A di kush sa ka prodhuar grurë sivjet Kosova?

Edhe sivjet u bë gruri i diskutueshëm nga plasimi në publik i të dhënave, me dallime të theksueshme të subjekteve që kanë shpërfaqë në publik numra rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, rreth rendimenteve nga korrje-shirjet e sivjetshme dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës.

Mehmet GJATA

Nuk ka të dhëna të sakta në shumicën e lëmive të zhvillimit ekonomik, industrial dhe sidomos në agrarin e Kosovës, që nga paslufta e fundit dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në veçanti, në këto vite, bien në sy të dhënat kontradiktore si rrjedhojë e mungesës së të dhënave statistikore më të sakta nga burime të ndryshme zyrtare, gjithsesi, në sektorin e bujqësisë. Dhe për shkak të këtyre të dhënave (shifrave) në shumë raste bëhen të diskutueshme qoftë sipërfaqet e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, qoftë rendimenti i tyre dhe së fundi edhe sasitë e grumbulluara të një produkti bujqësor si dhe mbulimi i nevojave të Kosovës me këtë produkt.

Reklama e sponzorizuar

Edhe sivjet u bë gruri i diskutueshëm nga plasimi në publik i të dhënave, me dallime të skajshme të subjekteve që kanë shpërfaqë numra rreth sipërfaqeve dhe hektarëve të mbjellë me grurë në arat kosovare, rreth rendimenteve nga korrje-shirjet e sivjetshme dhe shifrave e përqindjeve rreth përmbushjes së nevojave të popullsisë së Kosovës. Me fjalë të tjera, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe reale rreth sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha, dhe me grurë në veçanti, edhe këtyre ditëve po kalkulohet me shifra goxha kontradiktore nga zyrtarët, përfaqësues të agrarit kosovar, por edhe nga asociacione të shoqërisë civile që janë të regjistruar ta trajtojnë agrarin tonë në një mënyrë apo tjetër.

Këto ditë po defilojnë nëpër mediet kosovare, këto që i kemi, të dhëna të ndryshme numerike, jo rrallë shumë të dallueshme numerikisht nga njëra-tjetra dhe që të vënë në lajthitje me numrat e deklaruar rreth sipërfaqeve të planifikuara, të mbjella dhe të përmbushjes së nevojave të kosovarëve me produktet qenësore bujqësore, e sidomos me grurë.

Kur has në gjithë këto të dhëna kontradiktore për numrin e hektarëve të mbjellë me grurë në arat e Kosovës, por edhe kur lexon shifrat shumë të ndryshme për rendimentin e gjithmbarshem të kësaj kulture bujqësore si dhe shifrat për përmbushjen e nevojave të vendit me grurë, fitohet përshtypja se këto të dhëna, më shumë janë hamendsime, të dhëna të paverifikuara fare dhe të pamata dhe të pallogaritura siç duhet dhe sipas standardeve të ditura.

Gjithsesi, edhe sivjet, fjala e fermerit, e bujkut, që një vjet të tërë u përkujdesë pandalshëm, me përkushtim dhe sakrifica, për të korrur bereqetin e pritshëm, në vitin që nuk ishte edhe aq i mirë i favorshëm dhe që për shkak të motit me shumë të reshura e dëmtoi jo pak të lashtat e tij, është më e vërteta, qoftë edhe e hidhur.

Por, për të qenë më konkret të shohim dhe të krahasojmë të dhëna të ndryshme rreth sipërfaqeve të mbjella në arat e Kosovës dhe rendimenteve të pritshme të sivjetshme. Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në përmbyllje të fushatës së korrje – shirjeve të sivjetshme, ka thënë se niveli i rendimenteve të grurit për këtë vit është rreth 4 tonë për hektar, nga 66 mijë hektarë sa kanë qenë të mbjella. Ai shtoi se nëse kalkulojnë me numrin e popullsisë ky nivel i grurit mund të mbulojë rreth 70 për qind të tregut vendor.

