Propozohet që çmimi i korrje-shirjeve për këtë vit të jetë 130 euro

Fusha të mbjella me grurë në Kosovë (Ilustrim)

Mbi 70 mijë hektarë të mbjellë me grurë pritet që të korren gjatë këtij viti në tërë territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë është propozuar që çmimi i korrje-shirjeve të jetë 130 euro.

Reklama e sponzorizuar

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes një njoftimi, pas një takimi të përbashkët që kishte me përfaqësuesit e drejtorive Komunale për Bujqësi dhe atyre të Shoqatës së Mullistëve.

“Gjatë këtij takimi, palët e përfshira në këtë proces u pajtuan që të mos fillohet me korrje shirjet para pjekjes se plotë të grurit, e krahas kësaj edhe drejtoritë Komunale për Bujqësi të raportojnë në MBPZHR, gjegjësisht tek Komisioni qendror për monitorimin e korrje-shirjeve për vitin 2023, të paktën një herë brenda javës lidhur me ecurinë e korrje-shirjeve në komunat e tyre”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, bazuar në çmimin aktual të derivateve të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZHR-ja, përfaqësuesit e DKB-ve dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve, sugjerojnë/propozojnë se çmimi real i korrje-shirjeve për vitin 2023 do të ishte 130 euro/ha (nënkuptohet se çmimi i korrje-shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerëve).

“Ndryshe, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2022 me kulturën e grurit është mbjellë një sipërfaqe prej 71,008.20 hektarë”, thuhet në njoftim.