Qeveria e Kosovës e angazhon lobiste në Amerikë shoqen e Donika Gërvallës, mbështetëse e kritikave kundër Amerikës

Ministria e Jashtme e Kosovës ditë më parë kishte nënshkruar një marrëveshje për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E angazhuar për këtë punë ishte Afërdita Rakipi Communiations dhe Ambal,

Kjo pavarësiht se të njëjtit nuk kanë pasur asnjë marrëveshje të regjistruar më parë në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, shkruan sot Radio Evropa e Lirë.

Bazuar në kontratat e nënshkruara më 26 qershor dhe të vlefshme për një vit, Rakipi dhe Mustafaj do të paguhen nga 147 mijë euro nga MPJD-ja për aktivitetet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Me një kërkim nëpër rrjete sociale, del se dy udhëheqësit e kësaj kompanie, Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj kanë qenë veprimtarë në komunitetin amerikano-shqiptar në ShBA para dhe gjatë luftës.

Megjithatë, Rakipi po del se ka lidhje edhe me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Kjo e fundit e kishte etiketuar Rakipin në një postim si sfidë leximi në Facebook.

Rakipi në disa postime, ka qenë mbështetëse e kritikave po ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sidomos me qëndrimet amerikane rreth veriut.

“Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane”, thuhet në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.

Marrëveshja për lobim është nënshkruar rreth një muaj pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Në atë zonë – të banuar me shumicë serbe – banorë lokalë serbë protestojnë nga fundi i majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

Hyrja e tyre në objektet komunale në veri është asistuar nga Policia e Kosovës dhe ky veprim është kritikuar nga përfaqësues të SHBA-së, por edhe të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët e SHBA-së i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i ulë tensionet në veri të vendit dhe kanë ndërmarrë masa ndëshkuese kundër saj, përfshirë përjashtimin nga një stërvitje e madhe ushtarake. Ngjashëm ka vepruar edhe BE-ja.

Aktualisht, në llogarinë e tij në Twitter, edhe Mustafaj shfaqet kritik ndaj Bashkimit Evropian për qëndrimin e mbajtur ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Duke reaguar ndaj një postimi të Departamentit amerikan të Shtetit për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, Mustafaj shprehet kritik edhe ndaj SHBA-së.

“Amerikës, në të vërtetë botës, i mungon mençuria dhe guximi i Madeline Albrightit për ta bërë atë që është e drejtë. Më duhet të besoj se ajo do të ishte tmerrësisht e zhgënjyer që SHBA-ja nuk po qëndron fort prapa Kosovës në vend që ta qetësojë [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq – një diktator. Populli i Kosovës meriton më mirë”, shkroi ai në Twitter.

Në të kaluarën Vetëvendosja dhe Albin Kurti kritikonin qeveritë e tjera për shuma të mëdha të shpenzuara në kontrata të lobimit.