Ministri Peci, madje në një konferencë për media ka thënë se se s’ka vend për shqetësim sa i përket furnizimit me grurë, duke u mbështetur edhe te “stabilizimi i tregjeve ndërkombëtare”. Sipas tij, “këtë vit Kosova ka rekordin e të mbjellave në të gjitha kulturat, posaçërisht në sektorin e drithërave. “Mbi 66 mijë hektarë janë të mbjella vetëm me grurë, niveli i rendimentit sillen diku afër 4 tonë për hektarë. Nëse i kalkulojmë me numrin e popullsisë dhe standardet ndërkombëtare sa kërkon konsumimi ditor, ne me këto të mbjella nëse e gjithë sasia e grurit dedikohet vetëm për konsum të qytetarëve, mund të themi se kemi diku rreth 70 për qind të mbuleshmërisë së tregut. Mirëpo, ka shumë raste kur fermerët nuk zgjedhin të deponojnë sasinë e grurit, por e përdorin për kafshë ose shpezë. Ajo çka mund të them është se nuk ka vend për shqetësim, tashmë kur kemi edhe një stabilizim të tregjeve ndërkombëtare”, kishhte theksuar ai.

Por, sipas vlerësimeve më pesimiste të disa asociacioneve dhe të disa ekspertëve, fermerët në Kosovë parashikojnë që nga fushata e korrje-shirjeve të grurit të sigurohen rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës për ushqim. “Sipas nevojave në nivel vendi, nëse do mbilleshin 100.000 hektarë tokë me grurë dhe nëse rendimenti do të ishte prej 4.000 kilogramësh, atëherë i bie që Kosova të prodhojë 400.000 tonë grurë, sa janë edhe kërkesat dhe do të përmbusheshin nevojat për konsum”, janë këto llogari të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë.

Po sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat vjetore për këtë produkt (grurë) për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë. Gjithmonë, që nga koha kur Kosova ishte si subjekt në ish-Jugosllavi, numri i hektarëve të planifikuar për mbjellje të grurit është kalkuluar të jetë nga 70 deri te 80 mijëshi, përafërsisht.

Përafërsisht ky numër hektarësh (70-80 mijëshi, pra) është thënë të jetë edhe disa vjet rresht, pas luftës dhe pas pavarësisë së vendit. Tani, në këto disa vitet e fundit, sikur është reduktuar ky numër hektarësh i paraparë për t’u mbjellë me grurë, megjithë subvencionet e shumta dhe që nuk janë për t’u nënvlerësuar. Dhe, nuk dihet saktësisht sa hektarë janë planifikuar dhe sa janë mbjellë me grurë ndër vite. Gjithnjë defilojnë shifra të ndryshme dhe goxha kontradiktore.

Sipas ekspertëve, edhe nëse planifikohet të mbillen 75 deri në 80 mijë hektarë, e shumta që do të arrihej të mbillej me grurë do të ishte 66-68 mijë hektarë.

Më 2020, sipas disa të dhënave të bëra publike në disa medie, janë mbjellë me grurë në arat e Kosovës gjithsej 63 mijë hektarë. Sivjet, sipas ministrit Faton Peci, në Kosovë kanë qenë të mbjella gjithsej 66 mijë hektarë me grurë. Për huqjen e përmbushjes kaq të madhe të parashikimeve për mbjelljen e këtij drithi, kaq të rëndësishëm edhe nga pikëpamje strategjike, ndoshta, do të jap përgjigje ndokush ndonjëherë.

Por, njësojë e rëndësishme sikur pasja e të dhënave më të sakta të sipërfaqeve të mbjella realisht me grurë, është bërë edhe rendimenti i kësaj kulture kaq të rëndësishme bujqësore dhe të dhënat e tjera më të sakta rreth subvencioneve dhe masave të tjera stimuluese për fermerët të dhëna nga shteti. Por, megjithatë, të dhënat e ndryshme dhe kontradiktore vazhdojnë të shpërfaqen në publik nga zyrtarët qoftë për rendimentet e grurit, qoftë për sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë.

