Bankat që operojnë në Kosovë nuk kanë pranuar që shërbimet bazike për qytetarët t`i ofrojnë me zero tarifë.
Ato kanë filluar t`i tarifojnë qytetarët jo më shumë se 53 centë në muaj. Nga këto të fundit kanë thënë se janë duke zbatuar vendimin e BQK-së, por që s`ka numër të madh të qytetarëve që po aplikojnë për këto shërbime.
Qytetarët e intervistuar thonë se nuk janë të informuar për shërbimet.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që shërbimet bazike të ofrohen pa pagesë ose me një tarifë të arsyeshme, ka filluar të zbatohet nga bankat që operojnë në Kosovë.
Këto të fundit, kanë vendosur një tarifë mujore prej 53 centësh për këto shërbime, të cilat sipas BQK-së, do të mund të ofroheshin edhe pa pagesë.
Në lidhje me zbatimin e kësaj rregulloreje nga BQK kanë thënë se deri tani kanë pranuar një ankesë.
Vlera e arsyeshme e kompensimit, sipas paragrafit 1 të këtij neni, nuk mund të jetë më e lartë se 0,12% e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës, e publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ndërkohë, Divizioni i Ankesave brenda BQK-së ka pranuar vetëm një ankesë lidhur me rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike, e njëjta është shqyrtuar dhe pala është informuar me kohë
Një nga bankat që operojnë në Kosovë e ka konfirmuar për RTK-në se janë duke ofruar shërbimet bazike ashtu siç e përcakton rregulloja, mirëpo nga e njëjta kanë thënë se nuk ka shtim të aplikimeve për këto shërbime.
Një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të mos jenë të informuar për vendimin e BQK-së, e ata që janë të informuar shprehen se s?kanë aplikuar ende.
Vendimi i BQK-së është mirëpritur nga njohës të ekonomisë të cilët kanë theksuar se shërbimet bazike duhet të ofrohen me tarifa të përballueshme për qytetarët.
“Qasja në sistemin bankar duhet të jetë e garantuar dhe nuk duhet të tarifohet aq lartë në mënyrë që të bëhet e papërballueshme për qytetarët dhe veçmas për shtresat me të hyra të ulëta”, tha Erton Begaj, njohës i ekonomisë.
Shërbimet bazike pa pagesë për qytetarët përfshijnë: hapjen, operimin, mbylljen e llogarisë, tërheqjet e parave, deponimet, transaksione të pagesave e transfere të kreditit brenda bankës.