Vonesa në korrje-shirje, lagështia e grurit ende e lartë

Fotografi ilustruese

Procesi i  korrje-shirjeve ende nuk ka filluar. Kjo pasi që shkaku i reshjeve të shumta, lagështia e grurit ende është mbi nivelin optimal. Ministria e Bujqësisë u ka bërë thirrje bujqve që para këtij procesi të konsultohen me ekspertë, por bujqit, kanë shqetësime për nivelin e rendimenteve që do të kenë sivjet.

Gruri në këmbë vazhdon të qëndrojë ende, ndonëse jemi në javën e dytë të korrikut.

Tokat e mbjella me kulturën e grurit në komunën e Lipjanit ende nuk janë korrur.

Reklama e sponzorizuar

Ngjyra e tyre dhe dëmtimi në disa pjese tregon për gjendjen e tyre.

Njëri nga ata që ka disa hektar të mbjellë me grurë, është edhe Mehdi Troshupa nga kjo komunë.

Ai thotë se vite më parë korrje-shirjet tashmë do të duhej të ishin gjysmë të përfunduara, por që kjo ka ndryshuar këtë vit.

Dëmi sipas tij, vërehet që në pamje të parë.

“Sigurisht e ka pi pak ujin, kështu ma i zi po doket po me rrezua ende se ka rrëzu, ende i verdhë është në disa pjesë”, tha për RTV Dukagjinin, Mehdi Troshupa – bujk nga Lipjani.

Ai thotë se vite më parë rendimentet kanë qenë bukur të larta por që këtë herë ka drojë se kjo do të ndryshojë.

“Deri në katër mijë kilogram grurë i kemi marrë viteve të tjera,  për sivjet nuk e di a do të ketë aq pasi nuk e dimë sa është dëmtuar. Po shpresoj deri në katër mijë edhe sivjet”, deklaroi Troshupa.

Për vonesat në fillim të këtij procesi ka njoftuar edhe Ministria e Bujqësisë.

Sipas informatave të Ministrisë, të përcjella nga këshilltarët në qendra këshilluese komunale për bujqësi, përqindja e lagështisë vazhdon të jetë mbi normat optimale, që sillen ndërmjet 12 e 13 %.

Për këtë, Ministria u bëri thirrje bujqve që të mos fillojnë korrjet para pjekjes së plotë të grurit, në mënyrë që të mos kenë humbje të grurit e ulje të rendimentit mesatar, por edhe janë paralajmëruar se pikat grumbulluese, nuk do të pranojë nëse lagështia është mbi normat optimale.