(Plotësim) Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe një biznesmen janë arrestuar nën dyshime për dallavere me rezervat shtetërore.
Ata janë arrestuar të premten në nbjë aksion të Policisë që është zhvilluar në tri lokacione.
Të arrestuarit janë drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Policia gjatë aksionit ka konfiskuar dokumente e kompjuterë në zyrat e MINT-it.
Gjithashtu është arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi njëri nga personat e dyshuar në këtë rast.
Bastisje janë zhvilluar në objektin e MINT-it si dhe në banesën dhe një lokal të Muharremit.
Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit. /koha.net/