Sivjet, Kosova mbarë po e kujton diasporën e vet me mungesën e saj në vendlindje, me numrin vërejtshëm më të paktë të mërgatës sonë në sheshet dhe rrugët e qyteteve tona në tërë qershorin, por edhe në këto ditë të korrikut, kohë kjo kur në vitet e deri sivjetshme sheshet tona, kafiteritë, restorantet, por edhe qendrat tregtare “vlonin” nga kosovarët “perëndimor”. Sivjet, pra është evidente, ata janë goxha më të paktë në vendlindje. Cilat janë shkaqet e numrit më të reduktuar të mërgatës në vendlindje?
Mehmet GJATA
Në bazë të hulumtimeve të bëra nga Buletini Ekonomik, del qartë se Kosova, institucionet e saj, por edhe opinioni kosovar, kujtohen për mërgatën e saj më shumë në rastet kur diaspora sjellë shuma të mëdha parash në vendlindje, kur prurjet financiare të këtyre njerzëve tejkalojnë rekordet ekzistuese dhe në muajt e verës, kur këtë kujtesë e imponojnë vet ata, me ardhjen masovike në vendlindje.
Kosovarët e diasporës, sipas opinionit, kujtohen, madje përflitet për ta edhe duke përhapur thashetheme edhe cinike e ironike, për ndonjë “gafë” eventuale që bënë dikush nga mërgata, ose për ndonjë rast sjelljeje të padenjë të këtyre njerzëve, që jo gjitëhherë dhe gjithmonë pas qëndrimit shumëvjeçar në vend të huaj, t’huajsohen paksa, dhe ndodhë edhe të mos përputhen me mentalitetin e kosovarëve vendor, që asesi do të thotë se është më i miri.
Sivjet, megjithatë Kosova mbarë po e kujton diasporën e vet me mungesën e saj në Kosovë, me numrin vërejtshëm më të paktë të mërgatës sonë në sheshet dhe rrugët e qyteteve tona në tërë qershorin, por edhe në këto ditë të korrikut, kohë kjo kur në vitet e deri sivjetshme sheshet tona, kafiteritë, restorantet, por edhe qendrat tregtare “vlonin” nga kosovarët “perëndimor”.
Sivjet, pra është evidente, ata janë goxha më të paktë në vendlindje. Shkaku i kësaj mungese dhe i këtij reduktimi të dukshëm të ardhjes së rëndomtë të mërgatës sonë në vendlindje doemos do të zbulohet ndërkohë ndonjë ditë.
Supozohet nga njohës të lëvizjeve të diasporës sonë se në këtë numër të reduktuar mund të ketë ndikim koha e sivjetshme dhe të reshurat e shumta që mbajtën deri tani, kriza ekonomike që ka lëshuar rrënjë dhe po zgjatë gjithandej nëpër shtetet ku janë të përqëndruar kosovarët, por edhe situata politike në vend e dominuar nga kriza e stërzgjatur në veri. Gjithsesi, këta faktorë e kanë ndikimin e drejtpërdrejtë, apo të tërthortë në ardhjen e reduktuar të mërgimtarëve tanë.
Ndërkaq, nëse vazhdon ky trend i ardhjes së diasporës në vendlindje, do të reflektohet edhe në shumën e remitancave, parave që për çdo vit mërgata jonë thuaja tradicionalisht ka sjellë dhe ka lënë në atdhe, duke tejkaluar shumat e viteve paraprake dhe duke lehtësuar shumë jetën e kosovarëve në radhë të parë, dhe duke ndihmuar Kosovën të përballojë krizat ekonomike dhe të mirëqenies.
Edhe në vitin e kaluar (më 2022) në Kosovë, diaspora ka dërguar dhe ka sjellë shumë para. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) tregojnë se gjatë vitit të kaluar shuma e parasë së diasporës kishte arritur në 1.2 miliardë euro, apo 6 për qind më shumë se në vitin 2021, ose më saktësisht 59.4 milionë euro më shumë se në vitin paraprak. Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit gusht me 131.6 milionë euro nga totali prej mbi 1.2 miliard euro.
E Gjermania vazhdon të jetë shteti që prinë për shumën e parave të diasporës (41,2 për qind e të gjitha dërgesave), e pasuar nga Zvicra me 20.2 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 9.1 për qind.
Prurjet e parave nga diaspora janë shumë nga 99-ta e këndej.
Për të parë përmasat e remitancave të diasporës sonë, po i prezentojmë këtu disa të dhëna të bëra tashmë publike nga institucione monetare ndërkombëtare që nga viti 2008 e deri më 2021, që janë të përafërta, por jo plotësisht të sakta, gjithsesi. Të dhënat e institucioneve përkatëse të vendit flasin për shuma më të mëdha.
