Rritja e pagës minimale në vlerë prej 264 eurove po konsiderohet të jetë e dëmshme për bizneset e vogla. Kështu po vlerësojnë ekspertë të ekonomisë, të cilët apelojnë që Qeveria t’i ndihmojë mikrobizneset, qoftë me subvencione të qirasë apo në forma të ndryshme, në mënyrë që të mos falimentojnë.
Kuvendi i Kosovës pa opozitën, para 10 ditësh ka miratuar Ligjin për Pagën Minimale. Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se në Kosovë janë 80,985 persona që paguhen më pak se 264 euro në muaj. Sipas tij, janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë.
Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të premten e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për pagën minimale.
Ekspertët e ekonomisë kërkojnë nga Qeveria të ndërmarrë hapa të nevojshëm në këtë drejtim, në mënyrë që të parandalohet rritja e informalitetit.
Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija thotë për KosovaPress se disa nga bizneset e vogla e kanë problem t’i përmbahen këtij kriteri, në këtë mënyrë, ai thotë se shumica e bizneseve të vogla do të falimentojnë.
Avdija: Në rast se do të bëhet obligative, bizneset e vogla do të dëmtohen
“Në rast se do të bëhet obligative që do të kenë një pagë fikse 250, apo çfarëdo vlere për këto biznese, do të dëmtohen në masë të madhe, për shkak se ato fillimisht duhet të mbushin obligimet ndaj punëtorëve, pastaj të krijojnë profitin e tyre. Në mënyrë që të bëhet kjo zgjidhje, duhet t’i rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që nuk mund të jenë konkurrent në treg, pastaj tregu gradualisht i detyron që ata t’ia vendosin drynin ndërmarrjes tyre… Kjo për shkak se ndërmarrjet e vogla dhe mikro ndërmarrjet e kanë vështirësinë e qarkullimit të kesh-it dhe vështirësinë e kapitalit dhe aseteve tjera financiare, të cilat atyre u pamundësojnë që t’u përmbahen një kriteri të tillë për të vendosur një pagë minimale për punëtorët e tyre 250 euro”, thotë Avdija.