Shqetësime publike ndërkombëtare dhe vendore për ngecje të investimeve në Kosovë

“Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte (IHD), por ky potencial është i kufizuar nga dështimi i saj për të adresuar disa çështje serioze strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global, ndërhyrjen politike në ekonomi, korrupsionin, furnizim jo të besueshëm me energji, një sektor i madh informal, vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore, dhe sundimin e dobët i ligjit, duke përfshirë edhe mangësitë në zbatimin e kontratave”, thuhet, ndër të tjera në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Çka vlerësojnë dhe çka sugjerojnë në OEAK dhe çka zyrtarët e OEK-së rreth gjendjes së pavolitshme të investimve në Kosovë?

Buletini Ekonomik

Shqetësimin e kahmotshëm, sidomos në këto vitet e fundit, për mungesë investimesh të huaja direkte, ose investime të këtilla fare të pakta si dhe për ngecje evidente të investimeve kapitale në Kosovë, e ka përligjur katërcipërisht këto ditë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), nëpërmjet raportit “Klima e Investimeve 2023”, i bërë publik këto ditë dhe në të cilën përmenden edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Në raport thuhet se Kosova është një nga vendet më të varfëra të Evropës, dhe se përkundër se ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, ka dështuar për shkak të ndikimit të politikës dhe korrupsionit.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte (IHD), por ky potencial është i kufizuar nga dështimi i saj për të adresuar disa çështje serioze strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global, ndërhyrja politike në ekonomi, korrupsioni, furnizim jo i besueshëm me energji, një sektor i madh informal, vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore, dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mangësitë në zbatimin e kontratave”, thuhet në raport.

DASh-i thotë se Investimet e Huaja Direkte (IHD) mbeten të kufizuara në Kosovë ndërsa theksohet se remitancat nga diaspora (që përfaqësojnë 16 për qind të PBB-së në 2021) vazhdojnë të jenë shtytësi kryesor ekonomik i vendit, duke nënvizuar nevojën që Kosova të diversifikojë burimet e rritjes ekonomike. Por, edhe e dhëna se “pavarësisht sfidave, Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm, duke përfshirë disa firma ndërkombëtare dhe ekskluzivitete amerikane.

Gjithsesi, në raportin e DASH-it potencohen edhe ngritjet e lehta duke vlerësuar shifrat e rritjes ekonomike për vitin 2021 dhe normat më të shpejta të rritjes se sa ishte parashikuar fillimisht. Pa humbur kohë, me t’u bërë publik raporti i DASH-it, ka reaguar menjëherë edhe Oda Ekonomike Amerikane duke vlerësuar se “nuk mund të injorohen konkluzionet shqetësuese” të nxjerra në Deklaratat e Klimës së Investimeve për Kosovën të publikuara së fundmi nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Këto gjetje, duke theksuar ndërhyrjen thelbësore politike në ekonomi dhe mungesën e dialogut publiko-privat, vënë në spikamë aftësinë e vendit për të tërhequr investimet e huaja direkte (IHD), që janë vendimtare për zhvillimin ekonomik. Është shqetësuese të shihet se çështje të tilla jo vetëm që po ndikojnë në imazhin ndërkombëtar, por gjithashtu po nxisin pakënaqësi në mesin e qytetarëve të Kosovës. Hulumtimi i fundit i Pulsit Publik nga UNDP-ja ka treguar se vetëm 17.7% e qytetarëve janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Kjo statistikë sinjalizon një nevojë urgjente për ndryshim dhe përmirësim sistematik në qeverisjen ekonomike duke nënvizuar peshën e detyrave që duhen zbatuar”, thuhet në reagimin e OEAK.

Më tutje, në komunikatë thuhet se çështja e rritjes së ndërhyrjeve politike në ekonomi dhe gjyqësor minon drejtpërdrejt besimin e investitorëve, pengon dinamikën e tregut dhe përbën rrezik të konsiderueshëm për investitorët e mundshëm.

“Kjo ndërhyrje vë në dyshim reputacionin e Kosovës si një mjedis stabil dhe i parashikueshëm për investime. Pa adresuar këtë, vendi rrezikon të gërryejë më tej besimin e investitorëve dhe qytetarëve të tij.”

Oda Ekonomike Amerikane thekson se përtej këtyre çështjeve, vendi duhet të adresojë edhe sfidat e tjera të rëndësishme, si integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, furnizimi jo i besueshëm me energji dhe vështirësitë në vendosjen e të drejtave pronësore.

“Sektori i madh joformal dhe korrupsioni i shfrenuar vazhdojnë të jenë pengues për investitorët, ndërsa të mbështeturit e madh në përkrahjen financiare ndërkombëtare dhe remitencat, vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë së Kosovës. Qeveria duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të zbutur këto shqetësime. Eliminimi i ndërhyrjeve politike, vendosja e një dialogu efektiv publiko-privat dhe zbatimi i strategjive për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar infrastrukturën e Kosovës duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të agjendës së Qeverisë. Duke nxitur një klimë transparence, parashikueshmërie dhe dialogu të hapur, vendi do të përmirësojë me doemos imazhin e tij para investitorëve të huaj”, thuhet tutje në komunikatën e OEAK.

