavan (më të lartën e mundshme). Me këtë rast, ato i mbrojnë interesat e veta, por jo edhe ato të klientit. Përveç në rastet kur klienti, me vetëdije të plotë, kërkon nga banka komerciale që në kontratën e kredisë ta përfshijë edhe normën tavan”, ka thënë ky burim.
Rritja e normave të interesit për kreditë bankare, është paralajmëruar edhe nga Banka Qendrore e Kosovës para dy muajve. /Buletini Ekonomik/