Serbia dhe Hungaria nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e një tubacioni nafte

Qeveria e Serbisë konfirmoi se ka nënshkruar një marrëveshje me Hungarinë, ku përcaktohet ndërtimi i një tubacioni ndërkufitar të naftës dhe krijimi i një kompanie të përbashkët tregtare të gazit.

Kompania e përbashkët tregtare e gazit, SERBHUNGAS, me seli në Novi Sad, do të themelohet nga kompania serbe e gazit Srbijagas dhe kompania shtetërore hungareze MVM CEEnergy, tha qeveria.

Vlera e parashikuar e projektit të naftësjellësit, kapaciteti i të cilit do të jetë 5.5 milionë tonë në vit, është 157 milionë euro për seksionin serb të naftësjellësit, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Minierave dhe Energjisë.

Reklama e sponzorizuar

Plani është që tubacioni i ri i naftës, të kalojë në rrugën Szazhalombatta-Algyo-Roszke-Novi Sad, me gjatësi totale prej 304 kilometrash dhe me shtrirje të mundshme në Selanik dhe në Durrës.

“Serbia aktualisht ka vetëm një burim, nga i cili merr furnizimet me naftë bruto, përmes Hungarisë, dhe për siguri më të madhe, ne kemi nevojë të diversifikojmë burimet dhe rrugët e furnizimit. Ndërtimi i tubacionit të ri të naftës në Hungari do të sigurojë furnizim më të sigurt të rafinerisë lokale dhe të tregut vendas.

Projekti shihet si një investim prioritar dhe një nga projektet strategjike të furnizimit me naftë”, tha ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Djedovic.