Sa po prodhohet dhe sa po importohet energji elektrike këtyre ditëve?
Buletini Ekonomik
Kosova, që nga shpërfaqja e krizës energjetike në botë dhe sidomos që nga fundi i 2021-tës po “paguan haraqin” e politikës së gabuar energjetike të të gjitha qeverive të pasluftës dhe të neglizhencës së skajshme institucionale për të ngritur kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike.
Në këtë periudhë u pa dhe u bindën të gjithë se Kosova nuk ka rrymë të mjaftueshme të prodhuar nga kapacitetet e veta (termocentralet ekzistuese dhe ndonjë kapacitet numerikisht i papërfillshëm i energjisë së rinovueshme). Më konkretisht: një tërheqje e ndonjë njësie ekzistuese të prodhimit qoftë në termocentralet Kosova B, qoftë në Kosova A, për shkaqe të defekteve, ose të riparimeve të planifikuara, përnjëherë ka shkaktuar mungesë të ndjeshme të rrymës, të cilën për ta pasur, domosdo Kosova ka qenë e detyruar të importojë, pavarësisht çmimeve rëndom të larta në këto vite, të huazojë nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve për këmbim të energjisë elektrike, ose të reduktojë energjinë në përmasa të territ me orë të tëra.
Të gjitha këto kanë ndodhur në këto dy-tre vjet (Kosova ka importuar në shumë raste, ka huazuar, po kështu, në shumë momente nga KESH-i, por edhe ka reduktuar me orë të tëra, në pamundësi të importit dhe të huazimit nga Shqipëria), në periudha të caktuara, e sidomos në muajt e dimrit.
Pasojat e ngecjes zhvillimore në elektroenergjetikë, aktualisht, edhe pse gjendemi në pikun e verës, për shkak të temperaturave ekstreme të larta dhe rritjes goxha të madhe për këtë periudhë të konsumit, janë shpërfaqur edhe këtyre ditëve, kur po ndihen mungesa të rrymës, të cilat gjatë ditës për konsumatorët universal, ose qytetarët, po kompenzohen nga importi.
Zyrtarët e kompanisë së shpërndarjes së rrymës (KEDS) dhe ata të furnizimit të konsumit me energji (KESCO) kanë thënë për medie këto ditë se brenda dy ditësh kanë importuar rreth 1 milion euro energji elektrike, gjegjësisht në periudha të caktuara të ditës, sidomos gjatë orëve të pikut, ku nga importi janë siguruar diku rreth 300 megavatë-orë.
Sipas tyre, për shkak të temperaturave ekstreme të larta, konsumi i Kosovës është rritur ndjeshëm, dhe këto ditë ka shkuar në kohën e pikut, madje në mbi 850 megavatë – orë.
KEK-u për shkak të strukturës së kapaciteteve prodhuese (95 për qind të tyre janë termocentralet në bazë të linjitit) ka probleme serioze të përmbushjes së nevojave të shpërndarësit dhe furnizuesit. Me kapacitetet aktuale në prodhim (A4 dhe A5 të Kosova A dhe B1 të Kosova B) me gjithsej prodhim rreth 520 megavatë (A4 dhe A5 bashkarisht 260 dhe B1 – 260 megavatë), plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, nuk mund të plotësohen në tërësi nevojat e shtuara të konsumit të vendit.
Por, gjatë natës ka teprica të konsiderueshme (ka ndodhë këtyre ditëve që brenda një nate të ketë edhe deri në 1.300 megavat- teprica), të cilat KEK-u kushtimisht duhet t’i eksportojë (t’i shes në tregun ndërkombëtar të energjisë, ose t’i huazojë në KESH).
“Këto ditë është kthyer në prodhim A5-shi dhe ka shkuar menjëherë në remont të parashikuar A3-shi. Vetëm në këtë mënyrë, me këto kapacitete të stërvjetruara, pak a shumë, mund të presim më të përgatitur sezonin e dimrit, kur paraqitën veshtirësitë e mëdha. Kështu, kushtimisht ndodhë, kur nuk ke kapacitete prodhuese të mjaftueshme dhe kur ke strukturë shumë të pavolitshme të kapaciteteve, gjegjësisht kur dominojnë në tërësi kapacitetet nga vetëm një burim, në këtë rast nga qymyri”, thonë nga KEK.
Kosova edhe me këto kapacitete të përgjysmuara prodhuese gjatë natës ka teprica, ndërsa gjatë ditës duhet të importojë energji elektrike për nevojat e konsumit të vendit. Fatmirësisht, në krahasim me vjet dhe parvjet, çmimet në treg janë shumë më të favorshme për importuesit.
Sot shembull (e martë, 15 korrik), në Bursën hungareze të energjisë HUPX, një megavat orë energji ka kushtuar gjatë ditës 107 euro, ndërsa në kohën e pikut 108 euro. /Buletini Ekonomik/