Edhe kyetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka qenë kritik ndaj qeverisë në lidhje me shifrat e ulëta të investimeve kapitale.

“Investimet kapitale janë infuzioni më i mirë i mundshëm që mund t’i vijë sektorit privat nga shteti. Ato janë elementi kryesor në ngritjen ekonomike të vendit dhe zhvillimin e mirëqenies së qytetarëve”, tha ai.

Sipas tij, duhet sa më shpejt në Kosovë të lëshohet në qarkullim paraja.

“Paraja nuk është vetëm infuzion, por krijon edhe siguri tepër të madhe të bizneset. Kjo ndodh pasi tregon se kemi stabilitet financiar në biznese dhe vend”, ka deklaruar ndër të tjera Rafuna në medie.

Ai ka bërë publike në medie të dhënën se Kosova renditet e parafundit në Ballkanin Perëndimor për investime të huaja, duke theksuar se krizat politike që ndodhin përbrenda vendit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në investimet në Kosovë.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në veprimet tona, deklaratat tona publike, për arsye se të gjitha ato përcillen me shumë kujdes nga ana e investitorëve të huaj sepse në fund të fundit ato janë para private dhe investitori kërkon një ambient të sigurt”, ka thënë Rafuna.

“Ne duhet të punojmë brenda këtu për politika fiskale më të favorshme në eliminimin e barrierave administrative dhe joadministrative që të jetë një ambient më i favorshëm”, ka shtuar ai.

Sipas tij, vendet e rajonit në këtë rast janë në mënyrë shumë të shpejtë duke punuar dhe duke bërë ndryshime.

“Janë shumë para Kosovës. Janë shumë agresivë në thithjen e investitorëve të huaj, bile kemi informacione që edhe në Kosovë, ndaj bizneseve tona bëjnë presion që të shkojnë dhe të investojnë në vendet e tyre”, ka shtuar ai.

“Kur i sheh shifrat, e sheh që Kosova është e parafundit me investime në Ballkan krahasuar me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë”, ka potencuar Rafuna në medie.

Duhet theksuar se po të shikohen shifrat e proklamuara të investimeve të huaja nga autoritete dhe zyrtarë të Kosovës, të realizuara gjatë vitit të kaluar (2022) në Republikën tonë, duken numra imponues krahasuar me një vit më parë. Prandaj, sikur fitohet përshtypja se po ndodhë mrekullia në tërheqjen e kapitalit të jashtëm, këtu, në Kosovën e varfër. Sepse, nuk është edhe aq e vogël, as minimaliste e dhëna se “Investimet e Huaja Direkte vitin e kaluar kanë arritur në 778.2 milionë euro”, e dalë nga Raporti i fundit i BQK-së, por e proklamuar në disa raste edhe nga zyrtarë të lartë aktual. Kjo shifër, sipas BQK-së, i bie të jetë diku rreth 85 për qind, më shumë se në vitin 2021. Mirëpo, kur të kihet parasysh e vërteta se të dhënat për investimet e huaja direkte (IHD-të), kryesisht rezultojnë si rrjedhojë e investimeve të diasporës sonë në patundshmëri, respektivisht në blerjen e banesave nga mërgata kosovare dhe aty-këtu ndonjë toke.

Pra, edhe më 2022, sikundër edhe në shumë vite të tjera të pasluftës, sektori i patundshmërisë ka vazhduar të mbetet më atraktivi dhe më i rëndësishmi për investime të huaja dhe përbën 67.3 deri në 70 për qind të gjithsej IHD-ve.

Sektorët e tjerë me kontribut në rritjen vjetore të IHD-ve, por që janë ndjeshëm nën hijen e patundshmërive, sipas raportit të BQK-së, ishin sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, si dhe sektori i ndërtimtarisë. Ndërkohë, dihet se investimet në patundshmëri (në blerjën e banesave dhe të lokaleve), qoftë edhe me paranë e ardhur nga jashtë, nuk e kanë efektin as të përafërt të zhvillimit ekonomik, të gjenerimit të kapitalit, të krijimit të vendeve të punës dhe të rritjes reale të zhvillimit ekonomik. Prandaj, po të analizohen më detajisht investimet e huaja direkte në Kosovë, nuk dalin të jenë edhe aq rezultative dhe të efektshme, megjithë shifrat goxha të larta të apostrofuara. Shi për këtë, dalin të jenë diskutabile këto shifra për investime të huaja. Kosova edhe më tutje po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm. Prandaj, shpërfaqen publikisht edhe shqetësimet e DASH-it, asociacioneve ekonomike brenda për brenda Kosovës dhe të zyrtarëve e njohësve të rrethanave të zhvillimeve në fushën e investimeve. /Buletini Ekonomik/