Më 2008 në Kosovë prurjet e parave të mërgatës soonë kanë qenë 858 milionë euro, më 2009 – 865 milionë euro, më 2010 – 825 milionë, në vitin 2011 – 814 milionë euro, më 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 milionë euro dhe 2021 – 1.14 miliard euro.
“Remitancat përbëjnë një ndër financuesit kryesor të konsumit, dhe kanë një pjesëmarrje prej 14.1 për qind në gjithsej Prodhimin e Brendshëm Bruto të gjeneruar në vend. Përveç faktorit altruist që karakterizon dërgesat e emigrantëve në Kosovë, e që mund të jetë përforcuar si pasojë e tkurrjes së të ardhurave të disponueshme në ekonomi si pasojë e inflacionit, rritja e remitancave gjatë muajve të verës mund t’i atribuohet edhe zhvlerësimit të euros ndaj valutave tjera”, thuhet në një nga raportet e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.
Thënë më shkurt, paratë e diasporës që nga paslufta vazhdojnë të përbëjnë burimin ndër më të mëdhenjtë të të ardhurave në Kosovë. Dhe kjo para e madhe, siç dihet, deri më tash, është investuar kryesisht në buxhetet familjare, për mbijetesën e familjeve të diasporës në Kosovë, ndërsa në vitet e fundit, mërgimtarët, janë përcaktuar që paranë e tyre ta investojnë goxha shumë edhe në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave në qendra të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet.
Investimi në patundshmëri është forma kryesore e investimit të diasporës, dhe vetëm në vitin 2022, sipas të dhënave të BQK-së, arriti vlerën prej 523.7 milionë euro.
Por, sipas përllogaritjeve të BQK-së, përmes remitencave, është investuar goxha edhe në lëminë e turizmit. Në këtë mënyrë, investimet ndërvite të deritashme në patundshmëri dhe turizëm, arritën vlerën prej 3.6 miliardë euro, që korrespodon me mbi 40 përqind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Me fjalë të tjera, edhe më tutje, në Kosovë nuk ka ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të diasporës, as ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe nuk ka thuaja as ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh. Investimet e diasporës, gjegjësisht remitencat, siç u tha më lartë, deri tash shquhen në angazhimet e tyre me shumicë absolute në paluajtshmëri dhe më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet. As Qeveria aktuale e Kosovës, sikundër pararendëset, sado dashamirëse dhe premtuese në favor të konkretizimit të investimeve me para të diasporës, nuk u tregua këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Thjesht, disa parashikime të kësaj Qeverie, sikur ajo për t’u emetuar Bono-Thesari, të dedikuara për diasporën, nuk u dëshmuan se i bindën edhe aq bashkombasit tanë për të investuar paranë e tyre në vendlindje.
Mbase zyrtarët aktual të vendit, tani e tutje, do të jenë më kreativ dhe më intrigues në politikat vijuese për trajtimin e diasporës në përgjithësi dhe parasë së tyre në veçanti.
Në mungesë të rezultateve të prekshme të investimeve të mërgatës (pos patundshmërive), por edhe trajtimit të gjithanshëm më të mirë të bashkatdhetarëve tanë, tashmë kanë zënë të zbehen edhe fjalët premtuese të kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, të bëra në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur para disa muajsh në Prishtinë, se “janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor dhe janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit”.
Thjesht, nuk po shihen efektet dhe rezultatet e ftesës ndryshe të bërë për mërgatën tonë nga kryeministri i vendit në Forumin e Bizneseve të Diasporës, edhe pse ai ftoi diasporën drejtëpërdrejt, duke ua bërë të ditur se “investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë”.
“Tanimë me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë. Ejani, kontribuoni dhe fitoni. Nuk jemi në të kaluarën kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, po kontribut përmes përfitimit të dyanshëm”, kishte theksuar Kurti.
Mirëpo, po duket se ftesën e drejtpërdrejtë të kryeministrit nuk e kanë kuptuar edhe aq qartë institucionet e shumta të vendit, ministritë përkatëse, pushtetet lokale nëpër qendrat komunale. Edhe më nuk ka rezultate. Nuk ka investime në Kosovë të biznesit dhe afaristëve nga mërgata. Prandaj, në rrethanat kur vendit i nevojiten aq shumë paratë e mërgatës dhe kur zhvillimi i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejtë dhe në masë relativisht të madhe me paranë e diasporës, krahas ftesës ndryshe nga herat e tjera, do të duhej të veprohej institucionalisht, pa humbur kohë, për të krijuar ligjërisht kushtet e favorshme për investimin e parasë së mërgimtarëve tanë. S’do mend se përmirësimi i gjendjes politike një orë e më parë në veri të vendit, do të ishte një ndër faktorët vendimtar për të joshur mërgatën tonë për të investuar në vendlindje. /Buletini Ekonomik/