Fare në fillim të fushatës së sivjetshme të korrje – shirjeve, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë deklaronin për medie se fillimisht gjendja e grunajave ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por e si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut janë paraqitur “ndryshku i grurit” dhe zhvillimi i hovshëm i barojave të këqija, çka kanë ndikuar që gjendja e grunajave të përkeqësohet e në mënyrë direkte do të ketë ndikim edhe në arritjen e rendimentit mesatar. Por, sipas tyre, “vlerësuar mbi gjendjen e grunajave, këtë vit pritet që rendimenti mesatar i grurit të jetë brenda mesatares që është ndër vite në vendin tonë”.

Në Kosovë, ndër vite, rendimenti mesatar i grurit në nivel vendi sillet nga 3 mijë e 500 deri në 4 mijë e 500 kilogramë për hektarë.

Në anën tjetër, profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, disa herë në prag të fushatës dhe më pastaj kishte paralajmëruar që për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut, të ketë rënie të rendimenteve. “Nuk mund të presim një prodhimtari më të lartë të grurit në raport me vitin e kaluar, duke e pasur parasysh ndikimin e motit të ftohtë që ishte. Ne sivjet e patëm një vit karakteristik klimatik thënë figurativisht “vit pa pranverë”. Prandaj, edhe këtë vit do të karakterizohemi me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor, pasi reshjet e muajit mars, prill, maj dhe qershor atakuan shumë ngastra kultivuese të grurit me sëmundje të ndryshme si: ndryshku, bloza, barërat e këqija”, ka thënë Rusinovci për medie.

Sivjet ka vlerësime kontradiktore edhe rreth cilësisë së grurit. Kryetari i i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu ka thënë për medie se cilësia e kësaj kulture bujqësore varet nga rajonet ku mbillet. Rrafshi i Kosovës, sipas tij, ka pasur rendiment dhe cilësi të mirë. Por, cilësia e grurit në rajonet e tjera, sipas Zejnullahut, nuk garanton se ai mund të përpunohet dhe të prodhohet miell.

“Gruri duhet të ketë një cilësi minimale për përpunim të miellit. Gruri i këtij viti ka pasur një kualitet aq të dobët, sa nuk ka mundësi që të prodhohet miell. Ky grurë, i këtij kualiteti, mund të përpunohet si ushqim për kafshë, por jo si ushqim për njerëzit”, thekson ai.

Edhe profesor Rusinovci thotë se gruri i sivjetmë nuk i plotëson standardet e miellit. “Këtë vit kemi sasi të grurit që nuk e plotësojnë standardin edhe në sasi edhe në cilësi për miell për shkak se ishte një vit i tillë klimatik”, ka thënë ai. Profesori universitar, Imer Rusinovci thotë se gruri i sivjetmë nuk i plotëson standardet e miellit. “Këtë vit kemi sasi të grurit që nuk e plotësojnë standardin edhe në sasi edhe në cilësi për miell për shkak se ishte një vit i tillë klimatik”, ka thënë Rusinovci.

Sidoqoftë, megjithë të dhënat e dallueshme të bëra publike nga shumë subjekte, tashmë në fund të kësaj vere, kur do të duhet të ishin bërë të gjitha bilancet rreth pasjes së sasisë së grurit në hambaret e vendit, dihet saktësisht vetëm fakti se Kosova nuk ka arritur edhe sivjet që të plotësojë nevojat e popullatës së saj me grur. Minusi i sasisë së grurit, apo miellit, (a do të jetë 30 për qind, sa parasheh ministria, apo 50 për qind sa janë parashikimet e pesimistëve), do të kompenzohet si gjithnjë deri më tash nga importi, që kryesisht deri sivjet është bërë nga vendet e rajonit (më së shumti nga Serbia), një sasi më të vogël nga Ukraina si dhe nga shtetet e Bashkimit Evropian. /Buletini Ekonomik